Politika e jashtme si rivalitet i axhendave private
Një ndër çështjet më të vështira për t’u deshifruar në Shqipëri është politika e jashtme e saj. Këtu nuk e kemi fjalën për drejtimet kryesore të saj të shprehura për dy dekada e që i përmbahen anëtarsimit në Bashkimin Europian. Këtu fjala është për atë politikë që ka të bëjë me aktorë të huaj, përmes të cilëve politika shqiptare, segmente të saj, kërkojnë të fuqizojnë veten duke punuar që këtë ta realizojnë duke afirmuar axhenda që për qytetarët e këtij vendi janë të errëta. Pas kësaj loje sigurisht që afishohen interesa ekonomike dhe financiare, e përmes tyre mund të shpjegohen investime të caktuara, marrëveshje të ndryshme etj..
Është kjo arsyeja që politika të tilla, apo më saktë veprime të tilla politike të titullarëve të institucioneve shqiptare, kalojnë si çështje private e tyre. Në kontekstin e një rivaliteti të dallueshëm mes Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, këto ngjyra në politikën e jashtme, bëhen më të qarta. Madje edhe në ditët e fundit.
Kryeministri shqiptar Edi Rama lejoi me dëshirë që në mediat e ndryshme të publikohen foto të tij në krah të kryeministrit rus Dimitri Medvedev, në rreshtin e parë të të fturave që morën pjesë në ceremoninë e fitores së presidentit turk Erdogan në Ankara. Por z. Rama nuk ka lejuar që për këtë gjë opinioni publik shqiptar të informohet në rrugë zyrtare. Në faqen e tij në Facebook mund të gjesh gjithfarë mrrokullash propagandistike, që nga situata sanitare në spitale e deri te videoreklamat për lundrimet me varkë në Divjakë. Por asgjë për pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e z. Erdogan. Z. Rama madje e ka bezdi të madhe që të flasë për raportin e tij të “pashpjegueshëm”, për përmasat e Shqipërisë, me njeriun kryesor në Turqi, ndërkohë që investimet turke në vendin tonë nuk kanë njohur ndonjë rritje thelbësore.
Ceremonia e Erdogan ka një kuptim të dyfishtë dhe rezonon përtej rajonit. Ajo nuk mund të trajtohet si qokë miqsh, apo preference, pasi me ardhjen e tij në detyrën e Presidentit për të dyën herë, z. Erdogan afirmon edhe projektin e një Republike Presidenciale, gati gjysmëmonarkike, duke dënuar me vdekje qemalizmin në Turqi. Sigurisht nuk është punë e Shqipërisë të ndërhyjë, por një distancë sigurie nga modele të tilla është e këshillueshme. Sidomos kur z. Rama nuk lë rast pa folur për të ashtuquajturat rreziqe që kërcënojnë Ballkanin duke patur parasysh Rusinë, ndonëse nuk bën zë edhe kur përmendin Turqinë. Rusia dhe Turqia janë kërcënime pike së pari si modele, pastaj si fuqi.
I njëjti njeri mori përsipër të dëbojë me butësi gulenistët, apo t’u njoftojë atyre se janë të padëshiruar, një tjetër nder ky për mikun turk që nuk ndalet në kërkesat e veta e që në Shqipëri i ka lejuar vetes që të bëjë edhe fushatë elektorale në zgjedhjet e fundit. Agresiviteti i presidentit turk patjetër që është një përkëdheli e vockël për kryeministrin e vendit më të lodhur në Ballkan, por është edhe një sinjal se koniunkturat personale prevalojnë mbi interesat tona afatgjata, pikërisht pse politika e jashtme është një materie e papostuluar.
Në të njëjtën kohë që z. Rama manovronte grandiozitetin e vet mediatik në krah të Medvedevit, presidenti Ilir Meta nisi një vizitë në anën e kundër të Adriatikut, siç edhe e cilësoi ai, në San Marino. Nëse sheh fjalën e z. Meta mbajtur para Këshillit të Madh të Përgjithshëm aty dominon Skënderbeu, Nënë Tereza, mbrojtja e Europës ndaj Perandorisë Osmane dhe në mbyllje edhe një lutje që “Zoti ta bekojë San Marinon dhe miqësinë e tij me shqiptarët”.
Është shumë e vështirë të besosh se te këta dy njerëz ka ndonjë kartë të përpunuar strategjike për politikën e jashtme. Këtu kemi të bëjmë më shumë me aderim në klube gjeopolitike ku sigurohet karriera më tepër sesa çohen para në mënyrë të vetëdijshme axhenda të thella. Ushtarë në një lojë më të madhe, dy politikanët kryesorë të Shqipërisë po veprojnë në dualitet të plotë me njëri-tjetrin duke investuar përveç kredencialeve personale edhe energjitë e një vendi të tërë.
E njëjat situatë vërehet edhe në raport me një vend si Maqedonia. Ndonëse luajti si violinë e parë duke imponuar marrëveshjen e partive shqiptare dhe të ashtuquajturën Platformë Shqiptare, z. Rama sillet me drejtuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni në një mënyrë të ftohtë saqë duket sikur bezdiset që edhe t’u japë dorën. Është e dallueshme se Tirana zyrtare ka dorëzuar çelësat te Turqia kur vjen puna për lojërat në Maqedoni dhe kjo mund të shihet me heshtjen inkurajuese me të cilën kalojnë marshimet pro Erdoganit te shqiptarët e Maqedonisë. Nga ana e vet, presidenti i Republikës, ka një tjetër qasje; në janar të këtij viti ai dekoroi klerikun e njohur Sulejman Rexhepi të Bashkësisë Fetare në Maqedoni, duke vlerësuar ndër të tjera se Rexhepi
duke mbrojtur interesat dhe jetën fetare islame mes shqiptarëve, është kujdesur veçanërisht për cilësinë e shkollimit, ruajtjes së frymës kombëtare në institucionet fetare si dhe është përpjekur për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar
Motivacioni në fjalë i bën jehonë një lufte të heshtur mes shqiptarëve të Maqedonisë të cilët janë prekur nga penetrimi i rrymave të islamit radikal, apo islamit politik të sponsorizuar nga Turqia, ndërkohë që z. Rama megjithë ndikimin e vet nuk ka të dhëna të ketë vepruar për qetësimin e tensioneve të krijuara mes sunitëve dhe bektashinjve që shpërthyen me forcë në vitin 2002-2008 në teqenë Harabati në Tetovë. Edhe sot e kësaj dite mbetet shumë i dyshimtë roli apo dijenia e qeverisë së z. Rama për ngjarjet e Kumanovës, që u kontrolluan nga qeveria e Nikolla Gruevskit, që ishte në qeveri me Ali Ahmetin e BDI-së. Cili është roli i Turqisë në goditjen e kryer në këtë rast, kjo është ende e paqartë dhe e pagjurmueshme, por është fakt se në disa raste, qarqet mediatike pranë z. Meta në Tiranë mbajtën krahun e Nikolla Gruevskit në krizën e fundit maqedonase.
E njëjat situatë konfrontimi zhvillohet mes presidentit dhe qeverisë në raport me marrëveshjen e detit me Greqinë. Ka shumë mjegull, pak informacion të qartë dhe shumë akuza që bëhen për llogari të Ilir Metës e që frymëzohen prej tij, të cilat synojnë të minojnë pozitën e krijuar nga z. Rama në këtë kuadër. Kakofonia e veprimeve që bën njëri apo tjetri lë pak vend për ndonjë analizë që të evidentojë koherencë apo ndonjë strategji. Më shumë duket se kemi të bëjmë me nevojë për protagonizëm, por i cili merr me vete edhe autoritetin e një vendi që drejtohet nga tekanjozë zararmëdhenj si dy personat në fjalë.
Shqipëria nuk e di çfarë duhet të bëjë me Jeruzalemin, me SHBA-në, me kërkesat e Trump, me muxhahedinët apo gulenistët. Ajo improvizon e në këtë improvizim delikat luhet loja e interesave të dy personave, e në ndonjë rast e interesave të ustallarëve te të cilët ata duan të falen. Interesat tona as nuk dihet kush janë dhe ku renditen. Një shembull mjaft komik ishte shansi i humhur i z. Rama me kancelaren Merkel, ndaj së cilës e humbi shpejt magjinë fillestare pse një politikë e jashtme personale nuk para ecën gjatë.
Në një plan më afatgjatë por edhe diakronik, është kjo sjellje pa kokë që lejon që Shqipërisë thjesht t’i caktohet nga të tjerë një vend në tryezën e shërbyesve, jo vetëm pse kaq lejon përmasa e vendit, por sidomos sepse kështu pwrcakton rivaliteti i axhendave personale.
Add new comment