Një projekt antiligjor për Teatrin Kombëtar
Ministria e Kulturës ka publikuar për konsultim projektligjin për përcaktimin e një procedure të veçantë për negociimin dhe kontraktimin e partnerit privat që do të realizojë Projektin e Teatrit Kombëtar, sëbashku me një komplekse privat zhvillimi. Ky ligj ka për objekt përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt realizmin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Qëllimi i këtij ligji është realizimi i projektit për zhvillimin e një zone urbane në qytetin e Tiranës dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar me partner privat.
Nga shqyrtimi në parim i projektligjit konstatohet se nga përmbajtja e tij:
Së pari, qëllimi i ligjit është të shmangë detyrimet që burojnë për institucionet shtetërore nga legjislacioni në fuqi për realizimin e një projekti sipas procedurës së partneritetit publik-privat, si dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore. Është rast i paprecedentë që ndërkohë që ekziston një ligj i posaçëm që rregullon këtë proces (ligji nr. 125/2013), propozohet të miratohet një ligj tjetër i posaçëm, që rregullon një rast individual, një projekt konkret, duke synuar shmangien e rregullave të paracaktuara dhe që kanë si synim mbrojtjen e interesit publik. E gjitha kjo bëhet me qëllimin e vetëm që të realizohet një projekt i pakërkuar nga një subjekt privat, jashtë procedurës që parashikon legjislacioni në fuqi. Ky akt është aferë e pastër korruptive, ku shteti harton ligje për interesa të një projekti privat. Miratimi i ligjit bëhet për të shmangur përgjegjësinë penale të personave të përfshirë në këtë aferë korruptive, dhe për të ligjëruar shkeljet flagrante të ligjit që janë kryer, po kryhen apo do të kryhen në realizimin e këtij projekti.
Së dyti, bëhet realiteti projekti që ka prezantuar Kryeministri për Teatrin Kombëtar, duke rrëzuar në këtë mënyrë të gjitha deklaratat e Ministrit të Kulturës dhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë, që projekti ishte vetëm një ide për nisjen e procedurës (një propozim i pakërkuar), dhe se procesi do të ndiqet sipas legjislacionit shqiptar në fuqi. Miratimi i këtij projektligji nënkupton shembjen e menjëhershme të Teatrit aktual Kombëtar, ndërtimin e Teatrit të ri, shoqëruar me zhvillimin e zonës për interesa të subjektit privat, jo sipas rregullave të legjislacionit në fuqi, por sipas një procedure të veçantë që përcakton ky projektligj.
Së treti, projekti i prezantuar nga subjekti privat “Fusha” sh.p.k. pranohet automatikisht, pa iu nënshtrua asnjë procesi konkurimi apo gare të hapur. Ligji përcakton se negociimi do të kryhen sipas Termave të Referencës së propozimit të paraqitur nga shoqëria “Fusha sh.p.k.”. Ky është rast i paprecedentë ku kushtet e kontratës bazohen tek Termat e Referencës së përcaktuara nga subjekti privat, dhe jo nga shteti. Eleminimi i garës, provon që qëllimi nuk është ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, por vënia në jetë e një projekti klientelist privat, duke dëmtuar në këtë mënyrë interesin publik, që sigurohet vetëm nëpërmjet një procedure konkurime të hapur.
Së katërti, për realizimin e këtij projekti privat, vihen në dispozicion të privatit pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetit, por pa specifikuar as pasuritë e paluajtshme që vihen në dispozicion dhe as sipërfaqen. E gjitha kjo realizohet me një procedurë që eleminon konkurimin e lirë dhe të hapur. Pra tjetërsimi i pronave shtetërore bëhet pa transparencë dhe pa një proces konkurimi. Edhe pse ligji bën referim tek vetja për përcaktimin e pasurive të paluajtshme, në fakt ia njeh të drejtën Komisionit të Negocimit për vlerësimin mbi tjetërsimin e pronave në pronësi të pushtetit qendror apo të vetëqeverisjes vendore për realizimin e këtij projekti dhe propozimin lidhur me tjetërsimin e pronës.
Së pesti, procesi shoqërohet me veprime që përcaktohen të kryhen me urgjencë, çka krijon perceptimin e një procesi farsë negociimi, të paracaktuar pa asnjë transparencë. Kështu sipas ligjit ngrihet Komisioni i Negocimit, me përfaqësues të institucioneve të ndryshme, dhe që kryesohet nga Kryetari i Bashkisë Tiranë. Komisioni i negocimit të kontratës vlerëson dhe negocion me partnerin privat shoqërinë “Fusha sh.p.k.”, propozimin e paraqitur prej tyre dhe harton projektkontratën finale të negociuar nga palët, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati kohor prej 30 ditësh nga data e ngritjes së komisionit. Procedurat e negocimit përfundojnë jo më vonë se 30 ditë nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.
Së gjashtë, shmanget Këshilli Bashkiak i Tiranës nga kompetenca që të vendos për tjetërsimin e pronave në pronësi të Bashkisë Tiranë, me 3/5 e votave të anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Duke mos patur këtë shumicë në Këshillin Bashkiak Tiranë, projektligji parashikon që kushtet e kontratës së negociuar do të kalojnë me dhënie pëlqimi në parim nga Këshilli Bashkiak me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të këshillit. Më pas, kontrata do të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe do të nënshkruhet pas miratimit nga Kryetari i Bashkisë Tiranë.
Së shtati, projektligji nuk parashikon asnjë procedurë konsultimi për realizimin e këtij projekti, qoftë me grupet e interesit, apo me qytetarët, edhe pse ai përfshinë tjetërsimin e pasurive publike dhe prishjen e Teatrit Kombëtar, që është monument kulture dhe paraqet vlera të veçanta, që mbrohen nga legjislacioni në fuqi. Projekti është i paracaktuar dhe është ai që ka propozuar subjekti privat “Fusha sh.p.k.”, dhe negociimi do të realizohet mbi këtë projekt të paracaktuar dhe sipas Termave të Referencës që ka propozuar subjekti privat.
Së teti, projektligji është krejtësisht i panevojshëm, për shkak se realizimi i projektit mund të arrihet duke ndjekur procedurat që parashikon legjislacioni aktual në fuqi. Mirëpo, që projekti të realizohet sipas legjislacionit në fuqi, duhet t’i nënshtrohet një procedure të hapur konkurimi dhe të marr miratimin me 3/5 e votave të anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Duke qenë se ka paracaktuar fituesin, Edi Rama nuk mund të kërkojë as konsensusin dhe as të realizojë një procedurë konkurruese, për këtë arsye propozon një projektligj të posaçëm, duke e shndërruar Kuvendin në noter të një marrëveshje korruptive dhe klienteliste të tij me një subjekt privat.
Add new comment