Ligji mbi rajonet si projekt centralizues i oligarkisë

Postuar në 13 Gusht, 2020 15:21
Romeo Gurakuqi

 

Në rrjedhën e viteve 1913- 1914, Ismail Qemali pas përvojave destabilizuese në kohën kur ai ishte kryetar i qeverisë së parë të pavarur dhe më pas kur vëzhgonte me shqetësim se si hordhitë filo-osmane po godisnin Principatën e Shqipërisë të Mbretit legjitim Wilhelm von Wied, pat hedhur idenë e kantonizimit të shtetit të sapoformuem. Ismail Qemali i përmbahej idesë se mund të arrihej një marrëveshjeje e mirë brendashqiptare, për një lloj autonomie lokale të krahinave në një shtet, që do qeverisej nga një qeveri qendrore patriotësh. Veriu, Qendra dhe Jugu, për shkak të veçantive kulturore, mund të administroheshin me efektivitet në qoftë se vendoseshin nën qeverisje të ndara, secila krahinë e administruar nga një përfaqësues i komuniteteve mbizotëruese të krahinës. Princi dhe qeveria e tij do të ishte suzeren mbi të gjitha këto njësi. Mbi krahinat nuk duhej të vendosej një sistem i taksave të drejtpërdrejta. Mund të krijohej një rezervë e mjaftueshme financiare për pushtetin qendror, nëpërmjet një sistemi të ndarë mirë të taksave jo të drejtpërdrejta. Princi duhej ta ushtronte pushtetin qeverisës përmes një kryeministri, mbase europian, ndërsa këshilltarët vendës duhej të vendoseshin mbi interesat e palëve religjioze dhe krahinore. (Shih: NA/FO/371/1895/27000, Sir M. de Bunsen to Sir Edward Grey, Vienna, June 12, 1914).

Projektideja e kantonizimit, shumë e përparuar dhe demokratike për kohën, e plakut të mençur të Vlorës, synonte rritjen e autonomisë vendore për të ndihmuar më pas në liri rritjen e kohezionit të brendshëm shtetëror, për të shmangur që pushtetarë shpirtvegjël dhe shpirtkazmë nga ky vend i deformuar nga otomanët të krijonin përçarje, duke kryer persekutime ndaj krahinave të veçanta nisur nga interesa korruptive dhe paragjykime kulturore. Mirëpo, rrethanat e Luftës së Parë Botërore jo vetëm shkatërruan projektet administrative të themelonjësit, por edhe vetë kryeprojektin, mbretninë e parë kushtetuese në anët tona. Rithemeluesit, në dhjetor 1918, në Durrës, dhe në janar 1920, në Lushnjë, në rindërtim ndoqën linjat e shtetit unitar, duke njohur liritë e komuniteteve, respektuar me rigorozitet albanianizmin si ideologji nacionale, kushtetutshmërinë, shekullarizimin dhe konventat e një qeverisjeje të balancuar kulturalisht dhe krahinarisht të elitës së prejardhur nga çdo krahinë e vendit dhe para së gjithash nga qytetet me histori, traditë dhe shkolla. Për rrjedhojë, që nga ajo kohë, regjionalizimi i administrimit të vendit, d.m.th., kantonizimi i modelit konfederativ si mënyrë për të qeverisur komunitetet e një kombi të penguar në rrugën e vet të zhvillimit, u la mënjanë. Edhe Mbreti Zog ndoqi rrugën e centralizimit dhe ndërtimit të pushteteve të balancueme krahinarisht dhe kulturalisht, duke qenë vetë përgjithësisht një garant i zhvillimit. Mirëpo, diktatura zhbëri të gjithë punën pararendëse balancuese dhe integruese, duke imponuar me dhunë dhe terror sundimin e disa familjeve me prejardhje kryesisht nga një krahinë partizanësh prej Jugut të Shqipërisë, me pak varësi servitore të shpërndara gjithandej në territor. 30 vitet e tranzicionit kanë qenë të pamjaftueshme për klasën politike, me e rikonceptue ma drejt Shqipërinë, në mënyrë që me e ndihmue popullin e dalë nga disa shtypje të njëpasnjëshme, me e rikapë fillin e vet të zhvillimit modern.

Kështu, mbërrijmë gradualisht në “Epokën e Edi Reformatorit”. Siç e kujtojmë, erdhi me fjalë dhe ide të mëdha, por gradualisht e bani Shqipninë lamsh, njëlloj sikur kishte ba çdonjërin prej “specialiteteve” të tij të paçueme deri në fund. Në vitin 2015, pa dëgjuar asnjë prej oponentëve të shoqërisë civile, ndërtoi një hartë administrative antikombëtare, që kënaqte pasionet e Taulantit, Gramozit, Tërmetit, Koços, Erionave, Alketit, Damianit, Benit dhe çdo ishkooperativisti tjetër, të sjellë nga skutat e socializmit në kryeqendër, për ta ruralizuar qeverisjen dhe ndërrue ftyrën origjinale të Tiranës.

Lamshi administrativ i vitit 2015 u shoqnu menjëherë me politikën agresive të shpërndarjes disproporcionale në investime mes bashkive me mbizotërim socialist në jug të Shkumbinit, kundrejt pjesës veriore të vendit, lanun nën mëshirën e bandave të Rilindjes, të cilave nuk guxojnë t’u afrohen dot në rrezen e aktivitetit kriminal, asnjë prej ministrave të brendshëm me kapela dhe spaleta të shtrenjta. Kështu, nga viti 2013 deri në vitin 2019, qeveritë rilindëse krijuan një mekanizëm të paskrupullt diferencues në shpërndarjen e investimeve shtetërore mes bashkive të Veriut dhe pjesës së vendit të administruem nga njerëzit e Edi Ramës, duke dërrmuar pikërisht zhvillimin e njësuar ekonomik të rajoneve dhe kohezionin territorial, që sot paskan vendos me e vu në qendër të vëmendjes dhe kujdesit qeveritar. Sipas statistikave të Ministrisë të Financave (financatvendore.al), fondet e alokuara nga FRZH-ja, që administrohet nga qeveria përmes ministrave të përfshirë në bordin e alokimeve, janë si më poshtë: për vitin 2014, Shkodra, Kukësi, Lezha dhe Dibra të marra së bashku morën rreth 200000 milionë lekë më pak se Berati, 350000 milionë lekë më pak se Korça, 300000 milionë më pak se Fieri, afërsisht sa Gjirokastra etj. Në vitin 2015, Shkodra mori 1/7 e fondit të Durrësit, 1/18 e Fierit, 1/8 e Elbasanit, 1/12 e Korçës, ¼ e Vlorës dhe 1/5 e Gjirokastrës. Ndërkohë, Kukësi ruajti shifrën zero për investime.

Në vitin 2016, Shkodra mori më pak se gjysmën e fondeve të Durrësit, 1/3 e Fierit, afërsisht 1/3 e Korçës dhe ½ e Gjirokastrës. Bashkia Shkodër, për vitin 2016 është përfituese e vetëm 0.5% të buxhetit të Fondit të Zhvillimit Rajoneve; për vitin 2017 është përfituese me 0.1% të fondeve. Gjatë viteve 2014- 2016, fondet me burim instrumentet shtetërore të zhvillimit krahinorë për Shkodrën ishin me një vlerë krejt të papërfillshme, krahasuar me totalin e shpërndarë për gjithë Shqipërinë: Përqindja e investimit mbi totalin e FZHR: (për vitin 2014)=0.4%; ( për vitin 2015) =0.6%; (për vitin 2016) =0.4%;( Janar–Mars 2017) =1.3%. Financimet sipas qarqeve gjatë vitit 2017 kanë qenë: Shkodra (6.5 %), Lezha (3.5 %), Dibra (2.6 %), Kukësi (0.8 %), Korça (16.0 ), Fieri (14.8 %), Durrësi (9.0 %), Elbasani (8.0 %), Vlora (7.5%). Situata është rënduar gjatë viteve 2018-2019. Ndërkohë, në Bashkitë Belsh, Librazhd apo Selenicë etj., (bashki me një popullsi që nuk i kalon 35000 banorë) niveli i investimeve vjetore të qeverisë është ku e ku më i lartë se investimet në Shkodër. Kjo sjellje diskriminuese e qeverisë aktuale të Zonës së Parë dhe e mercenarëve të tyre e ka dërrmuar situatën ekonomike, sociale, cilësinë e jetës dhe perspektivën në anët tona, ka detyruar boshatisjen e përditshme në përmasa të atilla, sa trashëgimtarët e familjeve shkodrane, që themeluan Shqipninë politikisht dhe kulturalisht, nuk jetojnë më në vendlindje. Pra, atë që nuk e bënë pushtuesit për shekuj ndaj albanëve, në heshtje dhe më mënyrë vrastare po e kryejnë në tranzicionin e pafundmë kaotik bijtë e rilindur të familjeve, që sunduan për 50 vite Shqipninë dhe vartësit e tyre të kamufluar. Shndërrimi i Shkodrës në një hapësirë ku dhuna e injorancës dhe e hajdutërisë prevalon mbi dijen, qytetarinë, lirinë, vllazninë dhe të ardhmen europianiste është produkt i një kombinacioni të kahershëm, që socialistët e vulosën.

Dhe vijmë sot, në gushtin e 2020-ës, 7 vjet nga fillimi i politikave të diferencueme zhvillimore dhe 5 vjet nga Reforma e Përçarjes Kombëtare, kur pritej një reflektim dhe pendim nga ana e damtorëve të Republikës për politika kompensuese në investime dhe korrigjim të hartës territoriale dhe administrative dhe një Kod i ri Zgjedhor që do të përcaktonte me ligj përfaqësinë e komuniteteve dhe krahinave, kontrollorët e shtetit thelluan diferencimet në trajtim ndaj popullit që qeverisin. Në seancat e fundit të Parlamentit të cunguar, rilindësit, tanimë të vetmuar, aprovuan një ligj për Zhvillimin e Qëndrueshëm Rajonal dhe Kohezionin Territorial. Në publik, çuditërisht, ky ligj i ri u perceptua si një projekt për regjionalizimin apo kantonizimin e Shqipërisë. Në fakt, nga leximi i kujdesshëm i përmbajtjes së tij, mund ta konsiderojmë një ndërhyrje të ndryshme nga regjionalizimi, që ka synime që shkojnë përkundër autonomisë vendore, gjegjësisht me synime centralizuese, kontrolluese në mënyrë të skajshme të veprimit autonom të institucioneve të zgjedhura periferike në aspektin e investimeve.

Na rezulton se legjislatorët kanë menduar të ndërtojnë një strukturë të re burokratike për kontrollin dhe shpërndarjen e parasë, krejtësisht të panevojshme dhe të tepërt për një shtet të varfër si yni. Në fakt, i gjithë synimi i projektuesve mund të realizohej vetëm nga një departament i veçantë konsultativ për zhvillimin e qëndrueshëm rajonal dhe kohezionin territorial, që mund të ngrihej pranë zyrës së Kryeministrit. Ai departament mund ta ndihmonte një kryeministër vërtet vullnetmirë dhe patriot nesër, për të kuptuar nevojat kompensuese në aspektin zhvillimor mes qarqeve, bashkive dhe krahinave të një vendi, që ka nevojë për më shumë, liri, dashuri dhe bashkim arbnorësh të laicizuar në sferën publike. Por, reformatori i turbullt nuk mund të rrijë pa shpikur ngatërresa mes shqiptarëve dhe pa e përçudnuar në mënyrë permanente kuadrin kushtetues. Dhe ai, në vend të një zyre orientuese, studimore dhe këshilluese, krijoi me ligj një strukturë të re, të stërmadhe dhe të ndërlikuar, me objektiv suprimin me djallëzi të autonomisë vendore në aspektin e investimeve, për të kontrolluar çdo centim paraje që hyn vertikalisht nga partnerët për pushtetin vendor. Kështu, mbasi e kanë përçarë Shqipërinë administrativisht, kulturalisht edhe më shumë se etërit e tyre, kanë krijuar depresion të gjithanshëm, mendjet e përçudnuara që frymëzojnë dhe komandojnë kokën e trazuar të Kryeministrit që nuk di të qëndrojë në zyrën e marrë me forcë, kanë shpikur një mekanizëm, që në thelb shkel Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Vendore të Këshillit të Europës dhe i heq pushtetit lokal të drejtën për të ushtruar kompetencat e veta në hapësirën brenda juridiksionit të caktuar e të njohura nga Kushtetuta. Pra, kemi të bëjmë me dhunim të funksioneve vetëqeverisëse, marrjen e kompetencave të pushtetit vendor në fushën e investimeve, gjë që është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Pyetja që bëhet është kjo: A është autonomia vendore, baza e decentralizmit dhe pse ndërhyn qeveria për ta marrë një pjesë esenciale të veprimtarisë së organeve të zgjedhura demokratikisht? Përgjigjja është e thjeshtë: Ditën që kemi pranuar të qeverisemi nga një Kryeministër që dhunon Kushtetutën, shkrin Gjykatën Kushtetuese, zhbalancon Republikën dhe përçan popullin, shkatërron pa e rindërtuar sistemin e drejtësisë, shërbimin diplomatik, “duhet të pranojmë” më të paktën që ka bërë deri më tani: skemën me rajone të administrimit të investimeve. Shpikja e tij e re nuk është asgjë tjetër, veçse një hap ma tej në projektin e prishjes së rendit normal të administrimit të Shqipërisë. Sinjalet u dhanë me heqjen e drejtorive rajonale nga kryeqendrat historike, si për shembull Shkodra dhe zhvendosjen e tyre drejt qyteteve të vogla dhe tanimë të ruralizuara si Lezha. Ndërsa rajonet e zhvillimit të shpikura me ligjin e ri nuk janë njësi administrative në kuptim të legjislacionit në fuqi për vetëqeverisjen vendore, por instrumente që ndërton Kryeministri për të realizuar “ndërhyrjen e integruar në territor” të qeverisë, me synim kinse zhvillimin rajonal dhe kohezionin mes rajoneve në një shtet.

unitar. Rajonet e Edi Ramës nuk janë konceptuar si kantone të strukturuara me institucione vendore të zgjedhura demokratikisht, që do të shërbenin për të njohur të drejtat komunitare dhe krahinore të popullsive të persekutuara nga pushtetet e keqpërdorura nga shumicat e prapambetura, siç e mendonte dikur Ismail Qemali. Jo! Rajonet, që do të përkufizojë në ditët e ardhshme qeveria e Rilindjes, do të jenë krijesa territoriale artificiale, të përkufizuara prej mendjeve noprane, zgrapcave të oligarkisë, që qëndrojnë në Kunorën e Tiranës, të gatshëm me përvetësu, suprimu edhe ma të fundmen hapësirë të mbetun pa u vjedhë: pushtetin autonom vendor. Sipas ligjit të ri, territori i Republikës së Shqipërisë do të ndahet në katër rajone zhvillimi, ndarja e të cilave realizohet jo mbi bazën e veçantive historike dhe nevojave të respektimit të të drejtave komunitare, por mbi bazën e mendjes së ministrave dhe Kryeministrit ditën kur t’i vijnë radha me u marrë me këtë ngatërresë të re të brendshme. Synimet e këtij ligji arsyetohen me nevojën e zhvillimit të qëndrueshëm e të ekuilibruar shoqëror dhe ekonomik, kohezionit territorial të Republikës, reduktimin e pabarazive ndërmjet dhe brenda rajoneve të zhvillimit, përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët, për gjasme ruajtjen dhe forcimin e identitetit specifik të rajonit të zhvillimit.

Tallja nuk paska fund në një vend ku politika bahet prej kalangërçëve: D.m.th., i bie që pasi 7 vite me radhë ka kryer diskriminim krahinor sistematik ndaj Shqipnisë së Veriut, ka thyer betimin mbi Kushtetutë dhe ka ndërmarrë përçarje të heshtun, tani angazhohet për korrigjim dhe unifikim, jo përmes shpërndarjes proporcionale, por përmes një kontrolli edhe ma të fuqishëm prej qeverisë. Ky është reflektimi që arrin të realizojë Kryeministri i Shqipërisë dhe rrethi i tij grabitës i lirive dhe pasurive të një populli të varfnuem në skaj. Ai madje krijon një mekanizëm të stërholluar për të marrë nën kontroll kompetencat e dhëna pushtetit vendor. Parimet e përcaktuar në ligjin nr. 102/ 2020 synojnë haptazi pjesëmarrjen, bashkëvendimmarrjen dhe bashkëpërgjegjësinë e enteve publike, që varen nga pushteti qendror me pushtetin e zgjedhur dhe autonom krahinor. Edhe parimi i subsidiaritetit, në delegimin e proceseve të planifikimit dhe zbatimit të politikës rajonale në nivelin qeverisës më të ulët lexohet sipas mënyrës se si Edi Rama lexon gjithçka nga realiteti shqiptar. Aspak me syrin e Nolit, Konicës, Mjedës dhe Fishtës, por me mendjen e atyre, që po zënë Palasën, Dhërmiun, Bregun në tërësi, Rodonin, Talen, Rrjollin, Velipojën dhe po derdhin shikimin ndër Alpe.

Për çfarë komunitetesh bën fjalë hartuesi i legjislacionit, në një kohë kur otomanistët e tranzicionit kanë fshirë kufijtë historikë të komuniteteve të formuara në shekuj në pikëpamje të ndarjes territoriale dhe kur komunitetet nuk përfaqësohen në Parlament për shkak se ligji i derisotëm dhe Kodi i ri Zgjedhor nuk i parashikon se ekzistojnë. Kohezion nuk është mohimi i të drejtave, por njohja, afirmimi me kuadër ligjor i lirisë zhvillimore dhe i përfaqësisë. Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin do të jetë një institucion i ri, që i ngarkohet burokracisë së mbarsur nga rilindësit, për të suprimuar të drejtat vetëqeverisëse dhe përfaqësuese të komuniteteve, për të kontrolluar pushtetin vendor, fondet që vijnë ndër bashki drejtpërdrejt nga organizmat ndërkombëtarë. Dhe e gjithë politika e zhvillimit të rajoneve do t’i lihet mendjes së zv. kryeministrit të radhës, i cili do të drejtojë të ashtuquajturin “Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin”, që do të krijohet nga Këshilli i Ministrave. Këtij institucioni më pas i shtohen bordet rajonale të monitorimit, që promovojnë interesat e rajoneve të zhvillimit dhe veprojnë si një organ i përbashkët i njësive t¸ vetëqeverisjes vendore të rajonit të zhvillimit.

Si përfundim, ligji mbi rajonet duhet të lexohet dhe të kuptohet në vazhdën e politikave centralizuese të Kryeministrit aktual, si pjesë e antikushtetutshmërisë së të gjithë veprimtarisë së tij dhe synimeve të padronëve të rinj për akaparimin e çdo pjesëze të lënë pa zot në territor. Për fat të keq, kjo ndodh në një kohë kur Shqipëria është në udhëkryq historik dhe aleatët perëndimorë do të duhej të kishin një ekspertizë më të mirë për ta pastruar dhe drejtuar pemën e shtrembëruar keqas të shtetit kandidat për në Europën e Bashkuar.

Burimi: Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.