Akili i zi
Janë të pakta temat që provokojnë kaq shumë kundërshti sa ngjyra e lëkurës e grekëve të vjetër. Një artikull i publikuar vitin e kaluar në “Forbes” nga studiuesja e epokës Klasike, Sarah Bond e universitetit të Iowa, provokoi një stuhi të vërtetë, për shkak se vinte në dukje faktin se shumë nga statujat greke që duken të bardha sot, në antikitet ishin të lyera me ngjyra. Ky është një pozicion aspak i gabuar dhe korrekt, por Bond u përball me një rrebesh sulmesh abuzive online për shkak se guxoi të sugjeronte se arsyeja pse disa pëlqejnë të mendojnë për statujat greke se janë në mermer të bardhë, ka të bëjë me politikat e tyre. Këtë vit, ishte radha e serialit televiziv të BBC-së: “Troja, rënia e një Qyteti” që provokoi mërinë, me aktorët me ngjyrë që luanin në rolet e Akilit, Patroklit, Zeusit, Eneas dhe të tjerëve(a thua se zgjedhja e aktorëve europianoveriorë nuk është më pak anakronike).
Ideja për grekët si ekzemplar i të bardhit, është e rrënjosur thellë në kulturën perëndimore. Siç e tregon Donna Zuckerberg në librin e saj “Jo të gjithë të vdekurit të bardhë”(Not all dead white men), kjo axhendë është promovuar me entuziazëm nga segmente të së djathtës ekstreme që e shohin veten si trashëgimtarë të luftëtarit të supozuar mashkullor europian. Racizmi është emocional, nuk është racional; nuk dua t’i rris vlerat ushtrisë së trollëve anonimë duke iu kthyer përgjigje të hollësishme pohimeve të tyre. Synimi im në këtë ese është më tepër të sjell në vëmendje sesi grekët vetë e shikonin ndryshimin në ngjyrën e lëkurës. Ndryshimet janë shumë instruktive dhe në fakt, ato zbulojnë me qartësi sesa i çudishëm dhe i pavend është fiskimi perëndimor modern për klasifikimin sipas pigmentit të lëkurës.
Iliada dhe Odisea janë tekstet letrare më të hershme të greqishtes. Për pjesën më të madhe të literaturës greke ne kemi një ide të saktë të autorëve, por Homeri mbetet ende një mister për ne, ashtu siç ishte për shumicën e grekëve të Antikitetit: nuk ka ende dakordësi nëse poemat e tij ishin vepra e një autori të vetëm, apo e traditës kolektive.
Poemat zënë fill në historitë antike të përcjella gojarisht, por momenti vendimtar për formën e tyre të tanishme ishte periudha mes shekujve të 8-7 p.e.s. Rrethimi i Trojës, ngjarja qendrore në ciklin mitologjik të cilit i përkasin poemat e Homerit, mund ose jo të bazohet në ngjarje të vërteta që ndodhën në fillimet e epokës së bronzit në shekujt 12 dhe 13 p.e.s. Nga pikëpamja historike, poemat janë një përzierje e shtresave të ndryshme kohore: disa elementë huazohen nga bota bashkëkohore e shekujve 8-7 p.e.s, disa janë kujtime origjinale të epokës së bronzit dhe disa(si fraza e Akilit “lavdi e përjetshme”) kanë rrënjë në poetikën e rëndësishme indo-europiane. Ka po ashtu edhe një dozë fantazie, siç e pranonin të gjithë grekët: askush nuk ka besuar ndonjëherë, p.sh se kuajt e Akilit mund të flisnin me të vërtetë.
Akili nuk ishte një personazh historik, ose më mirë, figura e përshkruar në poemë mundet ose jo, të ketë të bëjë disi me një figurë reale, por nuk është kjo çështja. Akili, siç e njohim ne apo grekët, është një figurë mitologjike dhe një krijim poetik. Prandaj pyetja nuk është “Si dukej Akili?” por “Si e portretizon atë Homeri?”
Kemi vetëm një element këtu: Në Iliadë thuhet se Akili kishte flokë xanthos. Kjo fjalë shpesh është përkthyer si bjond, një përkthim që ushqen fuqishëm imagjinatën moderne. Por përkthimi mund të gënjejë. Siç e ka vënë në dukje Michel Sassi në esenë e tij, fjalori grek për ngjyrat thjesht nuk të çon drejtpërdrejt në fjalët analoge në anglisht. Xanthos mund të përdoret për gjëra që ne do ti quanim “kafe”, “kuqalosh”, “i verdhë”, apo edhe “i artë”. Pas kësaj pyetjeje në dukje të thjeshtë – si e përkthejmë një fjalë të vetme nga greqishtja në anglisht – zhvillohet një debat shumë i madh, filologjik dhe filozofik që ka vënë në provë studiuesit për më shumë sesa një shekull: a i perceptojnë kulturat e ndryshme ngjyrat në mënyra të ndryshme?
Kjo nuk është një pyetje që mund ta adresojmë këtu, por është e rëndësishme që të nënvizohet se termat e hershëm grekë për ngjyrat kanë qenë qendra e këtij debati(qëkurse ish-kryeministri britanik William Gladstone, një klasicist amator i pasionuar, u përfshi në të në fund të shekullit të 19-të).
Fjalori i hershëm grek për ngjyrat ishte në fakt shumë i çuditshëm për syrin modern. P.sh fjala argos, përdorej për gjëra që ne do t’i quanim e bardhë, por edhe për rrufetë apo për qentë që vrapojnë shpejt. Duket se nuk i referohet vetëm ngjyrës, por gjithashtu edhe një lloj shpejtësie rrufe. Khlōros(siç kemi fjalën klorofil) përdorej për vegjetacionin e gjelbër, por edhe për rërën në breg të detit, për lotët dhe gjakun dhe për ngjyrën e zbehtë të lëkurës të dikujt që është i tmerruar. Një studiues e përshkruan atë sikur të kapësh “vitalitetin riprodhues të gjërave të lagështa në rritje): sigurisht e gjelbërt, por ngjyra përfaqëson vetëm një aspekt të fjalës dhe që mund të injorohet lehtësisht.
Në mënyrë të çuditshme, disa terma të hershëm grekë për ngjyrën duket se tregojnë lëvizje intensive. I njëjti studiues vëren se xanthos është etimologjikisht e ngjashme me një tjetër fjalë, xouthos, që tregon lëvizje vibruese shumë të shpejtë. Pra, ndërsa xanthos, sigurisht që sugjeron flokë në tonalitetin kafe e çelur, mbiemri gjithashtu përshkruan edhe cilësimin e famshëm të Akilit si “këmbëshpejtë” dhe në të vërtetë paparashikueshmërinë e tij emocionale.
Le të marrim një tjetër shembull që do të befasojë ata, imazhi mendor i të cilëve për grekët homerikë është e bardha e mermerit. Në poemën Odisea, thuhet se Athina, “e përmirësoi me magji pamjen e jashtme të Odiseas”:
Lëkura e tij u bë e zezë(melagkhroiēs) sërish dhe qimet rreth mjekrës së tij u bënë blu(kuaneai)
Në dy raste të tjera, kur Perëndesha e zbukuron atë, ajo thuhet se i bën flokët e tij të gufuar(woolly), me ngjyrë të ngjashme me lule zymbylin”.
Tani të përkthesh kuaneos si “blu”, siç bëra unë më sipër, është në pamje të parë një budallallëk: shumica e përkthyesve mendojnë se kjo fjalë do të thotë “e errët”. Por nisur nga ngjyra e zakonshme e zymbylit, ndoshta - thjesht ndoshta – ai kishte në fund të fundit flokë blu? Kush e di, por këtu kemi sigurisht një tjetër shembull të faktit sesa e panatyrshme dhe e huaj është skema homerike e ngjyrave. Për t’i nagtërruar edhe më shumë gjërat, në një pikë nga fillimi i poemës, thuhet se flokët e tij ishin xanthos, pra njësoj si të Akilit: komentuesit disa herë mendojnë se kemi të bëjmë me përzierje thinjash me flokë të zinj(që është një e dhënë më shumë se xanthos nuk do të thotë automatikisht bjond).
Po për lëkurën e zezë? A ishte Odisea në të vërtetë i zi? Apo ishte ai i nxirë nga dielli?
Edhe njëherë, ne mund të shohim sesi përkthime të ndryshme i shtyjnë lexuesit modernë të imagjinojnë këto karaktere në mënyra tërësisht të ndryshme. Por për të kuptuar tekstin homerik, ne duhet të hedhim poshtë këto përlidhje(asosacione) moderne.
E zeza e Odiseut, njësoj si ajo xanthos e flokëve të Akilit, nuk ka patur synim një rol në kategoritë racore moderne; ato më tepër përçojnë përlidhje poetike të Antikitetit. Në një tjetër moment tek Odisea, ne na thuhet se ky i fundit e nderonte më shumë se të gjithë shokun e tij më të ngushtë, Euribatin(Eurybates), që ishte “shpatullrënë, lëkurëzi(melanokhroos) dhe kaçurrels…”, sepse mendjet e tyre përputheshin. Pjesa e fundit është kyçi: mendjet e tyre funksionin njësoj, ndoshta sepse Euribati dhe Odisea ishin të dy mashtrues të mëdhenj. Dhe në të vërtetë, ne e gjejmë këtë përlidhjen mes të qenit me lëkurë të zezë(errët) dhe mashtrimit, kudo në mendimin e hershëm të grekëve.
I zi(melas) dhe e bardhë(leukos) janë po ashtu – dhe kjo ka rëndësi – terma gjinorë. Femrat vlerësohen përherë sepse janë (krahë-bardha), por kjo nuk përdoret për meshkujt asnjëherë. Ky diferencim e gjeti rrugën e vet edhe në konvencionet e artit grek(dhe në të vërtetë egjiptian) gjithashtu, ku ne shohim femra që shpesh pikturohen me lëkurë shumë më të bardhë sesa meshkujt. Ta quaje një mashkull grek “të bardhë” do të thoshte ta quaje atë si të femërizuar. E anasjellta, ta quaje Odisenë “lëkurë zi” mundet shumë mirë ta përlidhje atë me jetën e ashpër, në natyrë, që ai çonte në Itakën shkëmbore.
Kështu që të pyesësh nëse Akili apo Odisea janë të bardhë apo të zinj, do të thotë që në një nivel të caktuar ta keqlexosh Homerin. Termat e tij për ngjyrat nuk vlejnë për të ndarë njerëzit në kategori racore, por për të ndihmuar në karakterizimin e tyre, duke përdorur përlidhje poetike të holla që do të zhbëhen nëse ne do të këmbëngulim për “bjondin” në vend të “kafe”, “të zeshkëtin” për “të ziun”(dhe anasjelltas). Grekët thjesht nuk e mendonin botën si të ndarë më thikë mes linjave racore të bardhë dhe të zinj: kjo është një anomali e çuditshme e botës moderne perëndimore, një produkt i forcave të ndryshme historike, veçanërisht i tregëtisë transatlantike të skllevërve dhe aspekteve më brutale të teorisë racore të shekullit të 19-të.
Akush në Greqi apo Romë nuk flet ndonjëherë për një gens(farë) të bardhë apo të zezë. Sigurisht që grekët vinin re hije pigmentimi dhe ata e diferenconin veten nga njerëzit me ngjyrë të Afrikës dhe të Indisë, disa herë me terma agresivë dhe refuzues që ne do t’i quanim raciste; por ata po ashtu e diferenconin veten nga popujt e zbehtë të veriut. Grekët nuk e mendonin veten në përgjithësi si “të bardhë”. Në veprën e tij “Anabasis”, që është një rrëfim i një mercenari në pension në një zonë të Turqisë së sotme Qendrore, Ksenofoni përshkruan takimin me njerëz që ishin kuriozë dhe që pyesnin nëse mund të kryenin marrëdhënie seksuale me gratë që shoqëronin ushtrinë greke. Por nuk ishte kjo më e çuditshmja: “të gjithë ata ishin të bardhë, si burrat ashtu edhe gratë.” Të qenit të bardhë, veçanërisht te burrat, ishte në sytë e Ksenofonit dëshmi e diçkaje të huaj.
Mund të shtojmë se gjenetika moderne po ashtu e konsideron të padobishëm klasifikimin sipas ngjyrës së lëkurës dhe në fakt e shmang termin “rracë”(një kategori pa kuptim në termat biologjikë). Ka relativisht pak diferencë gjenetike mes popullsive njerëzore në kontinente të ndryshme dhe nivelet e pigmentimit të lëkurës janë një tregues shumë i dobët për marrëdhëniet e përgjithshme gjenetike. Dallimi mes një afrikani “të zi” dhe popujve “të bardhë” europianë është për pasojë jo vetëm jogrek, por është po ashtu edhe jobiologjik.
Por kjo sigurisht nuk është e vetmja mënyrë për t’iu qasur kësaj çështjeje. Le të bëjmë një pyetje ndryshe: a përfshiheshin në poemat homerike njerëz që ne do t’i përshkruanim si afrikanë të zinj? A imagjinoheshin ata se luftonin në Trojë?
Kujtojmë se nuk kishte një territor të përcaktuar të Greqisë në këtë kohë(pra rreth shekullit të 8-të p.e.s): greqishtfolësit po themelonin koloni në të gjithë Mesdheun, përfshirë Afrikën e Veriut dhe Deltën e Nilit. Tregëtia me Egjiptin i drejtoi grekët në huazimin e atyre që ne sot i mendojmë si forma kulturore tërësisht greke, siç është arkitektura monumentale e tempujve apo edhe statujat e meshkujve të njohura si kouroi. Udhëtimet detare të Odiseas përshkruajnë shpirtin e aventurës të kësaj epoke dhe në të vërtetë udhëtimet në Egjipt përmenden në dy raste(ndonëse gjeografia e Homerit nuk është përherë e saktë). Egjipti sigurisht ishte një vend me pasuri të mëdha dhe një shtet impresionues i antikitetit dhe si i tillë ai ushtroi një tërheqje të fortë imagjinative dhe reale për grekët gjatë kohërave.
Në pjesën e sipërme të luginës së Nilit(jugu i tij), në Sudanin e sotshëm, zhvillohej një tjetër qytetërim i madhështor i njohur si Kush, Mbretëria Meroitike apo Nubia. Grekët e quajtën këtë vend “Etiopia”, që mund të ketë kuptimin “vendi i njerëzve me fytyrë të djegur”. Etiopianët përmenden disa herë në poemat homerike si popull i devotshëm dhe i drejtë, i favorizuar nga perënditë, që i vizitojnë për të ndarë me ta ushqimin në një vend të largët “mes perëndimit dhe agimit”. Tek Odisea, Menelau thotë se ka qenë te ta. Për fat të keq, nuk ka një përshkrim të asaj sesi dukeshin këta njerëz dhe nisur nga ajo që thuhet se ata jetonin në lindjen dhe perëndimin e largët, afër oqeanit, mund të thuhet se ata nuk kishin të bënin fare me Afrikën(ndonëse mund të jetë se Menelau mendonte se Afrika ndodhej në Perëndim: sensi homerik i gjeografisë, sidomos për toka të largëta, është shumë i përgjithshëm). Përmendja e etiopianëve në periudhën post-homerike, i vendos ata qartësisht në Afrikë dhe zakonisht në rajonin e Sudanit të sotshëm. Filozofi Ksenofan p.sh u referohet atyre në shekullin e 6-të si “hundështypur dhe të zinj”.
Pse kjo ka rëndësi te Homeri? Sepse Iliada dhe Odisea formonin pjesë të një sekuence mitike që përfshin “Etiopis” të Arctinus, poema për Etiopianin, e cila e merr historinë aty ku Iliada e lë, menjëherë pas djegies së trupit të heroit kryesor trojan, Hektorit. Pasi kanë humbur luftëtarin e tyre kryesor, trojanët sjellin mënjëherë përforcime nga vende të largëta: së pari Penthesilea dhe Amazonat, më pas Memnoni dhe etiopianët. Të gjithë këta janë figura heroike kryesore që munden nga Akili; Memnoni fiton përjetësinë pas vdekjes. Kështu që pyetja kyçe është: a imagjinoheshin Memnoni dhe njerëzit e tij si të zinj?
Fabula ngatërrohet sërish. “Etiopiani” nuk mbijeton dhe ndonëse kemi një përmbledhje të saj nga një shkrimtar i mëvonshëm, ajo nuk na thotë ndonjë gjë për etninë e etiopianëve. Për aq sa vlen, etiopianët cilësohen në Trojë si të zinj në një rikrijim poetik shumë të mëvonshëm nga një poet epik romak, Quintusi i Smirnës(shekulli i 3-të e.s) – që zakonisht mendohet se është tradicionalist dhe në këtë rast mban linjën e Arctinusit. Por në periudhën e hershme panorama ngatërrohet. Pikturat e hershme në vazo vështirë se mund të përdoren si evidencë, sepse të gjitha figurat aty janë të zeza, pavarësisht etnisë(për shkak të së ashtuquajturës teknikës së figurës së zezë që përdorej). Në një rast nga shekulli i 6-të, p.e.s ne kemi një Memnon të armatosur rëndë(për këtë arsye edhe i padukshëm për syrin) i shoqëruar nga dy “kalorës” afrikanë. Me shfaqjen e të kuqes në pikturat antike, rreth vitit 550 p.e.s në Athinë, në gjejmë nja dy vazo që e paraqesin Memnonin në ngjyra identike me ato të grekëve. Por ka po ashtu vazo që tregojnë luftëtarë mitikë me tipare të ekzagjeruara afrikane që mundet ose jo të paraqesin Memnonin dhe luftëtarët e tij. Është vështirë të mendohet se kemi të bëjmë me dikë tjetër; edhe nëse ata nuk janë tamam Memnoni, janë evidencë se grekët mund të imagjinonin afrikanët në skena të dueleve mitike.
Duke nisur nga shekulli i 5-të ne kemi më shumë rrëfime të hollësishme në burimet letrare. Disa e portretizojnë Memnonin si pers – duke reflektuar ndoshta ndikimin e Luftërave Perse, që ndodhën në periudhën mes viteve 490-472 p.e.s. Por ne gjejmë Memnon Afrikanin gjithashtu: në një fragment nga Eskili, ndoshta nga vepra e tij, Memnoni lexohet:
Kam mësuar përfundimisht dhe e di që mund të flas për origjinën e tij(Memnonit) që është nga toka e Etiopisë, nga e cila rrjedh poshtë vrullshëm rryma pjellore e Nilit shtatëgojësh
Fraza sugjeron se folësi e di që po kundërshton një traditë alternative për origjinën e Memnonit(ndoshta atë perse).
Për ta përmbledhur: ne thjesht nuk e dimë nëse Homeri apo Arctinusi e imagjinonin prezencën e luftëtarëve afrikanë në Trojë, por grekët e mëvonshëm e bënin një gjë të tillë. Intuita më thotë se etiopianët e Arctinusit ishin afrikanë të zinj(ndonëse Memnoni vetë mund të mos ketë qenë): duhet të ketë patur patjetër ndonjë arsye pse paqartësia homerike për vendndodhjen e Etiopisë u zëvendësua kaq shpejt nga siguria se ajo ndodhej në Afrikë dhe një poemë e madhe epike mund të ketë garantuar autoritetin për një siguri të tillë.
Prezenca, të paktën në mendjet e disa grekëve të hershëm, të zezakëve afrikanë në fushëbetejat e Trojës, gjithësesi mund të mendohet se redukton ndjeshëm mundësinë që forcat greke vetë të përfshinin në gjirin e tyre luftëtarë të cilët sot do t’i quanim të zinj. Pyetja e madhe është nëse ne mund të themi dot diçka për atë sesi dukeshin vetë. Këtu duhet të ecim veçanërisht me kujdes, sepse ka shumë kurthe. Njerëzit u referohen shpesh dhe lehtësisht grekëve të vjetër si “europianë”, njësoj sikur kuptimi i këtij termi të fundit të ishte i vetëkuptueshëm. Por Europa është një konstrukt historik, jo një fakt i natyrës. Po, gjuha greke, si e tillë i përket familjes indoeruopiane, që lidh irlandishten në Perëndim me sanskritishten në Indi, përmes armenishtes, persishtes dhe shumë gjuhëve të tjera, por nuk duhet të ngatërrohemi nga fjala “europian” në këtë frazë: ajo nuk do të thotë në vetvete se folësit e një gjuhe të caktuar brenda familjes, janë automatikisht europianë, njësoj sikurse treguesi “indo” nuk do të thotë se janë indianë.
Popullsitë që u vendosën në gadishullin grek migruan nga Lindja. Në planin kulturor, kultura e hershme greke përkufizohej nga udhëtimi detar dhe shumë prej marrëdhënieve të tyre ishin me popujt bregdetarë të Mesdheut Lindor. Ndërveprimet e tyre më domethënëse në fazën e parë për të cilën po diskutojmë, ishin ato me popullsitë semitike(fenikasit dhe babilonasit) dhe egjiptianët. Grekët e hershëm kishin pak, ose aspak njohuri, apo edhe interes, për pjesën më të madhe të asaj që sot mendohet si Europë: hinterlandin dhe rajonet jo-Mesdhetare në veriperëndim. Kjo sigurisht që nuk ka rëndësi të drejtpërdrejt për pyetjen sesi dukeshin grekët, por është një përkujtesë se “europian” është një term fare pa kuptim për historinë antike dhe me gjasë na ngatërron sot.
Çdo përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjes sesi dukeshin grekët e vjetër duhet të udhëhuqet nga kërkime gjenetike, jo nga supozime. Një studim i publikuar vitin e kaluar në revistën “Nature” nxirrte konkluzione mbi bazën e analizës së ADN-së së 19 individëve nga kontinenti grek dhe Kreta. Individët që u morën në studim kishin jetuar përpara periudhës për të cilën po flasim, mes viteve 2900-1200 p.e.s.. Rezultatet e analizave kanë rëndësi për periudhën që pason po ashtu. Ato tregojnë se kishte një vijimësi të madhe gjenetike mes grekëve të periudhës minoike(të marrë në studime e që kanë jetuar në vitet 2900-1700 p.e.s) dhe grekëve të ditëve të sotme. Nëse citojmë studimin në fjalë:
Grekët e periudhës minoike trashëgonin të paktën ¾-t nga fermerët e parë të Neolitit në Anadollin Perëndimor dhe në Egje dhe pjesën tjetër nga popullsitë antike të lidhura me ato të Kaukazit dhe Iranit
ADN-ja e periudhës mikenase(mes viteve 1700-1200 p.e.s) kishte hyrje të reja gjenetike nga stepat e Eurazisë apo Armenia. I njëjti studim paralajmëron po ashtu kundër ideve që e shohin popullsinë greke si të izoluar; paralel me vijimësinë në vija të përgjithshme, ky kërkim tregon kufijtë porozë të botës greke. Kjo ka qenë intensifikuar në Epokën e Hekurit(koha kur poemat homerike po merrnin formë) e cila ishte një erë e lëvizjeve të mëdha të popullsive. Përfundimi është se ne mund të jemi mjaftueshëm të bindur se grekët antikë ishin shumë të ngjashëm në genotipin dhe fenotipin e tyre me grekët modernë. Është e mundshme gjithsesi që grekët e Epokës së Bronzit të kishin lëkurë, sy dhe flokë më të errët.
Ata ishin sigurisht më të shkurtër gjithashtu: gjatësia mesatare e individëve të cilëve u përkasin skelektët e gjetur ishte rreth 163 cm për meshkujt dhe 153 cm për femrat. Gjithashtu në kohën kur u shkruajtën Iliada dhe Odisea, ka gjasa të ketë patur një larmi më të madhe në nivel individual sesa në kohën që po studiojmë, për shkak të depërtimeve të grekëve në Mesdhe dhe në Afrikën e Veriut dhe si pasojë e eventualitetit të imigrimit dhe martesave të përziera. Shkurt: luftëtarët grekë që Homeri imagjinonte ndoshta nuk dukeshin edhe aq si David Gyasi(aktori që luan Akilin në serialin e BBC-së e që është zezak), por nuk dukeshin as si Brad Pitt(që luan Akilin në filmin Troja).
Fjalori i ngjyrave mendohet nga përdoruesit e tij si i natyrshëm dhe i qartë, sepse regjistri vizual është kaq imediat dhe i gjallë për ne. Ne mendojmë se ngjyrat që shohim janë të brendashkruara në rendin e gjërave. Në një nivel psikologjik, në fakt kjo mund të jetë e vërtetë. Por kur truri ynë nis procesin e kuptimësimit të sinjaleve neurologjike, atëherë ne nisim në mënyrë të pashmangshme të përdorim kategoritë që kemi mësuar nga ata që janë përqark nesh. Të analizosh të shkuarën duke stërvitur veten për të parë me sytë e kulturave të tjera, është një mënyrë e fuqishme e denatyralizimit të kategorive konceptuale që kemi trashëguar dhe në njohjen e faktit se ato nuk janë të pashmagshme. Ironia është se grekët antikë, të menduar kaq shpesh në Europë dhe në Amerikën e Veriut si natyrshëm të bardhë, do të ishin tronditur nga një hamendësim i tillë.
Përkthimi: ResPublica(E përkthyem materialin për shkak të qasjes ndryshe, ndonëse autori nuk ja del as me deduksione të sjellë diçka shteruese, por hedh teza probabiliste sidomos në konkluzionet e veta)
Burimi: https://aeon.co/essays/when-homer-envisioned-achilles-did-he-see-a-black-man
Add new comment