A duhet të punojnë arkitektët për regjime shtypëse? Rasti i Bjarke Ingels*

Postuar në 27 Janar, 2020 15:08
Oliver Wainwright - The Guardian

 

Udhëtime nën rrezet e diellit, pjata me ushqime deti dhe një helikopter që ulet në plazh për ta marrë. Në këtë mënyrë përshkruhet me foto në Instagram “arratisja” relaksuese në Brazil e arkitektit danez, Bjarke Ingels. Aventurat e tij në Amerikën Latine kanë zënë vendin e tyre në itinerarin e tij të shëtitjes së botës. Por ka një foto që ai nuk e ka pasur me shumë qejf ta ndajë me 730 000 ndjekësit e tij: ajo në të cilën ai shfaqet në krah të Jair Bolsonaros, presidenti i ekstremit të djathtë në Brazil, me buzëqeshjen jo të lehtë të një njeriu që sapo ka siguruar komisionin e tij të fundit të madh nga një tjetër despot i padenjë, në këtë rast ai që është mburrur se është "krenarisht" homofob.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Turizmit të Brazilit, Ingels shkoi në Brazil për të vizituar disa shtete dhe për të diskutuar strategjitë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në bregdetin e tij verilindor, në partneritet me Nômade Group, i cili së fundmi ndërtoi një vendpushim luksoz ekologjik në Tulum, rrënojat e një qyteti me mure të ndërtuara nga fiset maja në Meksikë.

"Është një model i zhvillimit të turizmit që nuk e zëvendëson pyllin ose rërën, por e forcon dhe e ruan atë. Është një alternativë shumë e mirëpritur për llojin e hoteleve me shumë kate që ndërtohen në plazhe në shumë vende", thotë Ingels në një bisedë telefonike nga Kili.

Një qasje e tillë ekologjike nuk duket se po përplaset me regjimin reaksionar të Bolsonaros. Që kur erdhi në pushtet janarin e kaluar, presidenti i Brazilit ka konfirmuar çdo frikë se ai do të ishte një "Trumpi i tropikëve". Ai ka vënë mohues të ndryshimit të klimës në poste të larta, ka hedhur poshtë statistikat e shpyllëzimit si lajme të rreme dhe shkarkoi drejtorin e institutit që ndërmori kërkimin. Vitin e kaluar, Amazona u përball me zjarret më të këqija të dekadës së fundit, por Bolsonaro e quajti zemërimin global për atë që po ndodhte, një rezultat mashtrimeve të medias. Ai ka thënë se do të pranonte më lehtë një djalë të vdekur sesa një homoseksual, duke e kundështuar ashpër atë që në Brazil njihet si “turizmi homoseksual” dhe qasja e tij ndaj abstinencës si bazë e edukimit seksual është krahasuar me "kthimin mbrapa 40 vjet".

Atëherë, çfarë bën Ingels, ky parashikues i vetëstiluar i një bote progresive liberale, me një figurë të tillë? "Jam i lumtur të ndaj idetë dhe idealet te të cilat unë besoj me çdo qeveri që shprehet e gatshme t’i dëgjojë ato", thotë ai, "veçanërisht nëse ata kanë besime të ndryshme. Nëse ka një përgjegjësi që vjen nga platforma krijuese që kemi krijuar, është që ta përdorim atë platformë për të ndryshuar botën për mirë.” Ai thotë se udhëheqësit politikë të shteteve veri-lindore të Brazilit që ka vizituar janë “nga ana tjetër e spektrit politik” të Bolsonaros, duke shtuar se përfundimisht "idetë e shkëlqyera tejkalojnë partitë politike".

Gjatë viteve të fundit, Ingels ka avancuar nga projektuesi i ri i djallëzuar i blloqeve të apartamenteve në formë malesh në periferi të Kopenhagës, te arkitekti i famshëm për disa nga korporatat më të mëdha në botë. Aktualisht 45 vjeç, ai kohët e fundit është shfaqur kudo, nga Hyperloop deri te ËeËork, dhe aktualisht është duke dizajnuar një zyrat e Google-it në Kaliforni. Po ashtu, është edhe projekti për qyteti e Toyota-s në Japoni, pikërisht nën malin Fuji. Por më i guximshmi nga të gjithë, më thotë ai, është masterplani për të cilin po punon tani për të gjithë Tokën – që mban përkohësisht emrin Masterplanet.

Statusi i tij si djalë i përkëdhelur i kompanive të mëdha teknologjike është ndoshta ajo që e bën atë edhe më tërheqës për një numër gjithnjë e më të mdah klientësh autokratë. Të dy llojet e padronëve kanë dëshirë të pangopur për të formësuar çdo aspekt të botës në vizionin e tyre, qoftë një e ardhme e automjeteve autonome, ose një botë ku shiu i Amazonës shihet si një "virgjëri" që duhet të "shfrytëzohet", siç e ka thënë vetë mohuesi i krizës së klimës, Bolsonaro.

BIG, shkurtesë për Bjarke Ingels Group, është gjithashtu e angazhuar në disa projekte të mëdha në Arabinë Saudite, përfshirë një qytet të ri turistik argëtues të quajtur Qiddiya, 45 km larg Rijadit, i cilësuar si "kryeqyteti i ri argëtimit"; ka edhe një projekt konfidencial që Ingels e quan "një ekosistem të krijuar nga njeriu që është aq afër një utopie sa njeriu guxon të imagjinojë”. A do të ishte kjo një utopi - në përputhje me ligjin Saudit – një shmangie për konsumin e alkoolit, prerja e dorës për hajdutët apo eliminimi pa gjyq për këdo që kritikon regjimin?

"Unë besoj sinqerisht se transformimi urbanistik i Arabisë Saudite në të cilin po marrim pjesë është pjesë e hapjes së një shtegu drejt një reforme të nevojshme sociale dhe kulturore të vendit," thotë Ingels për këtë projekt. Pas vrasjes nga shteti të gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018, ai thotë se zyra e tij e vuri në diskutim vijimin e projekteve (siç bëri Norman Foster), por vendosi që ata të mund të bënin më shumë mirë duke vazhduar angazhimin.

"Rruga drejt ndikimit etik si arkitekt është t’u propozojmë të ardhmen që duam kompanive dhe qeverive", thotë ai, "edhe nëse ato kanë pikëpamje të ndryshme. Ne duhet të përqafojmë dallimet tona nëse duam të krijojmë një të ardhme që është ndryshe."

Është e lehtë t’i hedhësh poshtë fjalët e tij si optimizëm naiv, si një TED Talk për diktatorët, por ai do të dalë diku - arkitektura dhe qytetet i tejkalojnë ideologjitë që i krijuan ato. Por ato gjithashtu forcojnë politikën e sponsorizuesve të tyre. Ingels nuk është aspak vetëm. Arkitekti francez Jean Nouvel është bërë i preferuari i monarkëve autokratikë të Gjirit, duke dizajnuar Louvre Abu Dhabi, Muzeun Kombëtar të Katarit dhe tani një resort luksoz në Arabinë Saudite. Ai në të kaluarën ka hedhur poshtë çështjen e të drejtave të njeriut si "një pyetje të vjetër", duke i bërë jehonë përgjigjes së të ndjerit Zaha Hadid, arkitekt i stadiumit në formën e vulvës në Katar për Kupën e Botës 2022. "Unë nuk kam asnjë lidhje me punëtorët," tha Hadid kur u kundërshtua për faktin se qindra punëtorë migrantë kishin vdekur në projektet e ndërtimit në Katar. "Unë mendoj se është një çështje që qeveria - nëse ka ndonjë problem - duhet ta zgjidhë. Nuk është detyra ime si arkitekt të merrem me këtë".

Arkitekti holandez Rem Koolhaas ishte po aq i sinqertë për punën e tij në Kinë, kur u pyet për ndërtimin e zyrave gjigante të Televizionit Qendror të Kinës, organit kryesor të propagandës shtetërore. "Një pozicion rezistence duket disi dekorativ," tha ai. "Më vete, ne mund të kemi qëllime të mira. Por ne nuk mund ta përfaqësojmë të mirën e publikut pa një entitet më të madh, siç është shteti”.

Duke zbuluar joshjen e regjimeve totalitare, ai shtoi: "Shumica e ne arkitektëve kemi nevojë për një sponsor të fortë."

Duke ndarë bindjen e Ingelsit se arkitektët mund të ndikojnë në ndryshimin nga brenda, Zhak Herzog e krahasoi punën e tij, Foleja e Zogjve - stadiumi Olimpik i Pekinit në vitin 2008 - me dizajnimin e një "kali Trojan". Ai i tha gazetës gjermane Der Spiegel se "vetëm një idiot" do ta kishte hedhur poshtë projektin mbi baza morale, duke shtuar se dizajni i firmës së tij krijon një hapësirë takimesh, larg mbikëqyrjes së qeverisë. 

Kjo është një temë e përsëritur. Sa herë hapet tema e etikës, shumica e arkitektëve që punojnë në klimë shtypëse besojnë se projektet e tyre mund të kapërcejnë abuzimet e regjimeve pritëse dhe do ta bëjnë jetën e përditshme pak më të mirë për njerëzit që jetojnë atje. Dilema është nëse duhet të bojkotoni apo të angazhoheni. A duhet të shmangë një arkitekt me qëllim të mirë bashkëpunimin me ndonjë sistem me të cilin nuk pajtohet - ose të shpresojë që kushtet e punëtorëve, ose liria e fjalës, të përmirësohen duke përdorur platformën e tyre për t’i ngritur këto çështje?

"Është thjesht retorikë sipërfaqësore", thotë Jeremy Till, dekani i shkollës së artit “Saint Martins” në Londër dhe autor i “Architecture Depend”, i cili ka nalizuar marrëdhëniet e kësaj disipline me paratë dhe pushtetin. "Ideja që një ndërtesë e vetme do të jetë emancipuese për një shtet të tërë totalitar është qesharake."

Kjo u përfshi në raportin e fundit të etikës të RIBA-s, i cili pohon një "angazhim të qartë" për vendosjen e interesit publik, qëllimit shoqëror dhe zhvillimit të qëndrueshëm në zemër të aktiviteteve të RIBA-s. Ai është veçanërisht kritik ndaj disa prej praktikave që kanë nënshkruar së fundmi manifestin Architects Declare, duke u zotuar të mbajnë të ulëta nivelet e karbonit dhe të promovojnë zhvillimin miqësor me mjedisin - ndërsa dizajnon edhe aeroporte. "Ka disa arkitektë që e heqin përgjegjësinë nga vetja", thotë ai. "Unë e kuptoj këtë - por atëherë ata nuk duhet të japin sinjalin e virtytit duke u bërë pjesë e këtyre marrëveshjeve".

Sa për bastisjen e fundit të Ingels në tropik, Till nuk ka shumë shpresë. "Është fantazi që duke bërë një projekt të bukur për miqësor me mjedisin në veri-lindje të Brazilit, do të shpëtoni kombin nga fashizmi."

Ingelsët ndryshojnë nga njëri-tjetri. "Gjërat do t’i shohim me kalimin e kohës", thotë ai. "Nuk e di nëse ne do të kemi sukses në sjelljen e ndryshimeve pozitive, ose të dalim me një alternativë të shkëlqyeshme për zhvillimet e deritanishme që kanë shkatërruar peizazhin dhe kanë përulur komunitetin lokal. Por e sigurt është se nuk do të kemi sukses nëse nuk përpiqemi. "

Përgatiti: Gazmira Sokoli/TvT

*Titulli origjinal: Dilema e despotit: a duhet të punojnë arkitektët për regjime shtypëse?

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.