Pa median politikanët shqiptarë do të ishin çobenj

Postuar në 29 Nëntor, 2019 22:40
Gëzim Mekuli

 

Trillim apo realitet?
Mediat shqipe edhe në ketë zezëditë kanë filluar të gatuajnë ndodhi dhe lajme të pavlera e spektakolare, më shumë se informata dhe lajme të rëndësishme e të dobishme.

Lajmi i cili për popullin do të ishte lajm i dorës së dytë apo tretë, po lancohet sot si një lajm i rëndësisë së “veçantë dhe jetik”. Ky lajm shpesh po anashkalon dhe po “harron” tragjedinë, zinë, dhimbjen, problemet, varfërinë dhe telashet e këtij populli.
Ja disa lajme konkrete, që janë veçori tipike të këtij lloji të gazetarisë që po dominon në oborrin e mediave të pushtetit:

1. “Po vidhen ndihmat humanitare”!
2. “Polici vodhi ndihmat dhe i çoji ne shtepi»”
3. “Po shiten bataniet dedikuar të dëmtuarëve nga tërmeti”
4. “Po qan Edi Rama me lot!”

A zgjon interesim ky lloj lajmi për opinionin publik shqiptar?

Në krahasim me tragjedinë kolektive që ka goditur shiqptarët, siç janë: vdekja e familjarëve, plagosjet, rrënimi i shtëpive, papunësia, pamundësia materiale për jetën normale, pasiguria, mungesa e sigurimit shëndetësor, invalidor dhe pensional, këto lajme janë ofenduese dhe tallëse për kohën!

Kjo mënyrë e lansimit të “lajmeve” të padobishme, tallëse e spektakolare, nga ky lloj i grupit politik medial, nuk bëhen krejt pa qëllime. Vetëdija e opinionit publik, – sipas sjelljes së medias së pushtetit, - lë të kuptosh se, në Shqipërinë e sulmuar nga natyra e nga pushteti, ka nevojë për intervenime policore kundër delikuentëve, të cilët po «shesin batanije», dhe për psikologë për t’a trajtu Kryeministrin e mërzitur të Tiranës.

Në anën tjetër disa media shqipe, nuk kanë guximin, që në mënyrë objektive dhe të pavarur të kritikojnë, të debatojnë dhe të monitorizojnë rrjedhën e tragjedisë dhe të pastragjedis natyrore. Dëshirohet që mediat të citojnë, besnikërisht e masovikisht, pushtetin dhe vetëm pushtetin.

Këto media po relativizojnë problemet! Këto media po barazojnë «një batanije të vjedhur» me vjedhjen industriale të pushtetarëve. Këto media barazojnë «vjedhjen e një thesi me rroba të vjetra nga një polic i varfër» me krimin ekonomik të tri dekadave. 
Nuk ka gazetari hulumtuese për vjedhjen e minierave të Shqipërisë, nuk ka hulumtime për vjedhjen e Energjisë Elektrike, Telekomunikacionit, Aerotransportit. Nuk ka hulumtime për inxhinierët e korruptuar të ndërtimit me pushtetin. Nuk ka, nuk ka! Sepse s’ka gazetari, s’ka, s’ka, s’ka! 

Pushteti kërkon mbështetje nga mediat
Qeveria edhe në këto ditë të rënda po kërkon nga media mbështetje për perforcimin dhe sigurimin e pozitave të saja. Pazar me gjak! Tregëti me kufoma! Biznes me vdekjen! 

A është e mundur kjo? A bëhet kjo?

Bëhet, bëhet! Bëhet sepse pushteti po bën marrëveshje, herë të hapur e herë të fshehtë, me gazetarë e me media.
Është fjala për “mos-sulm” medial. Nëse media, ndonjëherë, nuk përkrahë, nuk prodhon e nuk lanson besnikërisht idetë, intereset dhe planet e pushtetit, traktati i mos-sulmit medial bëhet i pavlefshëm; Nga pushteti do të pasojnë sanksionet: Si për shembull në formën e thirrjeve telefonike, e-mailave, gjobave materiale, e deri edhe te kërcënimet me jetë dhe kërcnimet për mbylljen e medias. A nuk i kërcënoi Kryeministri i Tiranës mediat dhe «gazetarët rebel?» A nuk e burgosi gazetarën e shkretë, vetëm e vetëm për shkrimin e një fjalie në facebook?

Tashti shtrohet pyetja: A jemi ne publiku, ai që ndërmjetëson dhe përcakton temat ditore sociale, politike e të korrupcionit, apo janë politikat ato që përcaktojnë e kryejnë këtë ndërmjetësim?
“Mediat vendosin se cila temë do jetë temë diskutimi dhe cila do të tërheqë vëmendjen në opinion. Këto vendosin se cilës temë do t’i japin prioritet, e cilës jo”, kështu thonë McCombs dhe Shaw. Por në rastin tonë është pushteti, ky, i cili i ka blerë mediat, e përmes tyre edhe po përcakton temat e «rendësishme» në hpsirën publike, sikurse: «vjedhja e batanieve dhe vjedhjet e disa brekeve nga një polic i varfër shqiptar»!
Pra temat politike e temat korruptive, që vërehen shumë lehtë në opinioin publik, nuk bëhen temë diskutimi e nuk trajtohen në media. 

Pse disa tema e “probleme” të parëndësishme bëhen kryelajm e temë diskutimi në media? Çfarë është roli i mediave në këtë organizim? Hulumtojnë, përcaktojnë, ndihmojnë mediat apo janë thjesht shërbëtore të politikës? 
Teoria e McCombs dhe Shaw në shkencat e komunikimit njihet si “Agenda setting Theory”. Në Tiranë kjo teori e përcaktimit të temave në debatin publik është duke dominuar. Vendimet “demokratike” në Tiranë duket se nuk merren si rezultat i informacioneve dhe i fakteve të mjaftueshme, por si prodhimrezultat i “realiteteve” të cilat konsiderohen si “fakte”, sepse ato janë të paraqitura dhe të ofruara ashtu nga mediat e pushtetit. 
Shkurt e shqip: Pa ndihmën e mediave, shumica e politikanëve shqiptarë nuk do ishin politikanë, por çobanë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.