Krizë besimi, jo krizë argumentesh
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, njoftoi dje gjatë një takimi me gazetarët, se do të nisë një tur takimesh me biznesin e vogël për konsultime dhe për të përgatitur kundërshtimin e përfshirjes në regjimin e TVSH-së të kësaj kategorie.
“E para, do të rriten çmimet. Do të rriten çmimet anembanë vendit për konsumin e qytetarëve, do të rriten 5%, 10%, 15% apo 20% kjo do të variojë.
Efekti i dytë paralel do të jetë mbyllja, falimentimi i numrit të madh të bizneseve të vogla që nuk do të përballojnë dot koston e shtuar të operimit, kur të jenë brenda skemës së TVSH-së. Ato që nuk do të mbyllen dot do të ndalin investimet, do të ndalin rritjen, pra do të jetë një cikël krize për biznesin e vogël.
Dhe efekti i tretë, do të jetë pikërisht ajo e faturës së shpenzimeve sepse që të kontabilizojnë, të llogarisin TVSH-në, 20% që do t’ia përcjellin konsumatorit dhe pastaj do ta kërkojnë si kreditim nga shtetit, do tu duhet 100-150 mijë lekë kosto shtesë për çdo biznes, për kontabilitet”, tha ndër të tjera Basha. Ai ka përsëritur propozimin e PD-së që kufiri i TVSh-së për biznesin e vogël të jetë 12 milionë lekë, çka sipas tij, do të dekurajojë transaksionet pa faturë tatimore dhe do të ulë informalitetin.
Qysh në fillim duhet të themi se z. Basha është tërësisht legjitim në këtë nismë. Si opozitar ai ndërmerr një tur kontestues nisur jo thjesht nga populizmi, por edhe nga një analizë e thjeshtë se nisma e qeverisë do të pasojë me rritje çmimesh. Po të kthehemi pas në fushatën elektorale, disa nga propozimet e PD-së ishin jo të këqija, madje mirë është që qeveria të aplikojë disa prej tyre, por pakkush dëgjoi. Dhe këtu ngre krye ai problemi i madh që kemi me besueshmërinë e opozitës akuale. Në katër vitet që shkuan, qeveria e Edi Ramës ndërmoi masa të forta që rritën kostot e jetesës. P.sh u hoq fasha mbrojtëse prej 300 kë për energjinë elektrike, u rrit çmimi i saj, pra edhe kostoja mujore, dhe asgjë nuk ndodhi. Socialistët rritën taksat lokale, të paktën në Tiranë, pati një protestë të tregëtarëve të vegjël dhe sërish asgjë nuk ndodhi. Bashkia e Tiranës imponoi një taksë të përkohshme për arsimin dhe situata është po ajo.
Qeveria ndëmori në vitin 2015 një aksion kundër informalitetit që preku biznesin e vogël. Aksion legjjitim sigurisht, por i disproporcionuar dhe me mjete policore.
Në bilanc të fundit, pavarësisht kësaj, e njëjta qeveri akumuloi më shumë vota sesa në vitin 2013. E lexuar pa asnjë kontekst, kjo votë do të sillte mesazhin: Edi Rama premton shtet dhe reforma dhe shqiptarët e mbështesin. Është lidhje organike votash që e bën racionalitetin e nismave të opozitës të pavlerë sa kohë që një kauzë e rëndësishme dhe me argument nuk përfillet. Z. Basha mund të ketë bërë një analizë të vërtetë për çështjen e TVSH-së, por besueshmëria e tij është problem themelor. Jo vetëm për atë që përfaqëson me veprimet e veta, por edhe sepse në diskutimin për TVSh-në duhen shteruar mirë arsyet e kundërshtimit, duhen ofruar të dhëna konkrete dhe shifra. Mund të duket paradoksale dhe me kosto, por koha për një opozitë të një lloji tjetër që paraqitet si zëri i arsyes dhe jo i kundërshtisë patologjike, ka ardhur. Të paktën për disa çështje, ka një kategori shqiptarësh që duhen trajtuar me më shumë respekt: pa retorikën dhe dhembshurinë e shtirur të politikës, as demagogjinë pa kuptim. Por me një frymë tjetër debati. Sado e ndërlikuar dhe pa bereqet të duket kjo politikë e privuar nga spektakli i lidershipit që bën çudira, ajo e ndan opinionin, i cili sot kërkon një variant në politikë përveç qeverisë, por ende nuk e gjen. Dhe ky është problem shumë serioz i Partisë Demokratike, por sidomos i qytetarëve shqiptarë vetë. Nuk ka të bëjë kjo në vetvete me çështjen e TVSH-së për të cilët edhe ekspertët më të mirë mund të kenë mendime të ndryshme, por për një raport të ri që opozita duhet të ketë me veten dhe kërkesat e qytetarëve. Fitorja e një debati të rëndësishëm, ndonëse mund të mos detyrojë qeverinë të ndryshojë qëndrim, është moment korrigjues, që nëse shumëfishohet me momente të tjera, i jep konsistencë aksionit opozitar dhe ia heq atij varësinë nga aventurat naive dhe me zarar si ato të 18 majit.
Add new comment