Aventurë apo strategji e Izraelit kundër iranianëve në Siri?

Postuar në 09 Maj, 2018 22:12

Një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi tërheqjen e SHBA-së nga marëveshja bërthamore me Iranin dhe kërcënoi se çdo ambicie e Iranit në këtë drejtim do të marrë përgjigje të panjohur më parë, Izraeli i drejtuar nga Beniamin Netanyahu ka treguar forcën me një akt sulmi. Sipas mediave të ndryshme, bombardimi me raketa I një baze iraniane në Siri, afër Damaskut, është autorizuar nga Tel Avivi zyrtar nisur nga garancitë eventuale të SHBA për bashkërendim dhe me motivin se në bazë ka të stacionuar raketa që drejtoheshin drejt Izraelit. Nga sulmi mbetën të vrarë 15 persona, mes të cilëve tetë iranianë.

Përkundrejt kësaj situate që duket se po provokon status quonë në Siri dhe kapacitetin e Iranit për t’u angazhuar kaq pranë kufijve izraelitë, Tel Avivi ka urdhëruar armatosjen e kufrit. Bëhet e ditur se ushtria ka përforcuar mbrojtjen ajrore në veri dhe ka dislokuar njësi shtesë të Iron Dome, mburoja e sofistikuar izraelite. Sipas zyrtarëve izraelitë, sulmi në Damask, ka shtyrë në kohë kundërveprimin iranian, por nuk dekurajuar Teheranin zyrtar në kursin e përplasjes me armikun numër një në rajon.

Nuk është e qartë se cila është axhenda e izraelitëve në këtë konteskt, por ajo që hamendësohet deri më tani është objektivi i nxjerrjes së Iranit nga bregu i Mesdheut në Lindjen e Mesme dhe izolimi i tij deri në largimin e regjimit të ajatollahëve. Një objektiv që duket se nuk u arrit dot përmes Shtetit Islamik, organizatës, rrënjët, origjina dhe financimi i së cilës është objekt spekullimesh të shumta. Situata në Siri ka përmbysur raportin strategjik për Tel Avivin që ka qenë I kujdesshëm që të mos provokojë Rusinë në sipërmarrjet e veta të guximshme përtej kufirt shtetëror.

Por politika e Netanyahut  edhe në planin e sigurisë nuk mirëpritet edhe aq mirë brenda vetë Izraelit. Në një opinion publikuar në gazetën “Haaretz”, kundërshtare e vendosur e kryeministrit, profesori i Universitetit Hebraik, Azriel Bermant, sjell në vëmendje pasojat që mund të ketë për Izraelin basti personal i Netanyahut me Rusinë.

Bermant thekson se Kremlini nuk mund të heqë dorë nga Irani dhe aleanca e tij me të në Siri, edhe pse Tel Avivi preferon ta quajë Rusinë si aleate strategjike në Lindjen e Mesme.

Do të ishte një humbje e madhe diplomatike për rusët që të lëshonin Iranin. Sa larg do të shkojë Izraeli në konfrontimin me Iranin? Ku është kufiri? Izraeli ka bërë të qartë se është gati “të paguajë çdo çmim” për të parandaluar që Irani të zgjerohet në Siri. A do të mbështeste publiku izraelit sulmet kundër iranianëve kudo në Siri nëse çmimi është një luftë që përfshin si Rusinë ashtu edhe Iranin?  Ish-Shefi i Mossadit Efraim Halevy e paralajmëroi këtë qartë në prill

shkruan autori.

Situate është shumë e komplikuar për shkak se Netanyahu ka bërë çdo përpjekje që të mos e nervozojë Rusinë dhe Putinin. Bermant kujton madje se Izraeli nuk mori pjesë në seancën e OKB-së ku u dënua aneksimi i Krimesë nga Rusia, vetëm për të mos cenuar interesat e forta me të. Këtu hyn në lojë edhe admirimi personal për Putin, pasi vetë Netanyahu akuzohet gjerësisht si autoritar. Një rol parësor në këtë politikë edhe aleati politik i tij, ministri I Mbrojtjes. Avigdor Lieberman, pa mohuar ndikimin që kanë 1 milionë hebrejtë me origjinë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Bermant shkon edhe më larg kur thotë se Rusia mund në eventualitetin e një tensioni ushtarak, të përdorë si peng 200 mijë hebrejtë që jetojnë aty, një skenar ky që e kthen botën në fillimet e shekullit të 20-të.

Vendimi i Kremlinit për të furnizuar Sirinë me sistemin S-300 e vendos Tel Avivin për momentin në kushtet e një disavatntazhi ushtarak ajror duke siguruar ndërkohë mburojë efektive edhe personelin iranian. Por kjo politikë po bëhet me bekimin dhe nën drejtimin e Rusisë, për të cilën është koha të pyetet nëse është më apo jo aleate strategjike e Netanyahut.

E dukshme është se politika e tij është afatshkurtër dhe ajo bazohet mbi klimën që ka krijuar vendimi i Trump i marrë kryesisht në referencë të të ashtuquajturave publikime të dokumenteve sekrete të Iranit për avancimin e arsenalit bërthamore. Dokumente të nxjerra në dritë nga Netanyahu që kërkon një momentum për të nxjerrë iranianët nga Siria me çdo kusht.

Një problem ky jo i vogël edhe për faktin se Perëndimi nuk është më i bashkuar në këtë politikë. Agjencia gjermane e lajmeve, Deutsche Welle publikonte sot një shkrim me titullin: Izraeli i ndarë për vendimin e Turmp, duke cituar zëra të ndryshëm politikë. Po kështu, Gjermania, Franca dhe BE-ja në tërësi nuk kanë mohuar marrëveshjen, ndërkohë që për situatën në Siri, për Europën palë negciuese është Turqia. Koha kur Perëndimi rreshtohej në bllok me Izraelin ka perënduar dhe ky i fundit duket se nuk ka kapacitetet reale për të imponuar një politikë të jashtme kaq ambicioze si izolimi i një vendi me 80 milionë banorë ndërkohë që vetë përballet me probleme ekzistenciale. Po kështu është për momentin e vështirë që të pritet një ndërhyrje e SHBA në një konflikt ku Izraeli po hyn vetë në bazë të analizave për kërcënime strategjike që e kanë bërë doktrinën e tij të mbrojtjes më shumë destabilizuese të situatës sesa kufizuese të tensionit.

s.zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.