Albanologu Pier Kaban, ministres Kumbaro: Mos e shkarkoni drejtorin e Parkut Arkeologjik të Apollonisë

Postuar në 23 Shtator, 2017 13:37

Genc Burimi, komentator që zakonisht shfaqet në faqet e gazetës “Shekulli”, ka publikuar sot në gazetën “Panorama” një letër për kryeministrin Edi Rama. Letra ngre shqetësimin për largimin nga detyra e drejtorit të Parkut Arkeologjik të Apollonisë, të Marin Haxhimihalit. Ky i fundit sipas Burimit, është kthyer nga Franca 6 vjet më parë, me dëshirën (sic) për të dhënë kontributin e vet në arkeologji, fushë ku edhe është diplomuar. Burimi nuk harron të theksojë edhe hollësinë se Haxhimihali që sot është larguar mga detyra – “pa bujë” – është nipi i Aleks Budës. 
Ministrja e Kulturës pushoi nga puna këtë të premte në mesditë, me një qetësi tronditëse dhe në sekret të plotë drejtorin e Apollonisë, Marin Haxhimihali, arkeolog nga diaspora me 20 vjet banim në Paris, që u kthye gjithë idealizëm para 6 vjetësh t’i shërbejë kulturës së vendit. Nipi i Aleks Budës s’mund të ndihej mirë vetëm në tokë ilire. Me heqjen e tij pa bujë, kjo qeveri firmos triumfin e injorancës dhe kulmin e hipokrizisë, pasi krijoi për sy e faqe një ministri diasporë, gjoja për të tërhequr më të mirët”, shkruan Burimi. 

Përveç faktit se kemi një kundërthënie mes apelit për integrimin e kontributeve të diasporës dhe largimit nga detyra të Haxhimihalit (ndonëse Ministria e Kulturës ka të drejtën të shprehet apo të vendosë), Burimi sjell edhe një element tjetër që ka rëndësi jo të vogël. Për largimin e arkeologut në fjalë, ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro I ka shkruar edhe arkeologu i njohur francez, Pierre Cabannes. 
...E njihni mirë, besoj, Pier Kaban, albanologun e famshëm francez që udhëhoqi në vitet ‘70 të parin mision të huaj arkeologjik në Shqipëri, ku diktatura i kishte ndaluar që prej gërmimeve të fundit të Leon Rey në Apolloni para Luftës së Dytë botërore. Ndonëse në moshë mjaft të thyer, por me mendjen plot dhe me dashuri të pangopur për Shqipërinë, Pier Kaban morri në fillim të javës penën për t’i shkruar ndër të tjera këto rreshta zonjës Kumbaro:

Zonja Ministre…, më lejoni t’ju rrëfej se që prej vdekjes se të ndjerit Profesor Aleks Buda, ndiej një amanet të kujdesem për nipin e tij, që ma besoi pak para vdekjes dhe që e formova vetë. Ju e dini se sa shumë vepra e tij mundësoi të shpëtonte një pjesë të rëndësishme të thesarit kulturor shqiptar në kohën kur diktatura mendonte ta shkatërronte në emër të ateizmit që pllakosi vendin më 1967.
Mendoj se Marin Haxhimihali meriton të vazhdojë në këto gjurmë dhe të kryeje misionin e tij në Apolloni në lidhje të ngushtë e të frytshme mes arkeologësh shqiptarë dhe francezë”. Kjo ndërhyrje e sinqertë dhe e largët veçse ia paska shtuar bindjen ministres së Kulturës së Shqipërisë se nuk është e nevojshme që të lihet një arkeolog në krye të një parku arkeologjik

vijon Burimi, edhe ky vetë me banim në Francë. I cili përtej konsideratave për kryeministrin – njeriun që vjen nga kultura – ka edhe këtë apel: 

O ndryshoni politikë Kryeministër, o do ju ndryshojnë. E trishtë si u arrit në këtë pikë t’ju jepet juve, i supozuar i ardhur nga kultura, këshilla për kulturën, kopshti juaj sekret. S’ju ka mbetur tani, veçse të mbillni dhe Apolloninë me hashash!

http://www.panorama.com.al/leter-te-hapur-kryeministrit-stop-fillimit-te...

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.