Vota në OKB, 500 mln$ dhe vota e PD-së për projektin 5 miliardë $ të Karpenit
Partia Demokratike “denoncoi” sot me anë të drejtuesit të Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë, Kreshnik Çollaku, atë që e ka quajtur skemë të shitjes së votës së Shqipërisë në OKB.
Fjala është për votën për rezolutën për Jeruzalemin, për të cilën opozita po lëviz nga skemat e një konspiracioni tek ato të një pazari. Gjithçka mund të jetë e vërtetë, por cila është skema e sotme e PD-së, për të shpjeguar votën e qeverisë së Edi Ramës?
Vota shqiptare në OKB është shitur, është lobuar fort nga një apo dy vende të tjera. Vota është ofruar këtyre vendeve për të nxjerrë fitime të një natyre të errët. Njerëz afër Ramës, sekserë të tij dhe biznesmenë.
Janë dy apo tre vende, që mendojnë të krijojnë një biznes të madh në Shqipëri me një pjesëmarrje nga biznesmenë nga dy vende dhe vendosi që për ta financuar me një vlerë me 500 mln euro, qeveria kërkon një hua të vendi i dytë. Bizneset lobojnë për ta bindur për të dhënë hua, por vendi i dytë heziton, por e ka për zemër çështjen e Palestinës dhe Shqipëria votoi kundër SHBA. Mesa duket vota në OKB ka qenë për të bindur vendin e dytë për të akorduar kredinë 500 milionë dollarë.
Biznesi është projektuar që të falimentojë, është skemë korruptive, jo më shumë se pas një viti dhe absolutisht vendimi i qeverisë shqiptare është bërë si hua për të bindur qeverinë e vendit që heziton për ta lejuar këtë kredi 500 mln dollarë që do të shkojë në xhepat e sekserëve të korruptuar
tha Çollaku.
Nëse e kemi kuptuar drejt këtë shpjegim, dikush ka mundësi të sigurojë hua në një vend që kërkon në këmbim votën për Jeruzalemin. Vendimi i qeverisë shqiptare thjesht legjitimon besimin e palës tjetër e cila lëvron paratë që mandej nuk investohen por thjesht merren nga disa njerëz në Tiranë.
Pyetja e parë që lind këtu është se kush është ai që e kushtëzon 500 milionë dollarëshin me votën për Jeruzalemin? Nga ana tjetër çfarë shton në kandar kjo votë e Shqipërisë, që mund të ishte edhe abstenuese?
Por t’i lëmë mënjanë këto pyetje që çmojnë shumë vlerën e një vote, për t’u marrë pak me seriozitetin dhe besueshmërinë e PD-së.
Më 21 korrik të vitit 2016 Parlamenti i Shqipërisë miratoi atë që quhet si Reforma në Drejtësi. Por në atë seancë ku u votua me shumicë absolute, u kalua edhe ligji i veçantë për hapjen e negociatave për ndërtimin e portit të Karpenit, i cili u miratua me më shumë sesa 100 vota pro.
Pra opozita e sotme miratoi një ligj që teorikisht i hap rrugë 5 miliardë dollarë investime.
Vallë PD-ja eci me sy mbyllur bashkë me LSI-në në këtë çështje? Duhet të kujtojmë se Karpeni financiarisht vlen më shumë se reforma në drejtësi, por ai edhe sot që flasim mbetet një projekt pa fillim dhe pa fund. Vetëm 8 ditë më vonë PD-ja ngrinte zërin për të pyetur se kush qëndronte pas projektit.
Më tej akoma, mnistrja e dikurshme e Ekonomisë Milva Ekonomi, jepte këto hollësi për projektin në një intervistë të datës 22 korrik 2016:
Gjatë 3-6 muajve të parë do të kryhet punë studimore në terren, përfshirë hetime për kufijtë, topografike, hidrologjike dhe gjeologjike. Brenda 4 muajve, “Star Bridge” do të ketë finalizuar detajet dhe qëllimin e përmbajtjes së projektit dhe do të fillojë fazën e programimit përgatitor të ndërtimit, e cila do të marrë 10-12 muaj. Ndërtimi do të fillojë ndërmjet muajit të 12-16. Faza e ndërtimit do të marrë 5-6 vjet, por porti do të bëhet operacional brenda kësaj periudhe. Kush do ta thotë fjalën e fundit pasi të jetë miratuar nga qeveria kontrata me këta investitorë? Ky projekt-ligj parashikon që mbas hyrjes në fuqi të tij të ngrihet menjëherë grupi teknik i negocimit të kontratës. Afati negocimit do të jetë 45 ditë dhe, me nënshkrimin e kontratës, Këshilli i Ministrave do t’i drejtohet Kuvendit me një projekt-ligj për miratimin e kontratës. Pra, fjalën e fundit do ta thotë Kuvendi i cili, me miratimin e kontratës, finalizon procesin dhe i hap dritën jeshile nisjes së punimeve, pra zbatimit të projektit
http://www.respublica.al/2016/07/22/intervistadetajet-e-megaprojektit-5-...
Ka ndodhur ndonjë gjë prej këtyre që na thotë ministrja? Me sa dimë jo dhe po kaq i intereson edhe PD-së që ka firmë në ligjin që ka hapur procedurat. Edhe ky projekt mund të hamendësojmë se legjitimoi gjithfarë kredish në vende të caktuara ku origjinojnë kompanitë propozuese të cilat përdorin një akt të parlamentit si garanci për kredidhënësit.
Këtu: http://www.javanews.al/deshton-porti-karpenit-avokatura-e-shtetit-akuzon-ministrine-e-drejtesise/
sqarohet se projekti dështoi për shkak të zvarritjeve. Por a ka vallë ministër në Shqipëri që zvarrit punën për 5 miliardë dollarë? Patjetër që jo dhe këto argumente janë shakatë e republikës së bananeve.
Në këtë kuadër mbetet të shpresohet se PD-ja duhet të ketë dëshirën të na informojë më shumë për 5 miliardët e Karpenit, përpara se të mjegullojë me deklaratat e z. Çollaku që sërish e theksojmë: NUK SQARON ASGJË.
Add new comment