Ç’drejtim do të marrë Europa?

Postuar në 26 Maj, 2019 09:06
Bernd Riegert

Më 26 maj ne ndodhemi para zgjedhjeve vendimtare për kontinentin," thotë kryetari i fraksionit të kristiandemokratëve në Parlamentin Europian, Manfred Weber, në javën e fundit të takimeve për zgjedhjet europiane që zhvillohen në plenium. Jo vetëm Weber, kandidati kryesor i familjes së partive ku merr pjesë edhe ai, por edhe shumë politikanë të kampeve të tjera i kanë deklaruar zgjedhjet për Parlamentin Europian, si zgjedhje që vendosin fatin e BE. Për Weberin, kristiandemokrat që kërkon të marrë postin e Presidentit të Komisionit të BE, në fund të majit kemi të bëjmë me një luftë dyshe midis pro-europianëve dhe nacionalistëve.

Europawahl 2019 l Manfred Weber, Spitzenkandidat der Europäischen Volkspartei EVP in München (Getty Images/AFP/C. Stache)

"Kjo Europë, në të cilën jetojmë sot është një Europë e mirë. Ne nuk do lejojmë që ajo të shkatërrohet nga nacionalistët," thotë Manfred Weber. Kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë populistë të djathtë dhe skeptikë ndaj Europës në vendet anëtare të BE-së. Sipas sondazheve ata mund të marrin 20 përqind të mandateve

Europë e Orbanit apo Europë e Macronit?

Për kryeministrin nacional-konservator të Hungarisë, Viktor Orban, bëhet fjalë për një ndeshje midis demokratëve iliberalë, të cilët përfaqësohen prej tij, dhe demokratëve liberalë. Këta duan ta „ndryshojnë" popullsinë e Europës dhe ta islamizojnë duke futur migrantë, pretendon kryeministri hungarez, i cili është i lidhur me të djathtët gjermanë, francezë, danezë dhe italianë.

„Ne duhet të kuptojmë se Europa ndodhet në një moment kthese", thotë Orban në fjalimin e mbajtur në festën kombëtare hungareze. Kush mirëpret migrantët ilegalë dhe refugjatët, „krijon kombe me rraca të ndryshme. Në vende të tilla marrin fund traditat historike dhe krijohet një rend i ri botëror."

Armiku më i dashur për populistët e djathtë të llojit të Viktor Orbanit, ose ministrit të Brendshëm italian Matteo Salvini, ose të kryetarit të FPÖ-së austriake Hans-Christian Strache është presidenti francez, Emmanuel Macron. Ai i ka shpallur luftë "demokratëve iliberalë" dhe kërkon „rilindjen" e Europës, solidaritetit dhe dhembshurisë. Edhe për Emmanuel Macronin,  i cili propozon reforma të mëdha, dita e zgjedhjeve është ditë fati.

„Lufta më e rëndësishme në këto zgjedhje është beteja midis atyre që besojnë tek Europa dhe atyre që nuk besojnë ", thotë presidenti francez katër javë para zgjedhjeve, në një aktivitet të mbajtur në Paris.

Jo vetëm migracion

Vendet e punës, migracioni, mbrojtja e klimës, politika tregëtare, roli më i madh i Europës në botë. Këto janë temat me të cilat duhet të merret BE vitet e ardhshme, thonë partitë e etabluara pro Europës. Kandidatët kryesorë, Weber (kristiandemokrat) dhe  Frans Timmermans (socialist) nuk ndryshojnë shumë nga njëri tjetri. Të dy duan për shembull partneritet të ri me Afrikën, që të ketë më shumë investime tek vendet e origjinës së refugjatëve. Për populistët e djathtë nga ana tjetër ekziston vetëm një temë: izolimi, rrethimi dhe mbajtja e migrantëve jashtë Europës, thotë për shembull ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarty: "Për ne marrja e shumicës kundër migracionit është synim i rëndësishëm. Dhe Hungaria do të japë kontributin e saj."

Ungarn Strache und Orban (Reuters/B. Szabo)

Populistët e djathtë i premtojnë zgjedhësve një BE krejt tjetër, në të cilin shtetet nacionale të rimarrin të drejtat që gjoja i kanë humbur dhe që Brukseli të shfuqizohet si qendër. Frans Timmermans, kandidati kryesor i socialistëve dhe aktualisht zëvendëspresident i Komisionit të BE në Bruksel, thotë se kjo është marrëzi. „Ne nuk do ia japim pushtetin ekstremistëve në Europë. Këto zgjedhje janë vendimtare. Zgjedhja është në dorën tuaj. Ju e merrni vendimin cilën Europë do të kemi pesë vjetët e ardhshme," thotë Timmermans në një debat të zhvilluar në televizionin gjerman.

Parashikimi i zgjedhjeve

Përbërja e parlamentit të ri do të detyrojë kristiandemokratët, socialdemokratët, liberalët dhe Të gjelbërit që të punojnë në një koalicion të madh, mendon eksperti europian, Janis Emmanouilidis nga fabrika e ideve "European Policy Centre" me qendër në Bruksel. BE nuk do të ketë pas zgjedhjeve ndryshim total kursi, mendon Emmanouilidis. "Ne nuk do të shohim ndonjë marrje të BE nga armiqtë e saj. Kjo duhet parë me sy kritik, por nuk duhet ekzagjeruar dhe parë shumë negativisht. Vitet e fundit BE ka treguar një forcë të madhe rezistence. Kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen."

Emmanuel Macron und Angela Merkel (picture-alliance/dpa/M. Kappeler)

E rëndësishme është për parlamentin e ri që pas përballimit të krizës së borxheve dhe të migracionit të armatoset për krizat e reja në ekonomi, në raport me SHBA, Rusinë dhe Kinën. Edhe këtu kemi të bëjmë me marrje vendime për drejtimin që do të jepet, paralajmëron eksperti i Europës, Emmanouilidis: "Do të ketë kriza të reja. Sot nuk dihet nëse këto kriza do të trazojnë edhe problemet e vjetra apo do të ketë sfida të reja. Ne duhet të jemi të përgatitur për të përballuar sulmet.”

BE duhet të përqëndrohet pas zgjedhjeve kryesisht tek zhvillimi ekonomik dhe afrimi i niveleve të jetesës midis veriut të pasur dhe jugut të varfër, mendon studiuesi i BE,  Karel Lannoo, nga „Qendra për studimin e politikës europiane", në Bruksel. Vetëm në këtë mënyrë mund të zgjidhen problemet me populizmin e djathtë, tendenca e të cilës shihet të jetë më e fortë në vendet e varfëra. Karel Lanoo kërkon "më shumë integrim". „Më e rëndësishmha është që të forcojmë tregun e brendshëm në Europë dhe të bëjmë më shumë tregëti jashtë Europës. Brenda për brenda Europës ne duhet të mendojmë më shumë për politikën energjetike, ekonomike digjitale dhe më shumë liri lëvizje për njerëzit. Jashtë Europës ne duhet të merremi më shumë me tregtinë e lirë, e cila është sulmuar shumë që kur Trump është president. Ka mundësi që të vendosen më shumë tarifa doganore."

Të shijohet momenti i demokracisë

Çështje vendimtare, moment kthese, rrugë që ndahen. Imazhet që përdoren për fushatën elektorale për zgjedhjet që mbahen më 23 deri 26 maj, janë dramatike. Sigurisht, që zgjedhjet janë të rëndësishme, mendon zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Schinas, por nuk duhet tepruar. „Unë marr pjesë prej disa vitesh në politikën europiane. Mua nuk më kujtohet të ketë pasur zgjedhje ku nuk është thënë: „Europa ndodhet në moment kthese". Në një moment të tillë ne ndodhemi gjithnjë, dhe është në rregull që është kështu," thotë Margaritis Schinas në një intervistë për "euronews". "Ne nuk duhet t'i drejtojmë në mënyrë shumë dramatike zgjedhjet europiane. Ky është moment i demokracisë europiane dhe ne duhet ta shijojmë në njëfarë mënyre."

DW

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.