Një duartrokitje, që t'i ikin emocionet( ose Elegji për iluzionet e humbura)
Kur Edi Rama prezantoi kreun e ri të diplomacisë shqiptare, i dashur Palokë, me thënë të drejtën na zuri të gjithëve në befasi. Kishim menduar që politika e kishte kapercyer kufirin e absurdit prej kapriçove të Kryeministrit, por ja që rekordet u vendoskan veç për t'u thyer. Jo pak prej nesh u ndjemë të intimiduar intelektualisht e inferiorë moralisht, kur kreu i qeverisë deklaroi që "Cakaj kishte lexuar libra më shumë se të gjithë ne bashkë." Ca miqtë e mi, i dashur Palokë,e mbytën dëshpërimin nëpër mejhanet portalesh, me të njëjtën raki të ndenjur ku kazanit të distilimit i hidhen rigorozisht dy masa sheqer e veç një bërsi. Ndërsa unë për vete deklarova solemnisht që kjo peshë faji ishte tepër e rëndë për tu mbajtur në shpinë, e kështu vendosa ta shlyej atypëraty: me Radio Tirana në sfond ku i bien papushim tupanave të sukseseve të qeverisë, zgjata dorën drejt një komodine ku kam vënë kapicë nja pesë a gjashtë libra, të gjithë të nisur e asnjë i përfunduar. (Lexues i keq , megjithëse di që të kam thënë që librat e mirë për këtë janë bërë, për të mos u përfunduar kurrë së lexuari.)
Edhe ia nisa unë, or Palokë, e po lexoja ça më zuri dora, tregonte historinë e njëfarë Lysien Shardoni, një djalosh katundi të Francës së shekullit të nëntëmbëdhjetë, i varfër e i pamundur dhe që e mbante frymën në kurriz të një miku, i cili i kish bërë vend në shtëpi. Lysieni shkruante vjersha, dhe të gjithë i thoshin që kishte talent. Por djaloshit nuk i hynte në xhep talenti, më shumë kishte nevojë për ca lekë. E përçmonte veten, aq i varfër ishte. Edhe për t'i rënë shkurt, duke recituar vjersha dashnoresh nëpër katund na bëhet i famshëm Lysieni, dama e Angulemës e thërret në shtëpi. Atje ndodhin ca keqkuptime, për shkak të të cilave e zonja e shtëpisë dhe Lysieni përfundojnë në krahët e njëri tjetrit. Dama e nderuar e nxit që ai vetëm të shkruante, për lekët dhe gjëra të tjera pothuaj po aq të ëmbla do të mendonte ajo. Edhe për ti rënë shkurt, këta të dy vendosin që katundi nuk mjaftonte për talentet e tyre, vendosin të arratisen për në Paris, ku shumë shpejt ndërgjegjësohen që të dy janë vec dy provincialë mediokër, pas asnjë shpresë për t'ia dalë në metropolin sa një det. Ndahen këta, pasi e kishin shtrydhur njëri tjetrin nga cdo pikë dinjiteti, sejcili në hall të vet. Lysieni rastësisht takohet me ca miq, që i gjejnë punë në një gazetë, ku zbulon që me poezi nuk fitonte as një kothere bukë, ndërsa duke sharë e duke tallur e duke shpifur aty mund të bënte prokopi. Edhe në fakt ia del ky, po me gjithë pasurinë ai bën edhe shumë armiq, që e detyrojnë të falimentojë e të lëshojë Parisin, e të kthehet i varfër e i poshtëruar në Angulemë.
Nuk e di pse mu kujtua historia e Lysien Shardonit, i dashur Palokë, pak javë pasi kryeministri emëroi ministrin e Jashtëm ashtu sic ia deshi qejfi. Ndoshta nga tiparet e ngjashme femërore( Lysien de Rubempre është pa dyshim imazhi më i qartë që na ka lënë Balzaku mbi magjepsjen e tij me femëroren) E pashë z. Cakaj në një fjalim në një tubim diaspore a si i thonë, e më theri në kërbishte, aq mu dhimbs. Sepse po mendoja: nëse është aq i lexuar sa thonë, e dogjën këta kopukët tanë, ia përzhitën karrierën pa e nisur e ia prenë fatin djalit duke i vënë gjithë atë barrë mbi supet e pamësuara.
Nga ana tjetër, i thashë vetes, nëse djaloshi është veç një kloun që po luan pjesën që i kanë dhënë të luajë, askush nuk duhet të jetë aq i poshtër sa ta përdorë në një mënyrë të tillë. Jemi mesoburra, Palokë, kemi parë gjithfarë gomarlliku me sy, po kjo tallje do ta kishte vendin në gropën septike të mungesës së njerzillëkut. Në të dyja rastet, dhe këtu do ti bie vërtet shkurt, sepse nuk kam ndërmend të harxhoj gjithë kohën time duke shkruar letra kot së koti, or zotni Palokë, ky talent i djegur më duket mjaft afër kapitullit final, njësoj si në historinë e trishtuar të Lysien Shardonit.
Meqë ra fjala, një miku im më tha që fati i Lysien Shardonit vazhdon me romanin tjetër të Balzakut, me titull "Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve."
Add new comment