Një këngë e dëgjuar disa herë
Do ketë veting edhe në Partinë Socialiste. Këtë ka thënë pak a shumë sot kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së saj. Z. Rama është njeri që i pëlqen frazat goditëse, sepse e koncepton politikën si art ekzibicionist. Dhe fjala e tij në Asamble ishte pak a shumë moment ekzibicionizmi për të larguar vëmendjen nga dushi gjerman që po I sjell kokën vërdallë.
Që nga koha kur ka nisur të qeverisë z. Rama është “kapur” mat, apo ka lënë ta kapin me ankesa për “drejtorë që na nxjerrin bojën” apo për ministra turkoshakë.
Në prag të zgjedhjeve të vitit 2017 tha se kishte drejtuar qeverinë më të mirë që ka patur ndonjëherë vendi, kurse në shtator dhe tetor të atij viti kërkonte dorëheqje masive të drejtuesve të hipotekave dhe spitaleve.
Vetë ligj e vetë Maliq, vetë shpërndan fletë lavdërimi, e vetë ngel në klasë ky kryeministër që po zëvendëson qeverisjen e vendit me qeverisjen e humorit të shoqërisë të cilën kërkon ta shqeqerosë apo mbajë të lidhur me teatrin e vet politik. Më e mira punë që mund të bëhet është të mos e dëgjojmë. E nëse e dëgjojmë, të shohim se çfarë bën dhe jo se çfarë thotë.
Add new comment