Refleksione mbi sëmundjen*

Postuar në 28 Mars, 2020 17:37
Giorgio Agamben - Filozof

 

Reflektimet që pasojnë këtu nuk kanë të bëjnë me epideminë, por me atë që mund të kuptojmë nga reagimi i njerëzve ndaj saj. Bëhet fjalë pra, për të reflektuar mbi lehtësinë me të cilën një shoqëri e tërë pranoi të ndjehet e infektuar/ndotur, të izolohet në shtëpi dhe të ndërpresë kushtet e saj normale të jetës, raportet e punës, të miqësisë, dashurisë e deri edhe bindjet e veta religjoze dhe politike.

Pse nuk pati, siç ishte megjithatë e mundshme të imagjinohej dhe siç ndodh zakonisht në raste të tilla, protesta dhe kundërshtime? Hipoteza që dua të sugjeroj është se në një farë mënyre, ndonëse pavetëdijshëm, sëmundja ishte tashmë mes nesh, ishte e qartë se kushtet e jetës së njerëzve ishin bërë të tilla, saqë mjaftoi një shenjë e papritur që ato të shfaqeshin për atë që ishin – pra të patolerueshme, tamam si një murtajë. Dhe kjo në një farë kuptimi, është e vetmja e dhënë pozitive që mund të nxirret nga situata e tanishme: është e mundshme që më vonë, njerëzit të nisin të pyesin nëse mënyra sesi jetohej ishte e drejtë.

Dhe ajo mbi të cilën duhet të reflektohet jo më pak është nevoja e religjonit që kjo situatë e vë në dukje. Një e dhënë është përdorimi - në diskutimin bombardues të mediave, sidomos kjo në shtypin amerikan - i terminologjisë së huazuar nga fjalori eskatologjik të cili i drejtohet në mënyrë obsesisve për të përshkruar dukurinë, dhe evokon shpesh tekstualisht fjalë “apokalips”, fundi i botës.

Është njësoj sikur nevoja fetare, të cilën Kisha nuk është më në gjendje ta përmbushë, të kërkojë me ngurim një tjetër tempull dhe ta gjente në atë që tashmë është bërë feja e kohës sonë: te shkenca.

Kjo, si çdo besim fetar mund të prodhojë supersticion dhe frikë, ose edhe të përdoret për t’u përhapur. Asnjëherë më parë nuk është dëshmuar si sot spektakli, tipik për besimet fetare në momentet e krizës, i mendimeve dhe përshkrimeve të ndryshme dhe kontradiktore që shkojnë nga pozicioni heretik i pakicës(ndonëse i përfaqësuar nga shkencëtarë me emër) i atyre që mohojnë gravitetin e dukurisë, në diskutimin ortodoks dominues që e pohon atë dhe kështu me radhë shpërhapet shpesh radikalisht sa i përket mënyrës sesi duhet përballuar. Dhe si përherë në raste të tilla, disa ekspertë apo të vetëquajtur të tillë ia dalin të na sigurojnë favoret e monarkut, që si në kohët e konflikteve fetare që ndanin botën kristiane, marrin krah sipas interesave të veta për një krah apo tjetrin dhe imponon masat që mendon vetë.

Një tjetër gjë që të bën të mendosh është rënia e çdo lloj bindjeje dhe besimi të përbashkët. Mund të thuhet se njerëzit nuk besojnë më në asgjë – përveç ekzistencës biologjike lakuriqe që  duhet shpëtuar me çdo çmim. Por mbi frikën e shpëtimit të jetës mund të themelohet vetëm një tirani, vetëm përbindëshi Leviatan me shpatën e nxjerrë nga milli.

Për këtë – sapo emergjenca, sëmundja do të deklarohet e përfunduar, nëse do të jetë ndonjëherë – nuk besoj se, të paktën për atë që ka ruajtur një minimum kthjelltësie, do të jetë e mundur të kthehet të jetojë si më parë. Dhe kjo është ndoshta sot gjëja më dëshpëruese – edhe pse siç kanë thënë “shpresa është bërë vetëm për ata që nuk kanë shpresë”.

Burimi: Quodlibet

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.