Biznesmenët e Buxhetit
Para disa ditësh, disa media prestigjoze në Tiranë, thuajse shpallën si blerës të Telekom Albania, kompaninë serbe, Telekom Serbia. Më vonë, lajmi u ndryshua, me arsyetimin se serbët u ndaluan nga pala shqiptare për shkak të ngjyrimeve politike që mund të ketë.
ResPublica njoftoi në të vërtetë se kompania me më shumë gjasa është Albtelecom që kontrollohet nga turqit e Çalik, e cila së fundmi po përflitet si favorite. Taktika e negociatave është e tillë që një ofertë kushtëzon tjetrën dhe dalja në skenë e serbëve, nuk është e qartë se si i ka shërbyer turqve, ndërkohë që është disi e vështirë të mendohet se pala serbe ka qenë e painformuar për situatën në treg.
Kjo ka pak rëndësi tashmë. Çështja që tërheq vëmendjen është fakti se oferta e serbëve ishte diku te 60 milionë euro. Telekom Albania vërtet që ka humbje për vitin 2017 por ajo është me pozitë të fortë në treg. Nga kjo pikëpamje është e çuditshme sesi asnjë prej grupeve shqiptare të biznesit nuk shfaqi interes për blerjen e Telekom Albania.
Vitin që lamë pas dëgjuam për përfshirje të tyre në projekte infrastrukturore prej qindra milionë eurosh, të cilat thuajse u fituan 100% nga kapitali shqiptar. Vetëm rruga e Thumanës është mbi 250 milionë euro, kurse koncesioni i rrugës Durrës Kukës shkon 380 milionë.
Është e qartë se asnjë prej grupeve shqiptare nuk i ka kaq kapitale, por duke qenë se projektet janë me garanci sovrane, pra paguajmë ne të gjithë, atëherë biznesi shqiptar loboi për të marrë kontrata me fitim të siguruar.
Kjo sjellje shtë një ndër problemet sistemike në Shqipëri. Ne sot përballemi me një lloj parakapitalizmi që mban gjallë subjekte të ndryshme me paratë e buxhetit. Kjo sjellje nuk ndihmon në krijimin e tregut, as diversifikimin e tij. Do të ishte në interesin e biznesit që të riskonte në një treg që në fund do të sillte edhe ristrukturimin e tij, pasi është dritëshkurtër që pjesa më e madhe e parave të qarkullojnë vetëm në sektorin e ndërtimit. Nëse zoti Rama nuk do ta pranojë apo kuptojë, ky është edhe një ndër problemet e pakënqësisë me PPP-të e tij të famshme, të cilat në fakt mbajnë në këmbë biznese që përndryshe do të impononin rregulla tregu.
Paratë e buxhetit janë para publike dhe sado nevojë të ketë vendi për investime, ato nuk mund të shkëputen nga nevojat dhe mundësitë e tregut, pasi këtu kemi një shtet që ka monopol të padeklaruar dhe paguan në mënyrë favorizuese një grup që bllokon çdo mundësi konkurence.
Absurditeti me shitjen e Telekom Albania shkon edhe më larg se kaq. Në media u raportua se refuzimi nga pala shqiptare erdhi për arsye politike. Është kjo qeveri që promovon me të madhe Zonën Rajonale Ekonomike, e cila këkrohet edhe nga Serbia. Si të shpjegohet kjo sjellje me dy standarde?
Si do ta ndalojë qeveria shqiptare që pretendon hapje, shitjen e aksioneve nesër nga blerësi i radhës? Ligjet e miratuara për rastin e shitjes së konçesionit të Rinasit kinezëve nuk vlejnë shumë në këtë kohë dhe në thelb, ky lloj poteksionizmi nuk ndihmon ekonominë, përveçse zbulon se qeveria nuk ka ndonjë strategji.
Një tjetër aspekt që meriton vëmendje të posaçme është refuzimi i kompanive që operojnë në Shqipëri për t’iu drejtuar blerësve shqiptarë në formën e aksioneve. Tentativa e parë u bë para disa muajsh nga Digitalb, por për të nuk ka ende ndonjë të dhënë zyrtare. Ajo duhet përshëndetur si nismë dhe këtu sjellja e AMF-së kërkon shqyrtim më vete. Nëse biznesi shqiptar përfshirë këtu edhe kompani gjoja lider në fushën e IT si Infosoft, zgjedhin të mos angahzohen në operacione të tilla, atëherë qytetarëve shqiptarë unduhet dhënë mundësia. Po flasim për një sektor strategjik, që me përkufizim kërkon një qasje më të zgjeruar sesa vizioni i një qeverie të vetme. E cila në rastin konkret jo vetëm nuk po e hap tregun, por po e asfikosn atë.
Add new comment