Raport pesimist: Ndryshimi klimatik do të rrezikojë njerëzimin para vitit 2050!!!

Postuar në 06 Tetor, 2019 17:09

Një raport i hartuar nga ekspertë australianë të klimës paralajmëron se "ndryshimi klimatik tani përfaqëson një kërcënim ekzistencial afatshkurtër dhe afatmesëm" për civilizimin njerëzor. Në këtë parashikim të zymtë - i cili është mbështetur nga ish-shefi i Forcës së Mbrojtjes Australiane - civilizimi njerëzor mund të përfundojë deri në vitin 2050 për shkak të faktorëve destabilizues shoqëror dhe mjedisor të shkaktuar nga ngrohja globale.

Raporti parashikon një të ardhme në të cilën shoqëria njerëzore rrezikon kolapsin për shkak të paqëndrueshmërisë që do të vijë si pasojë e migrimit të miliarda njerëzve të prekur nga thatësira, ngritja e nivelit të detit dhe shkatërrimi i mjedisit.

"Ndikimet e ndryshimit klimatik në sistemet ushqimore dhe ujore, rënia e rendimentit të kulturave bujqësore dhe rritja e çmimit të ushqimit, të gjitha këto të nxitura nga ndryshimi i klimës, tashmë janë bërë katalizatorë për shumë probleme sociale dhe konflikte në Lindjen e Mesme, Maghreb dhe Sahel, duke kontribuar në krizën e emigracionit në Europë”, thuhet në raport.

Raporti është shkruar nga David Spratt, drejtor hulumtues për Qendrën Kombëtare për Përparimin e Klimës në Melburn dhe Ian T. Dunlop, dikur ish-drejtues ndërkombëtar i industrisë së naftës, gazit dhe qymyrit dhe kryetar i Shoqatës Australiane të Qymyrit. Admirali në pension Chris Barrie, ish-shefi i forcave të mbrojtjes në Australi, e ka mbështetur raportin me një shkrim në hyrje të tij.

"Pas luftës bërthamore, ngrohja globale e shkaktuar nga njerëzit është kërcënimi më i madh për jetën e njeriut në planet", shkroi Barrie.

Duke analizuar rreziqet e mundshme, studiuesit kanë hartuar një skenar të mundshëm sipas të cilit njerëzimi rrezikohet nëse temperatura mesatare ngrihet mbi 2 gradë, në një kohë kur tendenca është e tillë. Në skenarin e tyre, "pikat e kthesës" ndodh kur njerëzimi nuk arrin të kontrollojë emetimin e karbonit në vitet 2020 dhe 2030. Kjo krijon efektin serë  në Tokë, duke çuar në ngritje të shpejtë të niveleve të detit.

Në këtë skenar, efekti serë bën që 35 për qind e sipërfaqes globale të tokës dhe 55 për qind e popullsisë globale të jenë subjekt i më shumë se 20 ditëve në vit me nxehtësi vdekjeprurëse, përtej nivelit që një njeri mund t’i mbijetojë. Ekosistemet do të bien, duke përfshirë barrierat koralore, pyjet e shiut të Amazonës dhe Arktikun, së bashku me një ngordhje masive të popullatës së insekteve.

Si rezultat, disa nga qytetet më të populluara në botë - Mumbai, Jakarta, Guangzhou, Tianjin, Hong Kong, Qyteti Ho Chi Minh, Shanghai, Lagos, Bangkok dhe Manila - do të bëheshin të pabanueshme.

Vlerësimi përfundon me një përfundim shqetësues: "Më shumë se një miliard njerëz mund të kenë nevojë të zhvendosen dhe në skenarë të tjerë, shkalla e shkatërrimit është përtej aftësisë sonë për të gjetur zgjidhje, çka i bën të larta gjasat që qytetërimi njerëzor të marrë fund".

TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.