A do të hapen negociatat me BE-në për Shqipërinë e Freedom House?

Postuar në 11 Prill, 2018 12:06

Raporti i fundit i Freedom House për Shqipërinë vendos disa pika të rëndësishme për të kuptuar se vendi ynë në sytë e perëndimit, sa i përket politikës dhe demokracisë ka imazh të njollosur keqas.

Presidenti i Republikës është cilësuar si symbol i korrupsionit, zgjedhja e tij si goditje për luftën ndaj korrupsionit. Raporti nuk harron të kujtojë se Ilir Meta është cilësuar nga kryeministri aktual si përfaqësues i çdo gjëje të kalbur, por kjo nuk e pengoi që ai të jepte votat për ta zgjedhur president.

Por nuk është vetëm Ilir Meta problemi. Qeverisja në Shqipëri ka fituar trajektore autoritarizmi me zgjedhjen në mënyrë të njëanshme të Prokurores së Përgjithshme, çka krijon dyshime serioze për kontrollin mbi organin e akuzës.

Strategjia e qeverisë kundër korrupsionit u përqendrua pothuajse ekskluzivisht tek korrupsioni administrativ dhe neglizhoi korrupsionin politik dhe publik-privat, si kapja e shtetit”, thotë raporti që thekson se “institucione kyçe të anti-korrupsionit si Prokurorja e Përgjithshme e përkohëshme, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Inspektori i Përgjithshëm i Deklarimit dhe Kontrollit të Pronave dhe Konfliktit të Interesave nuk patën pavarësi pasi janë zgjedhur me shumicë të thjeshtë parlamentare të së njëjtës parti që u duhet ta kontrollojnë”, citohet raporti.

Nëse do t’i besojmë Zërit të Amerikës, që ka zbardhur pjesë të dokumentit, Shqipëria është një vend me demokraci hibride, ku si ngjarje pozitive rezultojnë zgjedhjet e fundit.

Goditje jepet edhe për median, që nuk është e lirë dhe pavarësia editoriale e së cilës është diçka që nuk ekziston.

Sigurisht kjo është një matje, por sado pasaktësi të ketë aty, vlerësimet e përgjithshme janë të sakta. Shqipëria është një vend jodemokratik, apo me demokraci formale, e korruptuar dhe me prirje autoritare. E përkundrejt këtyre vlerësimeve shqetësuese mbi të cilat sot politika hesht, premtimi I hareshëm i qeverisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, ngjan më cinik se asnjëherë për qytetarët e zakonshëm e këtij vendi. 

Cila Shqipëri ekziston me të vërtetë dhe cilën Shqipëri po afrojnë në familjen e vendeve demokratike? Puplat e vanitetit qeveritar me arritje dhe pseudoarritje, kanë rënë për të dalë lakuriq një qeveri e cila i mishëron të gjitha kritikat e raportit që janë në fakt akuza direkte.

Nga kjo pikëpamje mund të kuptohet tani më mirë edhe politika editorial e Facebook të kryeministrit që u shet qytetarëve Shqipërinë  e Rivierës, bukurinë e së cilës siç po shohim po e menaxhojnë deputetët e zgjedhur prej tij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.