Unaza e Madhe në Shkozë, Avokati i Popullit: IKMT dhe ALUIZNI kanë shkelur ligjin
Avokati i Popullit po ndjek me shqetësim problemin e banorëve të Shkozës, të cilët janë prekur nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka hartuar një raport të veçantë për këtë çështje, ku ka konstatuar se Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe ALUIZNI ka konsumuar një sërë shkeljesh ligjore në veprimtarinë e tyre.
Eksperti pranë Avokatit të Popullit, Alket Jaupi, thotë se raporti ka evidentuar mungesë transparence nga ana e IKMT-së.
“Po të shikoni përmbajtjen e raportit ka një sërë shkeljesh. Mund të them në rastin e IKMT-së, një organ që nuk është analizuar për herë të parë nga ky institucion, edhe në këtë rast ne kemi nxjerrë që është një institucion me mungesë transparence. Në raste të caktuara, që ne i kemi marrë në shqyrtim, nga ana jonë, sidomos te ankesat indidivuale, ka pasur probleme në lidhje me ligjshmërinë e veprimeve procedurale të ndjekura rast pas rasti nga ana e këtij insitiucioni.
Pra, është një proces administrativ ka filluar në vitet 2005-2006 dhe ka vazhduar mbi 10 vjet, gati 12 vjet, pa një vendim përfundimtar. Në kushtet e parashikuara nga dispozitat e Kodit të Procedurës Administrative, që është baza e statusit juridik të këtyre subjekteve, është një shkelje e rëndë".
Eksperti i Avokatit të Popullit iu bën thirrje qytetarëve, që në bazë të shkeljes së ALUIZNI-t, për mosrespektimin e procedurave administrative, qytetarët të ndjekin rrugët ligjore duke shkuar në gjykatë.
"Tejzgjatja në këto afate e procedurës administrative nga ana e ALUIZNI-t është në kushtet e shkaktimit të dëmit jashtëkontraktor. Ka një ligj që fuqi që shërben fare mirë që qytetarët, të orientuar ligjërisht siç duhet, mund të justifikohen duke paraqitur paditë përkatëse", thotë Jaupi.
Ndërkohë, edhe më herët qytetarët janë ankuar për kamerën e Televizionit Tema se edhe pse kishin shumë vite që kishin aplikuar për të legalizuar banesat e tyre, janë përjashtuar nga ky proces një javë para nisjes së punimeve.
Add new comment