Nuk ka nevojë për një portal më shumë
Kryetari i opozitës parlamentare, z.Lulëzim Basha, ka artikuluar këto dy ditë akuzën më të rëndë politike që është bërë ndoshta në dy dekada. Sipas tij inkriminimi i ekonomisë dhe qeverisjes ka arritur deri në atë pikë saqë edhe projektbuxheti është në funksion të pastrimit të parave të drogës. Duke marrë të mirëqenë të dhënat se sasia e parave të drogës që hamendësohet që xhiron në një vit në Shqipëri, është më e madhe se vetë paraja e buxhetit vjetor, atëherë është e qartë se akuza është edhe më e rëndë. Sigurisht që Shqipëria e përfytyruar kështu është në kushtet e një pike ndërkombëtare pastrimi dhe për këtë arsye z. Basha me lehtësinë e zakonshme të politikës shqiptare ka kërkuar që buxheti ti nënshtrohet një hetimi nga agjencitë amerikane.
Por a mjafton kjo akuzë e opozitës dhe e z. Basha? Projekti do të miratohet, opozita do të vazhdojë me këtë kauzë të re për të mjelë rrugës pazaret që mund të dalin me një pushtet që po dëshmon një zhveshje të plotë nga skrupujt dhe nga komplekset kur para syve të socialistëve voton për Ilir Metën president, apo emëron Visho Ajazin për ambasador.
Qeverisja kuqezi është patjetër një kapërcim kufijsh që e tret atë kufirin e zakonshëm mes dy kampeve, aq i nevojshëm për të gjeneruar energjitë pozitive të ndryshimit. Çfarë ngjyre i mbetet pra opozitës? Ose asaj që luan këtë rol. Kjo është një pyetje që merr përgjigje nga veprimet dhe qëndrimet e PD-së, e cila nuk ka sot një program apo vizion të dallueshëm mbi të cilin të analizohet. Dhe qëndrimet e fundit të PD-së ftojnë për nevojën e një aksioni kombëtar kundër krimit, mafies, kapjes së ekonomisë. Sipas kësaj retorike jemi në kushtet e një emergjence për daljen nga e cila nevojitet një model si ai i Mani Pulite në Italinë e viteve ’90. P
or a është z. Basha, PD-ja dhe vetë reforma në drejtësi një mundësi në këtë drejtim?
Nëse shohim historinë politike të z. Basha, por edhe atë rrugëtim të PD-së që nga humbja e pushtetit, përgjigja është Jo. Por edhe sikur të heqim mënjanë këtë aspekt dhe të marrim në konsideratë thellësinë e operacionit që nevojitet dyshimi është dominues. Të dhënat e operacionit të Mani Pulite flasin për përmasën e asaj që duhet të ndodhë për të rikthyer sadopak besimin te ligji.
Me Mani Pulite mori fund Republika e Parë. Nga skena u zhdukën disa parti, nën hetim u vunë 5000 figura publike, u shkrinë 400 këshilla qytetesh, politikanë dhe liderë të industrive vranë veten dhe nën akuzë u vunë më shumë se gjysma e parlamentit. Operacioni nxori edhe shifra konkrete për paratë të korrpusionit me kontratat me qeverinë: 4 miliardë dollarë në 10’vjet
Sikur të bëjmë një pjesëtim me 4 të çdo të dhëne, e sigurt është se dalim në përfundmin se një operacion i ngjashëm në Shqipëri do të eliminonte elitën e tanishme në vend. Edhe sikur ky operacion të ecte me gradualitet.
Është përmasa e inkriminimit që artikulon opozita ajo që dënon me vdekje mundësitë e saj për të ofruar zgjidhje reale dhe të besueshme. Z. Basha është larg të qenit një njeri i vendimeve të mëdha, apo edhe një njeri që jep sigurinë e një vullneti maksimal. Ai sot thjesht akuzon, por nuk ka asnjë rresht se çfarë plani kampër sektorin bankar ku lëvizin paratë, për konçesionet, për drogën dhe zyrtarët e pasuruar. Dhe nuk ka sesi të ketë.
Për këto arsye, për fatin e keq tonin, PD-ja dhe partneriteti i saj me LSI-në janë asgjë më shumë se pazari alternativ ndaj pazarit në fuqi. Opozita e sotme është veçse një portal më shumë, por me disa privilegje shtesë. Madje me shumë privilegje shtesë. Që denoncon atë që do dhe i leverdis, për ta postuar drejtësinë në një adresë të panjohur të së ardhmes. Ky është një minus thelbësor që flet për ezaurimin e mundësive reale politike brenda sistemit.
Add new comment