Marrëveshja Serbi -Kosovë cenon ndikimin rus në Ballkan
Ecuria e dialogut Prishtinë-Beograd që mund të çojë në një marrëveshje dypalëshe, ka krijuar premisat e duhuara për abrogimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që u miratua në vitin 1999. Florian Bieber i universitetit të Graz në Austri mendon se çdo formë marrëveshjeje do të duhet të merret me njohjen ndërkombëtare të Kosovës çka e bën atë jetike për të dyja vendet.
Por sipas tij është po ashtu e kuptueshme pse Rusia është kundër çdo marrëveshjeje që shkon përtej Rezolutës 1244 që sanksionon kufij të vjetër në Ballkan dhe kufizon vendimmarrjen e Prishtinë në ato të një autonomie.
Do të reduktonte ndikimin e Rusisë ndaj Serbisë
thekson Bieber sipas të cilit rënia e ndikimit rus do të përshpejtonte ecurinë drejt Bashkimit Europian.
Përmbajtja e marrëveshjes në fjalë dhe kufizimi i saj nga përcaktimet e Rezolutës 1244 shihet si opsion i praueshëm edhe nga Tim Judah, analist britanik që bashkë me Bieber citohen nga ajencia serbe “B92”. Sipas Judah, marrëveshja pritet të arrihet në mesin e vitit tjetër dhe për përkufzimet e nevojshme ka kohë.
Ajo që nuk kuptohet është sesi Kosova do të pranojë kufizime të kësaj natyre, ndërkohë ajo ka hyrë në dialog ndërkombëtar me Serbinë, që sipas Rezolutës 1244 Kosova është pjesë e Federatës Jugosllave e cila nuk ekziston më. Është po kështu disi e vështirë të mendohet se Rusia do të mund të bëjë diplomaci efektive duke bllokuar në Këshillin e Sigurimit një rezolutë që buron nga realiteti i një marrëveshjeje dypalëshe. Ajo kërcënoi ta bëjë këtë gjë edhe me marrëveshjen për emrin e Maqedonisë, por diçka e tillë është vetëizoluese pasi shpërfill parimin e sovranitetit të shteteve, për të cilat Rusia lufton përherë.
Add new comment