Koronavirusi, dimë vetëm që nuk dimë Asgjë

Postuar në 19 Qershor, 2020 13:57

Ekspertët e mjekësisë duket se nuk kanë një përgjigje të qartë dhe bindëse për epideminë dhe sëmundshmërinë e provokuar nga koronavirusi.  Në krye të katër muajve nga shfaqja e virusit në formë epidemike, mendimet në vende të ndryshme nuk përkojnë.

Infeksionisti shqiptar, Pëllumb Pipero deklaronte sot në një intervistë me Abc News se rastet e shtuara nuk përbëjnë shqetësim, pasi sipas tij shqetësuese është shtimi i numrit të shtrimeve në spital. Kurba e Shqipërisë ka rezultuar atipike në raport me parashikimet, pasi nëse rastet e reja lidhen me hapjen, virulenca e virusit nuk duket të jetë ulur.

Numri i rasteve pozitive nuk na shqetëson por numri i shtuar i rasteve në spital dhe një pjesë e tyre në gjendje të rëndë na shqetëson, dhe na bën të analizojmë situatën dhe për të mundësuar kufizimin e mëtejshmë dhe mbajtjes nën kontroll të epidemisë në vend. Fakti që numri i rasteve pozitive në spital po pëson ulje-ngritje do të thotë se jemi në fazën që mund ta quajmë si “ngopje” të rezervuar dhe unë shpresoj fort që me kalimin e ditëve numri duhet të bjerë…Të gjithë kemi menduar, mbështetur në rrugën e transmetimit, ky është një virus respirator dhe si i tillë ka sezonalitet, transmetohet përmes spërklave, me vazhdimin në valë të gjatë kohe ulet virulenca me kushtin që të mos pësojë ndryshime gjenetike, ky virus nuk i ka respektuar këto ligjësi të një virusi respirator

Pra Pipero po pranon se përvoja shqiptare e epidemisë na thotë se virusi nuk është sezonal edhe pse ai klasifikohet si virus respirator. Si duhet formuluar atëherë politika shëndetësore në këtë kuadër? Si do të përgatitet vendi për sezonin e vjeshtës kur virusi mbivendoset me viruset e tjetër të gripit? Sa parashikohet të jetë kontigjenca e njerëzve që do kenë nevojë për shtrime, pasi këshillat për larje duarsh nuk duket se janë më të dobishme.

Nga ana tjetër, nga Italia, një vend i goditur rëndë nga epidemia, vijnë të tjera konstatime dhe vlerësime.

Kreu i Institutit të Kërkimeve Farmakologjike “Mario Negri”, Giuseppe Remuzzi thotë se ngarkesa virale e CoVid-19 është ulur. Sipas tij analizimi i të dhënave ditore nuk bën më sens, ndërkohë që të infektuarit e rinj duket se nuk po përcjellin më infeksione që shkaktojnë komplikime. Kemi dy vende me dy konkluzione të ndryshme. Sigurisht Italia është një vend me kapacitete të mëdha studimore dhe nga një pikëpamje teorike pohimet e Remuzzit duhen konsideruar si të bazuara në matje shkencore, ndërkohë që Pipero flet vetëm mbi përvojën klinike.

Nga ana tjetër, Kina ka deklaruar se shpërthimi epidemik në tregun e Pekinit, kosntatuar së fundmi ka origjinë virusale nga Europa. Shkencëtarët kinezë kanë dekoduar virusin e gjetur dhe e kanë raportuar atë pranë OBSh-së dhe për më tepër që ky varietet është më i vjetër sesa virusi që qarkullon aktualisht në Europë. Kjo e dhënë i shtohet konkluzioneve të reja nga Europa spas të cilave virusi ka qenë prezent në kontinent të paktën që në muajin dhjetor, që është diçka një muaj nga shpërthimi në Wuhan të Kinës.

Siç mund të shihet mjekët dhe planifikuesit e politikave shëndetësore po ecin në tym për një virus dhe një sëmundje që ende nuk e ka shfaqur mirë veten dhe forcën e vet. Kjo shihet sidomos në eksperimentimin live të medikamenteve mbi njerëzit. Të ashtuquajturat zbulime nga klinika të ndryshme konsistojnë në fakt në një kuadër medikamentesh antireumatike të cilat për një arsye apo një tjetër kanë dhënë efekte të kufizuara mbi kategori të caktuara pacientësh, por që mandej janë skualifikuar.

Dhe kjo kur ne ende nuk e dimë se çfarë na pret përpara.

Comments

Submitted by Fillestari (not verified) on

Megjithese ka akoma shume gjera qe nuk dihen (me te drejte thote keshtu artikulli), kontradiktat midis pikpamjeve te ndryshme nuk jane aq te medha.
Viruset jane praktikisht acide nukleike gjysme te zhveshura qe nuk mund te rezistojne gjate kur ekspozohen ndaj diellit, thatesise dhe temperaturave relativisht te larta. Dr Pipero (sic thote saktessiht edhe artikulli) eshte duke komentuar ne menyre empirike ("shpresojme qe te behet me mire") . Ndersa "ngarkesa virale" nuk eshte parameter fiks, por tregon pak a shume numrin e viruseve qe jane futur ne organizmin e pacientit te infektuar. Ne Itali dhe mbase ne vende te tjera te botes, kjo eshte krahasimisht e ulet, per shkak se akoma njerezit e trembur mbajne distancim social, dhe temperaturat mbase shkaterrojne shume kopje te vitusit qe transferohet nga nje pacient tek tjetri. Po ashtu ekziston edhe mundesia (qe nuk permended me shume) qe ne Itali virusi beri kerdine nder pacientet me te dobet dhe te infektuarit e tanishem mund te jene ne nje fare menyre me imune (nepermjet imunitetit qe vjen nga infeksione te mepareshme me viruse te tjera te ngashme, "cross-immunity") dhe nuk zhvillojne shenja qe te renda sa ato me pare.
Nje gje eshte e arsyeshme: nje vale e dyte nga vjeshta, ose edhe me heret, ka shume te ngjare te vije e forte, sidomos ne vende relativisht te paprekura si Shqiperia.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.