Zgjedhjet e 30 qershorit, Ilegjitime dhe të paligjshme. Çdo marrëveshje duhet të nisë që këtej

Postuar në 18 Shtator, 2019 22:43
Skerdilajd Zaimi

 

Kush sjell ndërmend qëndrimet e qeverisë shqiptare dhe mediave të saj pas publikimit të raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokalae të 30 qershorit do të mund të kujtojë se ato përqendroheshin në një pikë: Zgjedhjet ishin legjitime

Kush lexon sot agjencinë gjermane Deutsche Welle për qëndrimin eventual të grupit parlamentar të shumicës qeverisëse në Gjermani e kupton arsyen. 

Sipas kësaj agjencie, Bundestagu do të votojë më 26 shtator për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe deri më tani dihet se nëse për Maqedoninë e Veriut do të rekomandohet hapja në janar, për Shqipërinë thuhet se negociatat do të happen KUR të plotësohen disa kushte. Më saktë janë nëntë kushte mes të cilave edhe ky më poshtë: 

sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019

Pra legjitimiteti i zgjedhjeve të 30 qershorit  dhe madje Ligjshmëria e tyre nuk certifikohet në sytë e BE-së nga raporti i OSBE-ODIHR, por nga shqyrtim i kushtetues i procesit. Kjo është patjetër një shuplakë për Shqipërinë që zhvilloi zgjedhje për hir të kalendarit. Kujtojmë se këtë qëndrim e mbajti edhe famshmi Mathew Palmer, që në një intervistë për Zërin e Amerikës më 28 qershor se: 

Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Shpresojmë që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente. Pas zgjedhjeve do të formohet Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që mosmarrëveshjet për kohën e zhvillimit të zgjedhjeve të zgjidhen përmes institucioneve të vendit

Dhe pak më poshtë ka ndërruar stacionin e logjikës së vet: 

Është një situatë më pak se ideale, që zgjedhjet vendore të zhvillohen pa pjesmarrjen e opozitës, por kjo nuk do të thotë që zgjedhet në vetvete nuk janë të vlefshme. Njerëzit do të kenë mundësi të dalin për të votuar, për të shprehur mendimin e tyre, askush nuk duhet t’i pengojë për këtë. Njerëzit që duan të marrin pjesë, që duan të votojnë, duhet të jenë të lirë ta bëjnë këtë.

Të zgjedhurit duhet të lejohen të fillojnë detyrën dhe të qeverisin. Ne do të kemi njerëzit tanë në terren, në kuadër të misionit vëzhgues të ODIHR-it, por edhe në mënyrë të pavarur, me ekipe vëzhguesish të ambasadës, për të parë se si do të shkojnë gjerat. Ne shpresojmë që më 30 qershor gjithçka të jetë sa më qetë e paqësore

Sot ne të gjithë mund të pyesim: A ishin zgjedhjet legjitime? Deri sa të shprehet Gjykata Kushtetuese mund të prezumojmë çdo gjë, por zgjedhjet e 30 qershorit janë aktualisht pa certifikatë legjitimiteti. 

Nuk mund të mos bjerë në sy edhe kushti për krijimin e SPAK-ut, teksa dy ditë më parë Gent Ibrahimi i KLP-së do të deklaronte se SPAK do të krijohet brenda muajit tetor. Ky lloj qëndrimi në raport me pritmëritë nga Parlamenti gjerman e kompromenton politikisht këtë zyrtar që hyn në lojë si agjent imazhi për qeverinë dhe shumicën qeverisëse. 

Është e qartë se procesi farsë i 30 qershorit nuk legjitmon asgjë normale në këtë vend, ai është një anomali “demokratike” shumë e rëndë që sot zbardhi faturën. 

Sigurisht që qeveria shqiptare do të duhet të shtojë ofertat e veta si e si për të arritur një marëveshje dhe klimë të re, por natyra e kushteve është e tillë që e vendos atë në pozicion thuajse kapitullues për një arsye shumë të thjeshtë: Parlamenti i sotshëm është ilegjitim në produktin e vet, ndonëse mund të jetë i ligjshëm. 

Të gjitha kushtet kërkojnë patjetër konsensus politik me atë që është opozitë kryesore e cila sot ka nxjerrë në tavolinë kushtet e veta: reformë politike pastaj reformë zgjedhore. 

Është një shans i rrallë që na dëshmon se shumicës tanimë nuk i mbetet mundësia reale për të qeverisur, por vetëm për të ruajtur pushtetin dhe ky është një element që provon krizën politike. 

Pyetja që shtrohet është se cila do të jetë natyra dhe përmbajtja e marrëveshjes? Këtu qëndron problemi real për mbarë vendin përderisa opozita është dëshmuar në lartësinë e detyrës për shpërdorim rastesh dhe besimi. Të kërkosh largimin e Gjiknurit dhe personave problematikë ngjan si taktikë për orientuar goditjen e reformës në drejtësi te përfaqësues të shumicës, por këtu nuk ka asgjë strategjike. Aty kërkohet barazimi në vitkimat potenciale të saj dhe në perceptimin e fajësisë. Opozitës sot i duhet të tregohet ndryshe në thelbin e vet, pasi çdo gjë po tregon se shumica aktuale nuk i përgjigjet dot kërkesave që vijnë nga jashtë përderisa ajo është shkaku i sëmundjes. Por a është opozita e Lulzim Bashës e tillë? 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.