Loja shqiptare: Një ambasadë, një reformë, një kryeministër, opozita, një media dhe...populli
Kryeministri i vendit Edi Rama ndau me Top-Channel sqarimin e vet se nuk i kishte propozuar Lulzim Bashës pazarin kryeministër ai, president për vete. Me një inskenim fare bajat, kryeministri nuk mendoi të shkruante apo fliste në vetë të parë, qoftë edhe në ERTV, por zgjodhi një media të preferuar. Të njëjtën gjë bën sot ambasada amerikane në Tiranë, që përmes burimeve anonime që merren vesh kush janë, njofton popullin përmes këtij televizioni se:
Marrëveshja e 5 qershorit të miratohet siç është
Madje ky televizion e quan marrëveshjen e 5 qershorit, “fitorja e parë diplomatike e Yuri Kim si ambasadore në Shqipëri”, ndërkohë që shton se “dakordësia e dhënë nga Edi Rama një ditë më parë për ndryshime kushtetuese, mbetet pa “bekimin” amerikan për momentin”.
Një media që ka burime të këtij niveli raporton, por edhe sqaron më tej. Përndryshe lind dyshimi se ose është e paaftë, ose është pjesë e lojës. Ka tanimë disa zëra që Rama nuk i ka punët mirë me aktorët ndërkombëtarë, apo dia prej tyre, por deri në momentin që flasim ne nuk e dimë nëse kjo kthesë e z. Rama lidhet me një interes të tijin elektoral, me një frikë nga koalicionet, apo me një manovër që synon të rregullojë imazhin e tij para qytetarëve kur teksa shpall mbështetjen për listat e hapura në fund “dorëzohet” para presionit amerikan dhe atij europian.
Ne kemi parë kthesa 180 gradëshe nga këta njerëz, kemi parë pazare që dëmtojnë interesat e mbarë vendit pa asnjë brerje ndërgjegjeje, ndaj nuk ka pse të befasohemi se kjo sjellje politike të jetë një truk. Dhe as nuk kemi pse ta përjashtojmë atë si opsion. Ajo që çudit këtu është prononcimi i ambasadës amerikane që jep direktivën se në Parlamentin shqiptar duhet të miratohet drafti i marrëveshjes së negociuar prej saj. Ndërkohë që vetë ambasadorja Kim, pak ditë më parë, deklaroi se pozicioni i SHBA në Shqipëri është mbështetës dhe jo komandues:
Shtetet e Bashkuara nuk janë sistemi gjyqësor. Dhe nëse këmbëngulni se jemi, e keni keqkuptuar projektin. Ne do t’ju mbështesim gjithmonë me gjithçka kemi. Por në fund të ditës, është vendi juaj. Nuk është vendi im
Deklaratë kjo për një reformë ku janë investuar edhe para të SHBA siç na është thënë dhe reformë e miratuar me urdhërin telefonik të drejtpërdrejtë të paraardhësit të zonjës Kim, Donald Lu në korrik të vitit 2015.
Është pak e vështirë të besohet se amerikanët do të heqin dorë kaq kollaj nga një investim i tyre në Shqipëri, një vend ku kanë kaq mbështetje popullore. Sikundër është e lexueshme të shihet se ambasada e tyre në Tiranë lejoi të përdorej si karrem teksa krijoi pritmërinë se reforma do të pastronte skenën politike të Shqipërisë, mbushur me hajdutë dhe kriminelë. Zonja Kim duket se po do t’i japë një format zyrtar prezencës amerikane në Tiranë duke bërë disa tërheqje, por ajo do të ishte një gabim që do i kushtonte shumë këtij vendi. Reforma zgjedhore, sikundër reforma në drejtësi do të mbeten në mes të rrugës pa sponosorit e huaj, edhe pse duhet thënë se të dyja këto drafte janë fatkeqësi për vendin. Por e keqja ka nisur rrugën tashmë.
ResPublica
Add new comment