Erdogan në udhëkryq, Tirana ndjen kapistrën e BE
Tirana zyrtare është ndeshur ditët e fundit me kritikat dhe zemërimin e Ankarasë për lirimin nga Gjykata e Durrësit të "gylenistit", Mohamed Jasir Aidognuz.
Në qiellin e pastër deri dje të vllazërisë dhe partneritetit strategjik shqiptaro-turk duket se janë shfaqur re që lidhen me litarët që tërheqin kapistrin e Tiranës nga Brukseli dhe Uashingtoni. Të dyja këto qendra të politikës globale janë në përplasje me Turqinë e Erdogan.
Është e qartë se marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë nuk po kalojnë kohën më të mirë të mundshme. Një nga pikat e forta të fërkimit është vendimi i turqve për të lidhur një aleancë joformale me interes afatshkurtër me Iranin dhe Rusinë, duke lënë në plan të dytë objektivin e tyre të mëparshëm strategjik për përmbysjen e presidentit sirian Al-Assad.
Diçka që logjikisht ka krijuar fërkime midis Ankarasë dhe Uashingtonit. Nga ana tjetër, mbështetja e vazhdueshme e kurdëve siriane nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të sukseseve në betejat kundër Shtetit Islamik ka larguar edhe më shumë tuqit nga amerikanët. Një faktor i tretë që do të çojë në një rishikim të strategjisë së politikës së jashtme turke është rënia e vazhdueshme e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian, dhe veçanërisht marrëdhëniet e këqija që janë krijuar midis Gjermanisë dhe Turqisë.
Ky realitet i ri gjeopolitik favorizon fqinjët tanë, Greqinë dhe Serbinë, të cilat janë vende me peshë më të madhe politike se Shqipëria për disa arsye. Kjo shpjegon edhe vizitën pompoze të Erdogan në Beograd dhe udhëtimin e kryeministrit grek Aleksis Cipas për t'u takuar me presidentin amerikan, Donald Trump.
Add new comment