Ndërzimi artificial me Kushtetutën
30 deputetë të PD-së pritet të marrin mandatin. 19 të LSI-së do të zëvendësohen. KQZ-ja mblidhet për mandatet.
Janë këto tituj që popullojnë së fundmi mediat pranë pushtetit të cilat kanë vetëm një synim: të çajnë opozitën në vendimin e saj për dorëzimin e mandateve të deputetit. Duke nxitur përplasje personale. I lihet vend intervistave pa kuptim dhe sens politik të kandidatëve rishtarë të listës, që deklarojnë se do të përfaqësojnë opozitën e vërtetë. Kjo çorbë mbrohet pastaj nga analistë që thonë se në këtë që po ndodh vepron Kushtetuta.
Në fakt e gjithë zhurma provon sikletin e madh që ka krijuar bojkoti dhe i ashtuquajturi djegie e mandateve. Kushtetuta parashikon ndërprerje të mandatit si akt personal dhe brenda suazës së normalitetit politik, por jo dorëzim në bllok të tyre. Sepse ndërprerja e mandatit për shkak dorëheqjeje dhe zëvendësimi në frymën e Kushtetutës nuk lidhet me një vullnet politik demonstrativ, por me një procedurë që duhet rregulluar posaçërisht.
Ndër vite ne kemi parë deputetë që lëvizin sa nga një parti në tjetrën, apo shkëputen nga grupi parlamentar, por mandati nuk preket. Sepse ai lidhet me zgjedhësit. Mirëpo dorëzimi në bllok, njësoj si vota kundër një ligji, bën pjesë tek e drejta e delegimit të përfaqësimit dhe si akt e përfaqëson teorikisht elektoratin. Ky elektorat mund të ripërfaqësohet politikisht por jo nominalisht, sepse ai ka votuar politikisht.
Shakaja e opozitës të prodhuar in vitro nga Kushtetuta është anomali që nuk e korrigjon dhe as zgjidh prishjen e normalitetit politik që është krijuar me ikjen e opozitës parlamentare.
Shashkat si këto që lexojmë së fundmi janë një shtysë më shumë për të kundërshtuar këtë shumicë dhe një mënyrë më e mirë për të kuptuar se kriza është së pari morale, pastaj politike.
Add new comment