Sikleti i anëtarësimit të Shqipërisë në Konferencën Islamike

Postuar në 15 Dhjetor, 2017 18:36

Dje ministri i Jashtëm dhe për Evropën, Ditmir Bushati, foli në Parlament për qëndrimin e Shqipërisë në Konferencën Islamike, mbledhur në një session të jashtëzakonshëm me kërkesë të Turqisë. Samiti u thirr pas vendimit të SHBA për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Z. Bushati I pëlqen të bëjë profesorin sa herë që flet; edhe dje në parlament ai sqaroi me rigorozitetin e një qëmtuesi detajesh se Konferenca tani ka ndryshuar emër dhe se aty nuk votohet.

Në fakt çështja është tjetër gjë dhe hollësitë teknike të parapëlqyera nga z. Bushati nuk përbëjnë asnjë interes. Për pyetjen se çfarë qëndrimi ka Shqipëria, ministri tha se vendi ynë nuk ka ndryshuar pozicion për Jeruzalemin, se i përmbahet rezoluztave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së etj.. Më tej, i njëjti ministër që ka autorizuar qëndrime zyrtare edhe për testet bërthamore të Koresë së Veriut ka deklaruar se heshtja e deritanishme e Tiranës zyratre ka ardhur për shkak të faktit se “kjo qeveri nuk vuan nga ndjenja e gjigandomanisë”. Një alibi kjo që i rrëshket sikletit të vërtetë në këtë rast e që është ai se një Jo për Jeruzalemin kryeqytet në fakt do të thotë pozicionim kundër politikës së SHBA, që hapi këtë lojë.

Për të shmangur një sulm të opozitës, z. Bushati deklaroi se pjesëmarrja e Shqipërisë në Konferencën Islamike nuk është e nivelit politik dhe se anëtarësimin e vendit tonë në të e ka bërë Sali Berisha në vitin 1992. Ky argument që hidhet si e si për të shmangur diskutimin e vërtetë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria në raste delicate si ky i tanishmi, ka Brenda edhe një moment të gënjeshtërt historik. Që riprodhohet bujarisht nga mediat pranë qeverisë me gjithfarë skenarësh konspirativë.

Është e vërtetë se vendi ynë u anëtarësua në KI në vitin 1992, por procesi kishte zënë fill më herët me qeverinë e socialistëve të z. Bushati. Ja se çfarë dëshmonte në një intervistë të vitit 2010, ish-ministri i Jashtëm Muhamet Kapllani, i cili udhëhoqi diskutimet e para për pjesëmarrjen e vendit tonë në KI:

Lidhur me pjesëmarrjen e vendit tonë në Konferencën Islamike vlen të vë në dukje se vende arabe dhe afrikane me ndonjë rast kishin sugjeruar që Shqipëria të mund të ishte pjese e Organizatës së Konferencës Islamike. Në Sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në shtator '91, mua më kërkoi takim zyrtar me cilësinë e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në qeverinë e Stabilitetit Kombëtar, sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Islamike.

Në këtë takim ai shprehu habinë për të mos thënë pakënaqësinë që Shqipëria mbante një qëndrim të ftohtë ndaj OKI(Konferenca Islamike) dhe nuk kishte marrë pjesë në asnjë mbledhje të saj, qoftë edhe si e ftuar. Unë i shpjegova zyrtarit të lartë islamik se Shqipëria ushqente ndjenja miqësore ndaj vendeve islamike dhe respektonte kontributin e tyre në thesarin e kulturës botërore.

Po ashtu shpjegova qartë se Shqipëria është një vend europian, me një popullsi multi-religjioze të përbërë nga myslimanë, ortodoksë, katolikë e bektashinj. Kjo është një ndër arsyet që nuk e gjejmë oportune të bëjmë zgjedhje preferenciale në favor të vetëm popullsisë myslimane. I shpjegova sekretarit të Përgjithshëm të OKI-së se jemi të gatshëm të asistojmë në takime e konferenca tuaja si të ftuar.

Pas këtij takimi i paraqita një relacion udhëheqjes së lartë të shtetit, Presidentit Alia, ku hodha edhe mendimin se duke u nisur edhe nga lidhjet historike e kulturore me botën arabe e myslimane mund të shikohej mundësia e marrjes nga vendi ynë të statusit të observatorit (vëzhguesit), i bindur se kjo përbënte një zgjedhje kompromisi që nuk dëmtonte interesat e vendit, por e trajtuar me finesë e diplomaci mund t'u shërbente këtyre interesave. Në dhjetor të po atij viti, '91, unë kryesova një delegacion shqiptar në Samitin e Konferencës Islamike në Dakar të Senegalit. Kjo shënon edhe krijimin e raporteve të para të vendit tonë me këtë organizatë.

Më pas Shqipëria njohu ndryshimin e sistemeve dhe në mënyrë të natyrshme mjaft zhvillime të rëndësishme si në politikën e brendshme dhe në atë të jashtme. Në këtë vazhdë dhe në këtë kontekst, më pas shteti shqiptar u bë anëtar i Organizatës së Konferencës Islamike. Gjykoj se në mjaft raste kjo është trajtuar në mënyrë simpliste, sikur me këtë zgjedhje janë tradhtuar interesat kombëtare. Gjërat nuk janë kështu bardhezi. Marrëdhëniet ndërkombëtare janë shumë më komplekse dhe të ndërvarura; sidomos në botën e sotme

https://groups.yahoo.com/neo/groups/alb-muslimnews/conversations/messages/11088

Sali Berisha mund të akuzohet për çdo gjë dhe del i larë me përgjegjësitë, por jo për disa gjëra për të cilat janë më komplekse se fuqitë e tij. Në fund të fundit, z. Bushati, në dritën e këtyre pohimeve që ka bërë dje në Parlament, i detyrohet publikut shqiptar një shpjegim: A do të ndërmarrë qeveria ku ai bën pjesë nismën për t’u tërhequr nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik? Pyetje që lidhet me atë nëntesktin prej akuzatori që kishte pohimi i tij se “Shqipërinë e anëtarësoi në KI Sali Berisha”, por edhe me një aspect kushtetues e juridik, përderisa një ndër synimet e kartës së KI-së është edhe çlirimi i Jeruzalemit dhe riafirmimi i karakterit islamik të tij. Është një objektik qartazi që bie ndesh me Kushtetutën shqiptare.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Po qe nuk eshte ratifikuar me ligj nga Kuvendi pjesemarrja ne kete organizate, nuk iu duket me vlere ta permendni?! Se juridikisht kjo eshte e gjitha.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.