Nuk jemi gati as për t'u përballur me të tilla ngjarje, por as edhe për të informuar siç duhet

Postuar në 04 Dhjetor, 2019 15:16

Dikush i mburri reporterët shqiptarë për raportimin e tyre heroik gjatë ngjarjeve të tërmetit të 26 nëntorit. U vu në dukje përfshirja njerëzore e gazetarëve të terrenit, ndërkohë që edhe kryeministri Rama kërkoi që mediat të sintonohen me situatën. E vërteta është se gazetarëve nuk u kërkohet të shfaqen humanë sepse janë dëshmitarë. Dhe duhet ta bëjnë mirë dhe ftohtë atë që bëjnë. Dëshminë e tyre.

Tërmeti është një lloj ngjarjeje mediatike e cila në mediat jashtë vendit tentohet të paraqitet ndryshe duke vënë në përdorim të gjithë kapacitetet që ofron teknologjia. Që nga grafikët dinamikë, nga pamjet ilustruese te shpjegimi shterues për të duke përfshirë shkakun, vendndodhjen, tiplogjinë dhe atë që pason. 

I bëri media shqip këto? Jo. Kemi një raportim të copëzuar, kronika dëmesh, filmime “ekskluzive” çarjesh suvaje dhe intervista specialistësh në moshë të shtyrë që premtojnë se nuk ka më tërmet të tillë për ca kohë. Për ta krahasuar le të marrim një metër matës që është larg të qenit informim profesional, apo analogji e qëlluar, por është të paktën një lloj indeksi në bibliotekën e madhe online: Wikipedia.

Dikush është kujtuar të hedhë një material të zgjeruar për tërmetin e 26 nëntorit në këtë enciklopedi duke e ndarë përmbajtjen në këto kategori: Vendondodhja tektonike, Tërmeti, Pasgoditjet, Dëmet, Pastërmeti, Ndihma Ndërkombëtare. Për krijimin e artikullit janë shfrytëzuar 199 referenca mediatike nga të cilat mediat shqip zënë një përqindje të mekur.

Për t’u shënuar: çdo informacion për të dhënat sizmike apo edhe dëmet nuk referojnë institucionet shqiptare, e megjithatë nëse i krahason ato janë të sakta. Një element informues që është evidentuar më mirë është numri i pasgoditjeve deri në datën 1 dhjetor që kanë qenë mbi magnitudën 4. Kanë qenë 20 të tilla ndërkohë që ka patur dy pasgoditje me magnitudë mbi 5 shkalla Rihter.

Për krahasim, nga mediat shqip online, vetëm shqiptarja.com ndoqi praktikën e krijimit të rubrikave të dedikurara, por në to mund të gjesh informacione të fragmentarizuara, kronikën e ngjarjes, pa krijuar dot një ide të qartë. Kaosi informativ i mediave shqip ilustrohet edhe te fakti i përhapjes së lloj lloj thashethemeve dhe teorive ndërkohë që ka mbetur pa u mbuluar siç duhet situata e të dëmtuarve.

E thënë ndryshe kompleksiteti i një ngjarjeje si kjo i zuri në befasi të gjitha mediat të vëna përfund nga rutina dhe nevoja për të mbuluar çdo hollësi, ndërkohë që panorama e pëgjithshme nuk mund të shihet. Sot që flasim qeveria nuk dihet kur do të ketë një faturë, por një të tillë të përafërt, bazuar në numrin e godinave të shembura dhe dëmeve fizike e njerëzore, mediat jashtë patjetër që do të kishin publikuar.

Mbetet për t’u pyetur atëherë se mbi cilën premisë ndërtohet vlerësimi për heroizimin e reporterëve – apo dobinë e tij eventuale, kur në fakt ne edhe sot jemi të painformuar mirë për atë që ndodhi në shumë drejtime dhe kur edhe vetë ekspertët marrin guximin të flasin për gjëra për të cilat tani po hetohet. Është një gjë që dihej fare mirë, por ne thjesht morëm konfirmimin se NUK JEMI GATI as për të përballur tërmete apo ngjarje si kjo, por as për të informuar siç duhet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.