Ballkani mbahet larg Europës. Partneritet special në këmbim të tërheqjes së heshtur nga anëtarësimi
Mediat serbe po i kushtojnë vëmendje zhvillimeve që solli samiti i fundit i Bashkimit Europian, në të cilin doli në pah një qëndrim i fortë refuzues i Francës. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin dy viktimat e politikës franceze, por në një plan më afatgjatë, duket se opsioni që BE-ja të mos zgjerohet më tej qëndron në tavolinë.
Ndonëse aktualisht po fajësohet presidenti francez Macron, duhet thënë se edhe më herët, gjatë periudhës së qetë të BE-së është folur për Europën e dy shpejtësive duke vënë në dukje dallimet e mëdha mes Veriut dhe Jugut.
Ajo që po ndodh me Ballkanin zbulon një fakt që nuk pritej dhe parashikohej pak kohë më parë: ndarjen e dukshme dhe të formalizuar të Perëndimit. Aktualisht mund të flitet për një politikë europiane, gjermane, franceze dhe amerikane në rajonin tonë.
Lidhur me Kosovën dhe stabilizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë, ShBA ka politikë të vetën, edhe pse formalisht mbështet dialogun e mbikëqyrur nga BE. Gazeta serbe “Blic” shkruan se pala amerikane i kërkuar së fundmi Serbisë përmes të Dërguarit Special, Richard Grenell njohjen e Kosovës në këmbim të investimeve të kompanive të mëdha amerikane.
Sipas të njëjtës media, Grenell ka premtuar se ndihma ekonomike për të dyja vendet do të materializohej përmes një konference ndërkombëtare të posaçme. Oferta është refuzuar nga Beogradi zyrtar që kërkon konçesione territoriale në Kosovë.
Gazeta vë në dukje se amerikanët kanë ndryshuar taktikë lidhur me Kosovën duke hequr dorë nga ideja e ndarjes dhe demarkacionit. Ky ndryshim në fakt është reflektuar edhe në Prishtinë dhe Tiranë, ku askush nuk duket se mbështet një ide të tillë.
“Blic” e shpjegon qëndrimin amerikan përmes një burimi diplomatik sipas të cilit, ShBA do të nxisin BE-në që të arrijë diçka, të ulë palët në tavolinë dhe mandej Trump të prezantojë marëveshjen si punë të vetën.
Ai ka nevojë për spektakël
citon gazeta diplomatin në fjalë.
Qasje të tillë ndan për Ballkanin Perëndimor edhe presidenti francez, Macron. Në këmbim të ndalimit të anëtarësimit në BE, thuhet se Franca ka ideuar partneritet të veçantë dhe privilegje për disa vende të rajonit tonë.
Mbështetje financiare, marrëveshje të veçanta për aksesin në tregjet europiane dhe privilegje të tjera. Gazeta "Nezavisne" shkruan se në këmbim të këtij partneriteti, Franca pret “tërheqjen e heshtur”nga ambicia për anëtarësim të plotë në BE të këtyre vendeve duke dënuar me vdekje të gjithë procesin që zuri fill në vitet ’90. Kjo është një ofertë e ngjashme me atë që Gjermania i ofroi Turqisë 10 vjet më parë, që u konsideruar një mënyrë për të ndaluar hyrjen e një vendi mysliman në Europë.
Të gjitha këto lëvizje kanë për të patur ndikim psikologjik mbi rajonin, sidomos në hapësirën shqiptare që u investua e gjitha në përqafimin e projektit europian dhe perëndimor edhe pse nuk ishte asnjëherë e gatshme dhe e aftë të kuptonte se çfarë detyrimesh dhe detyrash rrjedhin prej tij.
Vendet më të përgatitura për këtë kthesë historike, duken Bosnja dhe Serbia, e para e mësuar me krizën e vazhdueshme, e dyta me sjelljen hibride mes Perëndimit dhe Lindjes. Së fundmi, njoftohet se bashkë me Rusinë ka nisur stërvitja “Mburoja Sllovene” dhe se Rusia ka sjellë në Serbi sistemin S-400 dhe raketat Pantsir S. Qëllimi i stërvitjes është të koordinojë dhe përgatisë mbrojtje të përbashkët ajrore të territorit. Ky afrim dhe dështimi i Europës janë në finale edhe fund i politikës së Vuçiç, i cili ka manovruar në mes. Pak ditë më parë BE-ja ka kërkuar që Beogradi të mos firmosë marrëveshje të tregëtisë së lirë me vendet e BRIC, por fjalëve të Europës tanimë pakkush ua vë veshin.
Re.Pu
Add new comment