Lapsus, apo e vërtetë? Incidenca e CoVid-19 në Shqipëri, 214.9/100 mijë banorë?
Sot gazeta Corriere della Sera raportonte mbi vendimin e Italisë për të shtyrë afatin e hyrjes së shtetasve jashtë hapësirës BE në vend për shkak të situatës së pandemisë. Në raportimin e vet, gazeta italiane përcillte argumentimin e Romës zyrtare duke u bazuar në incidencën e sëmundjes në vendet e rajonit tonë, ndonëse aty Shqipëria nuk përfshihej në statistikë.
Sipas këtyre të dhënave incidenca e sëmundjes paraqitet si më poshtë:
- Kosovë 65.9 të infektuar për 100 mijë banorë
- Serbi 65.9 të infektuar për 100 mijë banorë
- Mali i Zi 163 të infektuar për 100 mijë banorë
- Bosnja 130 të infektuar për 100 mijë banorë
- M. e Veriut 88 të infektuar për 100 mijë banorë
Po Shqipëria?
Vendi ynë, më saktë Instituti i Shëndetit Publik ka nisur të raportojë incidencën javore të paktën që nga java e kaluar. Konkretisht më datën 3 gusht, ISHP raportonte se:
Java që sapo lamë paraqiti një shtim me 5.9% të numrit të rasteve pozitive krahasuar me numrin e javës së 30-të. Incidenca 7-ditore rezultoi 24.66 raste pozitive për 100 mijë banorë.
Pra kemi një incidencë 3 herë më të ulët sesa Kosova apo Serbia dhe kjo bën sens nisur nga gjurmimi epidemiologjik zyrtar që flet për testimin dhe të prekurit. Mirëpo sot, ISHP ka deklaruar se incidence e sëmundjes në vendin tonë është 214 të prekur për 100 mijë banorë.
Gjatë javës që lamë pas është vënë re një rritje e numrit të rasteve të konfirmuara dhe e numrit të testimeve për 1000 banorë. Incidenca e sëmundjes në Shqipëri deri në javën që lamë pas është 214.9 raste për 100 mijë banorë
Kjo është një shifër 10-fish më e lartë gati dhe tejkalon edhe Malin e Zi, duke e kthyer vendin tonë në pikën më kritike epidemiologjike të Ballkanit sipas raportiit zyrtar. Puna është se ky mund të jetë një lapsus, por në kushtet kur ka mjekë që thonë se numri i të prekurve është 2-3 herë më i lartë nga raportimi zyrtar, atëherë vështirë se kjo do të pranohet si gabim shpejtësie. Nëse shifra është e vërtetë, atëherë jemi në kushte alarmi të vërtetë të cilin nuk po perceptojmë mirë si shoqëri dhe vendimi i Italisë është tërësisht i përligjur, edhe pse siç u njoftua, Greqia, p.sh që është vend i BE-së ka lejuar kalimin e shqiptarëve pas disa ditësh me kushtin e testimit paraprak.
Në çdo rast ISHP detyrohet një sqarim të mirëfilltë për incidencën e sëmundjes pasi është pak e çuditshme që të kemi këtë shumëfishim për një javë.
s.zaimi
Add new comment