Copat magjike të Facebook

Postuar në 17 Korrik, 2020 15:09

Rruga e Kurveleshit është gati. Ose më saktë rruga e Salarisë që çon turistin, a qytetarin në shtëpinë muze të Selam Musait. Rruga ka edhe funksione turistike thotë kryeministri, sepse sipas tij kështu “zbulohet një copë magjike Shqipërie”. Kjo copë magjike është në shpinë të Tepelenës dhe i shtohet copave të tjera magjike dhe perlave që nuk kanë të sosur në këtë vend.

Pak ditë më parë, kryeministri i vendit reklamonte pamje nga mali – edhe ky patjetër magjik – i Çajupit ku syri të shihte lëndina dhe bagëti.

Me disa foto rutinë dhe një status kryeministri të thotë: shko o shqiptar ta njohësh vendin tënd se është kaq i bukur.

Puna është se a është ky vend yni? Kush shkon sot në Lunxherinë që propagandon z. Rama gjen vetëm një grumbull rrënojash nga Dhoksati në Saraqinishtë. Shtëpi të braktisura, një humbëtirë njerëzore, një braktisje e pakthyeshme, një heshtje e plotë mbi një krahinë që namin e ka të madh. 5500 banorë në 1990 për 12 fshatra. Sot p.sh Qestorati, fshati i Koto Hoxhit, mund të ketë 10 banorë. Rruga shkon, por ajo rrugë takon me një fantazmë që qëndron pa folur në ballkonin përballë Gjirokastrës.

Po Përmeti si rreth? Tërësisht bosh, tërësisht i lënë pas dore me rrugë pa rrugë e ku lidhja me Kolonjën të fut nëpër disa rrëpira e kthesa që të kujtojnë prag migrimin e 1990-ës. Kolonja vetë është thuajse një hapësirë boshe, ku rruga gjarpëron pyjeve e lëndinave pa të zënë syri kund një njeri. Me fshatra që kanë histori kryelartë, por sot nuk kanë kujt t’ia thonë. E megjithatë rruga shkon në të gjitha këto zona. Por këto copëza magjike po zhyten përherë e më shumë në harresën e kohës, që e sjell ikja pa kthim. Braktisja që sfidon dhe shpërfill çdo propagandë bajate. Dhe kaq hipokrite. Kjo është Shqipëria që krijuan brezat e mëparshëm, por atë Shqipëri nuk e kërkon më kush, veç propagandës, nostalgjisë dhe një turizmi të sforcuar që ecën pas parimit: shiko diçka që nuk e ke parë më parë.

Ajo Shqipëri nuk ekziston më, ajo as nuk rikthehet më, as me rrugë e as me festa zyrtare. Ajo Shqipëri nuk e gëzon dot veten as pse doli në Facebook e të Madhit që është bërë thiatroja e mbarë vendit.

Nuk rikthehet sepse shtëpia në fshat, zakonet, kujtimet, kthimi do terezi dhe ekonomi. Dhe njerëz si ky thiatroja nuk e lënë këtë vend të krijojë as terezi e as ekonomi. Atë e kanë vetëm njerëz pranë këtij, që duan gjithçka. Të jenë bregas, luxhiotë, përmetarë, kolonjarë, sipas projektit që mund të orientojnë. Dhe nuk kthehet edhe për shkak të një process fatzi për Jugun e Shqipërisë që aq mirë është përshkruar nga studiuesi i ndarë nga jeta tashmë, Robert Elsie: Për 30 vjet do duan të gjithë të flasin si tiranas!

Drama e kurbetit tashmë është shpirtërore: të gjithë kanë marrë torbën e në Tiranë, një vend që e asgjëson shqiptarin me cilësimet e tij. E imagjinoni dramën e një vendi ku të gjithë të duan të flasin si thiatroja apo Lali Eri?

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.