Kur kufirin e ndajnë shqiptarët
Qeveria e re e Kosovës e drejtuar nga Ramush Raradinaj ka si një nga sfidat e veta kryesore, marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Marrëveshja u nënshkrua dy vjet më parë nga qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa, por nuk është ratifikuar nga parlamenti kosovar. Gazetat kosovare citojnë sot Halil Matoshin nga kabineti i Kryeministrit, të jetë shprehur se për çështjen e demarkacionit nuk përjashtohet edhe Arbitrazhi Ndërkombëtar.
Pala kosovare i referohet nenit 2 të Marrëveshjes, e cila përcakton “mundësinë e korrigjimit të procesit dhe përmban edhe dispozitën që përcakton se nëse palët pajtohen për ndryshimin dhe plotësimin e dispozitave të Marrëveshjes, mund të kërkohet edhe Arbitrazh Ndërkombëtar”. Qeveria e Haradinajt ka ngritur një komision të ri për këtë çështje, pasi pala kosovare pretendon se me Marrëveshjen e nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë nga ish-ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, Kosova humbet 8000 ha.
Ky rast I Kosovës është identik i ngjashëm me atë të Marrëveshjes së Detit(delimitimi i ujërave territoriale dhe shelfit continental) mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kemi një qeveri që nënshkruan marrëveshjen në vullnet të lirë, kemi një palë të dytë që gjern tradhëtinë si kauzë dhe e çon në Gjykatë Kushtetuese e kështu me radhë për të mbërritur deri tek ideja e Arbitrazhit Ndërkombëtar.
I cili patjetër që do të marrë në konsideratë edhe ecurinë e procesit. Në përgjithësi Arbitrazhi ka kuptim kur mes palëve nuk gjendet gjuha dhe nuk ka marrëveshje dhe jo kur mes palëve ka një palë që ndërron mendje. Sot që flasim qeveria e Kosovës po bën matje për të konfirmuar dyshimet e veta, ndonëse ai që sot është president dhe kumbar i koalicionit qeverisës, dje si ministër i Jashtëm, firmoste marrëveshjen.
Në Shqipëri ka 7 vjet që flitet për grupe pune dhe këto grupe nuk kanë bërë të ditur qoftë edhe një variant të ri. Për aq sa na lë të kuptojmë kjo sjellje, është e qartë se pas vizave që do të hiqen në hartë, sërish do të jenë të huajt, sa kohë që karagjozë si puna e përfaqësuesve shqiptarë vështirë se gjen gjëkund tjetër.
Add new comment