Banka më e madhe në Itali braktis përfundimisht mediat sociale të Zuckerbergut
Banka më e madhe në Itali dhe një prej grupeve më të mëdha financiare europiane ka vendosur të braktisë rrjetet sociale. UniCredit është larguar nga Facebook dhe aplikacionet Messenger dhe Instagram, por nuk e ka marrë këtë vendim për rrjetet e tjera. Në epokën e dixhitalizimit edhe të sistemit bankar, ky mund të mos duket si vendimi i duhur. Megjithatë është e qartë që ka të bëjë me mungesën e besimit. Vendimi lidhet me mediat sociale që janë pjesë e grupit të Facebook-ut - i cili vitin e kaluar u përfshi në skandalin e të dhënave të “Cambridge Analytica” - dhe që vijojnë të menaxhojnë të dhënat e klientëve të bankës. UniCredit mbetet në rrjetet e tjera si Twitter dhe LinkedIn.
UniCredit e nisi “bojkotin” e Facebook-ut një vit më parë. Fillimisht, nisi me tërheqjen nga reklamimet në profilin e saj dhe më pas me ndërprerjen e çdo aktiviteti në rrjetin social deri në momentin që Facebook të garantonte të dhënat e klientëve. Megjithatë, ka edhe një tjetër faktor që mund të ketë ndikuar. Hipoteza se Facebook po mendon të krijojë bankën e vet është hedhur disa herë në mediat ndërkombëtare. Kjo ka shqetësuar shumë banka tradicionale, që janë gjetur në situatën e ndarjes së të dhënave me rrjetin social më të madh në botë. Një frikë tjetër, që përmendet më pak, është ajo se të dhënat e klientëve të një banke, nëpërmjet Facebook-ut, mund të përfundojnë në duart e bankave rivale.
Mbetet për t’u parë reagimi i Facebook-ut, i cili pak javë më parë njoftoi ngritjen e një platforme më private. Por e sigurt është se tërheqja nga rrjetet nuk është një strategji marketingu, por një strategji për të mbrojtur të dhënat e klientëve. Sidoqoftë, UniCredit nuk është e vetmja që e ka bërë këtë hap. Pak javë më parë, edhe Lush, një kompani britanike e kozmetikës, njoftoi të njëjtin vendim.
“Jemi të lodhur nga beteja me algoritmet dhe nuk kemi ndërmend të paguajmë për të qëndruar aty”, bëri të ditur Lush. UniCredit e nisi duke mos paguar, pra duke anuluar investimet në publicitet. Dhe vendimi për t’u tërhequr tërësisht është para së gjithash për shkak të frikës së përdorimit të të dhënave të klientëve. Në botën e bankave, ka gjasa që shumë të tjera të ndjekin.
/Il sole 24 Ore/ Përgatiti: Gazmira Sokoli/TemaTv
Add new comment