Padi civile dhe penale për Teatrin Kombëtar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës
Partia Demokratike po shikon çdo mundësi që parashikon ligji për të penguar shembjen e teatrit kombëtar. Eksperti ligjor në Partinë Demokratike, Gazmend Bardhi në një intervistë për TemA Tv u shpreh se mund të ketë padi penale dhe civile nëse tjetërsohet prona e Bashkisë tek teatri pa 3/5 e votave të Këshillit Bashkiak.
“Tjetërsimi i pronave të njësive të qeverisjes vendore, pa patur vendimin e organit kopetent, që është vendimi i Këshillit Bashkiak, që do të thotë çdo zaptim i asaj prone pa lejen e pronarit legjitimon pronarin të ngrej padi civile për të marrë në posedim dhe në pronësi pronën e vet”, deklaroi Gazmend Bardhi.
Sipas Bardhit, presidenti duhet të kthejë për rishqyrtim ligjin për teatrin, në të kundërt ngre dyshime se është kapur edhe Presidenca.
“Presidenti është në detyrë për të zbatuar garantimin e Kushtetutës, dhe unë kam bindje nëse presidenti do të zbatojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nuk duhet ta dekretojë ligjin, por duhet ta kthejë atë për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë, duke evidentuar të gjitha shkeljet Kushtetuese që përmban ai ligj i miratuar me 74 votat e mazhorancës në Kuvend”, tha Bardhi.
Ndërkohë eksperti i PD-së bëri me dije se po shikohet mundësia që shpresa për fatin e teatrit të mos varet vetëm tek Presidenti por edhe tek Gjykata Kushtetuese e cila aktualisht është jashtë funksionit.
Add new comment