Sistemet zgjedhore malazeze dhe numrat e subjekteve politike shqiptare

Postuar në 22 Gusht, 2020 23:22
Arsen Zlatiçanin – Universiteti i Shkodrës

 

Tani, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi që do të mbahen me 30 gusht, paraqitet interesante një tablo e përgjithshme e efektit të sistemit zgjedhor tek subjektet politike që përfaqësojnë pakicat kombëtare, konkretisht duke u fokusuar tek subjektet politike shqiptare në Mal të Zi.

Sistemi aktual zgjedhor malazez i cili aplikohet që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012, parashikon që në ndarjen e mandateve kualifikohen automatikisht të gjitha listat politike të cilat marrin së paku 3% të votave të vlefshme, ndërsa për listat e një pakice nacionale të secilit etnitet posaçërisht (p.sh. të etnitetit shqiptar, boshnjak apo kroat), në rastin kur asnjëra nga listat e këtij etnitet nuk kap pragun elektoral prej 3% të votave të vlefshme, votat e të gjitha listave të këtij etniteti të cilat kalojnë 0.7% të votave të vlefshme mblidhen dhe marrin pjesë (si shumë) në ndarjen e 81 mandateve të parlamentit malazez, së bashku me subjektet e tjera që kualifikohen për ndarjen e mandateve.  Ndarja bëhet me formulën D’Hondt dhe në qoftë se listat që përfaqësojnë një etnitet konkret, përfitojnë nga pragu sekondar 0.7% atëherë ata nuk mund të marrin më shumë se tre deputetë në total (në bazë të ligjit aktual zgjedhor).

Faktori shqiptar në këto zgjedhje përfaqësohet nga dy lista, përkatësisht nga LISTA SHQIPTARE (ASH-FORCA-LDSH-UT) dhe KOALICIONI SHQIPTAR “Bashkë nji za”(PD-UDSH-LDMZ). Një sondazh parazgjedhor nga një kompani prestigjioze (CEDEM) para pak ditesh, i jepte të parës (LISTËS SHQIPTARE) 1.9% të votave, ndërsa listës tjetër shqiptare 0.4%. Për të patur një mandat të sigurt duhen 1.22% të votave (kjo përcaktohet nga numri 81 i mandateve në total dhe nga formula D’Hondt), por në varësi të votave edhe të subjekteve të tjera mandati mund të sigurohet edhe me përqindje pak më të vogël. Për dy mandate të sigurta duhen 2.44% të votave por meqë këto zgjedhje konkurojnë 11 lista dhe votat shpërndahen, ka shumë mundësi që dy mandate të merren edhe me 2,3% të votave të vlefshme. Por ndarja e faktorit politik shqiptar në dy lista, meqë lista e dytë parashikohet të ketë më pak se 0.7% të votave të vlefshme, mund t’i kushtojë humbjen e një mandati subjekteve politike shqiptare. Në fakt kjo gjë ka ndodhur në çdo zgjedhje që kur ky sistem zgjedhor është në fuqi.

Tabelat e mëposhtme e paraqesin këtë:

Në zgjedhjet e vitit 2016, listat shqiptare humbën nje mandat sepse votat e partisë LIDHJA DEMOKRATIKE E SHQIPTARËVE nuk kaluan pragun 0.7% të votave të vlefshme. Me 2.16% të votave listat shqiptare siguruan vetëm një mandat, kurse sikur të kishin edhe votat e pakualifikuara, do kishin 2.56% të votave dhe kështu edhe një mandat me shumë, pra 2 mandate gjithsejt. Pikërisht ky mandat i humbur për arsye të përçarjes së votave shqiptare, i shkoi listës pro serbe të Frontit demokratik që siguroi 18 mandate. Madje, vetëm 395 vota (nga 1542 vota të LIDHJES DEMOKRATIKE TË SHQIPTARËVE) do mjaftonin që listat shqiptare të fitonin mandatin e dytë.

Edhe në zgjedhjet e vitit 2012 listat shqiptare humbën një mandat si pasojë  e 531 votave të ALEANCËS RINORE SHQIPTARE të cilat ishin poshtë pragut 0.7% dhe nuk u kualifikuan. Me 3.34% të votave listat shqiptare siguruan 2 mandate, kurse sikur të kishin edhe votat e pakualifikuara, do kishin 3.49% të votave dhe kështu edhe një mandat me shumë, pra 3 mandate gjithsejt. Pikërisht ky mandat i humbur për arsye të përçarjes së votave shqiptare, i shkoi listës pro serbe të Frontit demokratik që siguroi 20 mandate. Madje, 500 vota (nga 531 vota të ALEANCËS RINORE SHQIPTARE) do mjaftonin që listat shqiptare të fitonin mandatin e tretë.

Në sistemet e mëparshme zgjedhore (para vitit 2012) shqiptarët kanë patur zona zgjedhore ku zgjidhnin një numër të caktuar deputetësh me formulën D’Hondt, madje në zgjedhjet e viteve 1998, 2001, 2002, 2006 dhe 2009 ligji mbi zgjedhjet i favorizonte subjektet politike shqiptare deri aty sa votat që fitonin jashtë zonës zgjedhore ku ata zgjidhnin 4 apo 5 deputetë, u llogariteshin sikur ti kishin fituar brenda asaj zone, duke mos humbur asnjë votë në ndarjen e mandateve. Tabela e mëposhtme paraqet votat dhe mandatet për listat shqiptare duke filluar nga zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi që nga viti 1992. Kolona e fundit paraqet numrin e mandateve të humbura sikur votat e listave shqiptare të mos kishin qënë të ndara, duke respektuar sistemin zgjedhor të asaj kohe.

Simboli ‘ – ‘ tek tabela e mësipërme (kolona e mandative) nënkupton që lista nuk e ka kaluar pragun elektoral. Në zgjedhjet e viteve 2016 dhe 2012 (siç u përmend më sipër) listat e LDSH dhe ARSH nuk e kaluan pragun elektoral 0.7%, respektivisht. Kurse në zgjedhjet e vitit 1992 kishte vetëm një listë shqiptare e cila nuk e kaloi pragun zgjedhor prej 4% të votuesve në nivel të Malit të Zi dhe kështu partia e vetme shqiptare e asaj kohe mbeti pa përfaqësim në parlamentin malazez.

Vlen të theksohet se në vitin 2006, në zgjedhjet e para pas pavarësisë së Malit të Zi ndarja e votave u kushtoi një mandat subjekteve politike shqiptare dhe pikërisht ky mandat shkoi për koalicionin e Gjukanoviqit i cili siguroi 41 deputetë nga 81 gjithësej, pra mazhorancën absolute, në sajë të ndarjes së votës të shqiptarëve.

Shënim: Të dhënat jane marrë nga faqja zyrtare të Komisionit shtetëror zgjedhor të Malit të Zi dhe nga faqja zyrtare Institutit të statistikave të Malit të Zi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.