“Në Shqipëri ka Mafie dhe ajo qarkullon më shumë para se buxheti i shtetit
Ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka komentuar në profilin e tij në Facebook ngjarjen e Elbasanit e cila po synohet të mbulohet dhe të tjetërsohet përgjegjësia e autorëve të vërtetë. Nishani thotë se në Shqipëri ka Mafie, krimi është organizuar deri në këtë pikë, pohim ky që sipas disa të tjerëve nuk qëndron.
“Sulmi agresiv i bandës së Elbasanit mbi policinë konfirmoj faktin e dhimbshëm se krimi i organizuar në Shqipëri ka arritur formën më të lartë të organizimit, Mafien. Në historinë botërore të këtij organizimi konfirmohen të njëjtat karakteristika. Pasuri miliardëshe nga trafiku i drogës, korruptimi i policisë, lidhjet me nivelet e larta politike përmes mbështetjes elektorale, marrja e aseteve dhe pasurive publike dhe kulmon me agresionin arrogant ndaj vetë shtetit. Në Shqipëri trafiku i drogës mori përmasat e bisnesit miliardësh gjatë dy viteve të fundit. Në 2016-2017 sasia e parave të përfituara nga kjo veprimtari kriminale e kalonte buxhetin vjetor të shtetit. Në vende të tilla si Kolumbia, Meksika apo të tjera të Amerikës së Jugut të cilat kanë qenë dhe epiqendra botërore të trafikut të drogës ky bisnes kriminal kapte miliarda por jo tē tejkalonte buxhetin e vetë shtetit. Rasti ynë duket më i dhimbshëm”, shkruan ndër të tjera ish-presidenti.
Sipas tij banda e Elbasanit nuk është e vetme në pikëmbërritjen e vet deri në nivelin e Mafies.
“Banda e Elbasanit nuk është e vetmja që ka arritur formën e lartë të organizimit kriminal, atë mafioz. Banda të tilla kemi parë në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër etj. Ky ishte dhe dështimi më i madh i shtetit. Shqipëria nuk mund të lejohet të kthehet përfundimisht në vendin ku anëtarët e klaneve mafioze të kapardisen rrugëve, restoranteve, kafeneve të qyteteve tona. Me armë në brez të gjobisin çdo bisnes dhe trafikojnë çdo vajzë që piketojnë…Beteja me të tani është betejë që nuk mund të ketë kthim pas. Ajo nis e mbaron tek pasuritë e paligjshme të saj. Tek paratë e pista që lehtësisht sekuestrohen”, shton Nishani që I bën jehonë kështu thirrjes së pak ditëve më parë të ambasadorit amerikan Lu.
Add new comment