I zgjedhim partnerët me nuhatje dhe “qëllojmë në shenjë”

Postuar në 21 Mars, 2019 14:10

Kimia luan një rol të rëndësishëm kur është fjala për përzgjedhjen e partnerit. Një studim i kryer së fundmi ka zbuluar se ne zgjedhim partnerë gjenetikisht të ndryshëm nga vetja, duke u nisur pikërisht nga aroma karakteristike e tyre.

Studiuesit e universitetit “Diderot” në Paris arritën në konkluzionin se nëpërmjet nuhatjes, ne arrijmë të seleksionojmë partnerin/en e preferuar gjenetikisht. Studimi i publikuar në “Proceedings of Royal Society B” analizon kompleksin e histokompatibilitetit (MHC) dhe aftësinë e njeriut për ta dalluar atë përmes nuhatjes.

Studime të mëparshme kanë treguar se kafshët, përfshirë këtu edhe njerëzit, janë më të suksesshëm në aspektin gjenetik kur ata bashkohen me një partner që është gjenetikisht i ndryshëm, në disa pika që konsiderohen kyçe. Një nga këto dallime është përbërja e grupit të tyre gjenetik të MHC-së që luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e imunitetit. Kur dy njerëz me gjenetikisht të ndryshëm çiftohen, pasardhësit e tyre marrin më të mirat e të dy prindërve.

Vitet e fundit, studiuesit kanë hedhur tezën sipas të cilës njerëzit janë në gjendje të "ndiejnë" elementin MHC te një partner potencial dhe se ata kanë tendencë t’i vlerësojnë si më tërheqës ata që kanë dallime gjenetike me ta. Supozohej se nëse do të ishte kështu, i gjithë “çelësi” ishte sistemi i nuhatjes. Për të gjetur përgjigjen, ata kryen një studim më të madh dhe më të plotë.

Puna përfshinte analizimin e të dhënave nga Baza e të Dhënave të Genotipeve dhe Fenotipeve të menaxhuara nga NIH. Studiuesit përdorën të dhëna të gjenomit nga mbi 800 çifte që jetojnë në Evropë dhe në Lindjen e Mesme (Izrael) – dhe në mënyrë specifike, ata ishin në gjendje të shihnin se sa ishin të ngjashme MHC-të e tyre.

Studiuesit raportojnë se mesatarisht, MHC-të e çifteve në Evropë ishin të ndryshme - më shumë se sa mund të ndodhte për shkak të rastësisë. Ata gjithashtu vunë re se dallime të tilla ishin më të theksuara në çiftet që jetonin në Holandë, por nuk gjetën një shkallë të tillë ndryshimesh për çiftet që jetojnë në Izrael.

Studiuesit sugjerojnë se gjetjet e tyre japin dëshmi të forta të një aftësie njerëzore për të nuhatur MHC në njerëz të tjerë dhe për të preferuar partnerë gjenetikisht të ndryshëm. Ata sugjerojnë se një preferencë e tillë e pandërgjegjshme mund të “mbytet” nga praktikat kulturore. Me këtë shpjegohet rasti i Izraelit, ku zgjedhja e bashkëshortëve është e kufizuar për shkak të pozitës shoqërore ose praktikave familjare. 

TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.