A duhet folur troç me Greqinë?
Poterja greke në Himarë nuk është as e para dhe as e vetmja pas viteve 90 dhe ajo që ka ndodhur rëndom ka qënë lepe-peqja dhe heshtja zyrtare prej nesh. Me përjashtim disi të qeverisë Rama. Politika greke e di fare mirë që kërkon qiqrra në hell. E di por sërisht provokon dhe përmënd vënd e pa vënd veton ndaj integrimit në BE. Sot e ka radhën prapë Himara të bëhet lajm me zor. Njësoj sikur të bëhet fjalë për Athinën! Një lloj repeteje, një kthim në pikën Zero, pavarësisht heshtjes apo reagimit të mefshtë zyrtar tonit në vite. Ndaj dhe sot lind pyetja nëse po fiton apo jo kauza shqiptare duke ndukur gjuhën politika zyrtare apo ndoshta thënia e gjërave troç mund të jetë më produktive për ne?
A është heshtja flori?
Heshtja ende justifikohet me merakun se Greqia mund të na prishë punë me integrimin në BE, mund të bëjë “fshesë” mes emigrantëve, të ulë traun e doganës, të mos begenisë takim kryeministrash etj. Por ja që sërisht trazohet Himara, sërisht përmëndet veto dhe provokimi se rruga për në BE kalon përmes Athinës etj!
Dhe nuk ka si ndodh ndryshe. Greqia, sikurse dhe Serbia, kanë një hall të madh. Janë zgjeruar në kurriz të kombit shqiptar dhe kanë bërë genocid ndaj tij. Dhe sa kohë nuk bëjnë “ekzorcizëm” historik, duke filluar me një ndjesë shtetërore, janë të dënuar të vuajnë “karmën” negative të 1913. Në mungesë të vullnetit për reflektim, ata nuk kanë opsion tjetër veçse të mbrojnë “plaçkën” e vjedhur të 1913. Himara apo “shashkat” e tjera (vorioepiri, garazhet e “minoritarëve” etj) janë thjesht tymnaja për të mbajtur kutinë e Pandorës të mbyllur fort. Ato janë thjesht kauza “fiction” që spostojnë vëmëndjen nga kauzat reale si çështja çame, të drejtat e mohuara të arvanitasve dhe emigrantëve, tokat që kanë zot deri në gjirin e Artës etj.
Integrimi në BE e fuqizimi i faktorit shqiptar është gjëja e fundit që duan fqinjët tanë. Imagjinoni efektin që do të ketë në rajon një Shqipëri në BE. Politikat absurde greke do të marrin fund. Të parët çamët, nuk do t’i pengojë më kush të shkojnë e gëzojnë pasurinë në Greqi. Faktori shqiptar do të konsolidohet pakthim dhe zëri arvanitas do ndjehet fort, shqiptarët e Greqisë do të flasin në Parlamentin Europian dhe paradokse e turpe historike si ligji luftës, mohimi i minoritetit arvanitas, mohimi i genocidit çam, presioni asimilues ndaj emigrantëve etj do të pataksin këdo në Bruksel.
Ndaj dhe veto greke nuk është thjesht retorikë. I bie të jetë jetike për nacionalizmin e populizmin atje dhe në pamundësi për t’a deklaruar hallin e madh që u la 1913 në derë (po shtyve kufirin e tjetrit, domosdo do pranosh e respektosh edhe minoritetin që krijon ai), opsioni i vetëm mbeten sebepet që serviren si “argumente” për veton ndaj integrimit në BE.
Përse duhen hapur “letrat” me Greqinë?
Në këto kushte, sfida për debat publik e zyrtar për çështjet e nxehta që refuzohen edhe të njihen nga Greqia, nuk do të na dëmtojnë aq sa na ka dëmtuar heshtja vite me rradhë. Fqinjësia e mirë ngrihet mbi bazën e drejtësisë dhe respektit dhe sikurse Rama nxit Serbinë të njohë Kosovën si shans edhe për atë vetë, edhe Greqia do shpëtojë nga makthi i së shkuarës duke qënë objektive ndaj saj. Komunikimi troç do të ofrojë shans për të gjithë. Ai mundëson:
Së pari, fqinjësinë e duhur e vëllazërore mes dy popujve binjak në rajon (me miliona shqiptarë në atë anë të kufirit) që ndajnë zakone dhe tradita mijravjeçare bashkë, ngushton hapësirat për nacionalizmin në rajon dhe konsolidon paqen në kufirin jugor të BE. Dhe nuk bëhet fjalë për reciprocitet që ka vlerë kur palët janë në të drejtat e tyre dhe kanë ç’shkëmbejnë por për drejtësi historike përballë mosreagimit ndaj krimit të së shkuarës. Reciprociteti tingëllon hakmarrje dhe kjo nuk shpie kund.
Së dyti, teston iluzionin se vetëm heshtja ndaj politikave provokuese atavike në rajon, hap rrugën drejt BE dhe i bën “bllof” kërcënimit me veto të politikës greke pas të cilës nuk është Himara apo sebepet që thuhen por halli i madh me gjenezë 1913 (paradoksalisht, pikërisht hapja e letrave, do të parandalonte edhe veton greke). Por, nëse ndodh veto, do dalin në pah edhe arsyet reale historike pas saj dhe “topi” do të shkonte përfundimisht në Greqi. Kësisoj, Himara, vorioepiri, varrezat etj, do të rreshtnin së bezdisuri më këdo në Shqipëri e Perëndim.
Së treti, hapja e letrave do të rriste më tej dinjitetin e shtetit shqiptar në botë sepse do të hidhte dritë mbi rolin unik të Shqipërisë në stabilitetin rajon paçka se mbetet më e prekura në rajon që prej vitit 1913 dhe ka për ironi një fqinj refraktar, anëtar i … BE! Shqipëria duhet të refuzojë të etikohet për nacionalizëm. Thjesht po kërkon të drejta që perëndimi i ka të shënjta vetë dhe drejtësi për çështjet e nxehta të ligjit të luftës, genocidit çam etj. Tek e fundit, dera e BE nuk u mbyll as për Serbinë e luftrave!
Së katërti, nga ballafaqimi korrekt nuk humbet emigracioni shqiptar në Greqi. Përveçse të stabilizuar në masë, ata janë më së pari jetik për mirëqënien e vetë shtetit grek dhe “fshesat” do të ishin bumerang për të.
Së fundi, ekspozimi i dosjes shqiptare në gadishullin Ilirik do të testonte koshiencën dhe vullnetin demokratik të BE dhe Greqisë si pjesë e saj. Alibi si ligji për minoritetet, Himara, varrezat etj nuk do të pinin më ujë sepse dhe “ufo”-t do e kuptojnë se lepuri fle gjetkë. Duke djegur alibitë, kjo qasje ekspozon arsyet reale dhe ato bëhen kryefjalë.
Gjeopolitika perëndimore, SHBA e BE, e tejkalon atë greke në gadishullin Ilirik ndaj veto greke, edhe nëse ndodh, nuk mund të marrë peng gjatë integrimin në BE ndërkohë që fatura për Greqinë do jetë diskretitimi i vëndit që mburret me demokracinë më të lashtë në botë!
Gjithkush në perëndim po ngre sot shqetësimin se Rusia trazon ujrat në gadishullin Ilirik. Për rrjedhojë një veto absurde greke rrezikon të perceptohet si reminishencë e frymës së shkuar bizantino-ortodokse që kërkon të marrë peng aspiratën e rajonit për integrim në BE dhe veçanërisht të Shqipërisë si shtet më pro-amerikan në botë. Nëse kështu, integrimi në BE i Shqipërisë është edhe sfidë perëndimore ndaj obskurantizmit bizantin e lindor. E vetmja mënyrë për t’a mësuar është të thuhen gjërat troç.
Ndërkohë kauza shqiptare në Greqi ka nevojë për publicitet. Sikurse shpurat zyrtare greke zbarkojnë vënd e pa vënd në Shqipëri me alibi pafund, deputetët tanë, qeveritarët, media shqiptare etj, duhet të dalin matanë kufirit dhe të verifikojnë e denoncojnë në terren dramën shqiptare atje. I kanë mjetet, imunitetin, kauzën dhe askush nuk mund t’i ndalojë në epokën e komunikimit palimit përveçse me çmimin e skandalit që merr dhenë. Ia kanë borxh historisë t’a hedhin “topin” në Greqi!
Comments
Mire ti se e analizove
Mire ti se e analizove situaten gjeo-politike te ketij 100 vjecari te fundit ne Ballkan, por per problemin e pronave ne Bregdet nuk fole fare, as per grabitjen qe eshte bere ne kete zone gjate ketyre 27 vjeteve nga gjithfare "te fortesh" nuk u kujtove te flasesh, dhe as hapjen e rruges se tanishme mes pronave mijravjecare te panjohura akoma nuk e permende fare!
Add new comment