Shtyrja e zgjedhjeve nuk mjafton. Shumica keqpërdor Arta Vorpsin, i drejtohet Venecias për betimin te noteri
Shumica socialiste kërkon më shumë kohë që të hetojë për shkeljet e presidentit të Republikës Ilir Meta. Ndonëse hetimi në këtë pikë konsiston vetëm në shqyrtim aktesh, Komisioni Hetimor nuk ndihet gati të bëjë një raport përfundimtar. Tallja me mbarë vendin në këtë pikë arrin kulmin me faktin se në objekt hetimi do përfshihet edhe situata e krijuar mes Presidentit dhe kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Dvorani në dekretimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. A thua se shkelja e madhe e shtyrjes së zgjedhjeve që na u trumbetua si puç shteti, nuk mjafton parimisht për të gjetur shkeljet e Presidentit. Në mënyrë fare absurde, Komisioni do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për mendim për procedurën e betimit të anëtarit të Gjykatës. Pyetjet janë:
1-A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, kur ai apo ajo në konsiderohen të emëruar. Në këtë rast a konsiderohet e cënuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?
2-Emërimi i një gjyqtari Kushtetues, tej afatit prekluziv 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të emëruar të miratuar nga KED a e cënon parimin e Gjykatës së krijuar me ligj, a ndikon kjo në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancinë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor. A bie ndesh kjo frymën e mekanizmave zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese ?
3-A është në përputhje me standardet më të mira zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin Kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet e emëruar ky gjyqtar?
4-Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim për të plotësuar kushtin e betimit për të filluar ushtrimin e detyrës në situatën kur konsiderohet i emëruar për efekt të ligjit?
5-Cilat mund të ishin zgjidhjet të standardeve më të mira për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin përkatës?
Pyetjet e vënë në pozitë qesharake dhe të keqpërdorur anëtaren e vetëbetuar Art Vorpsi, e cila mbetet me status të paqartë në raport me Gjykatën Kushtetuese. Presidenti refuzoi të organizonte ceremoninë e betimit dhe Vorpsi iu drejtua një noteri duke njoftuar se u betua. Ky vendim i saj u mbrojt me pathos nga pionerët e jurisprudencës socialiste anembanë vendit, duke lënë për të dyshuar nëse zonja Vorpsi ka vepruar vetëm apo është këshilluar të bëjë kështu në funksion të lëvizjeve politike.
Pak më vonë këtij zhvillimi, shumica depozitoi disa amendime të ligjit të Gjykatës Kushtetuese duke cilësuar aty se betimi mund të quhet i ligjshëm edhe nëse bëhet para një noteri dhe thjesht i njoftohet Presidentit, pasi i dorëzohet organit të emërtesës dhe organit ku merr mandatin.
Sot loja ndryshon sërish. Mazhoranca mendon se për këto amendime duhet pyetur Komisioni i Venecias. Por këtu duhet të pyesim: Mazhoranca di të bëjë ndonjë gjë vetë? Ka ndonjë mendim juridik të konsoliduar, ka këshilltarë, apo këtu kemi të bëjmë me një “lojë me president” që i intereson si formë krize kryeministrit? Çfarë po dëshiron të legjitimojë këtu shumica e cila është kapur në kurthin e veprimeve me forcë kartoni por që nuk ngjisin mirë në sistem?
Kush e di. E sigurtë është se kërkon kohë dhe të zvarrisë procese që po prodhojnë kosto të pariparueshme duke shpërdoruar karriera si ajo e zonjës Vorpsi. Dhe ta shkarkojë Ilir Metën ndoshta “me bulën e artë të Papatit” pasi vula e vet nuk vlen as për të certifikuar gjizën pa kripë.
Re.Pu
Add new comment