Nën darën e gjeneralëve dhe të medias

Postuar në 23 Gusht, 2017 22:33

Marrëdhënia e mediave krysore amerikane me administratën e Trump ka kaluar në armiqësi të hapur duke denatyralizuar rolin e të dyja palëve. Ndonëse Donald Trump po bind shumicën e njerëzve se ai krijon probleme jo të vogla me sjelljen në drejtimin e ekzekutivit në ShBA, sulmet ndaj tij janë të këtilla që lënë në hije reagimet verbalisht iracionale të tij. 
Një i tillë është edhe një shkrim në “The Washington Post” me autor Philip Rucker dhe Robert Costa, i pari reporter me përvojë në mbulimin e zhvillimeve politike në Kongres dhe Shtëpinë e Bardhë. 
Nga rreth 30 minuta fjalë që Trump mbajti para ushtarakëve në Fort Meyer mbi strategjinë e re të ShBA në Azi, gazeta dhe autorët kanë “hulumtuar” ndër të tjera edhe një hollësi për të diskredituar qasjen “çuditërisht” racionale të Trump ndaj Afganistanit. 

https://www.washingtonpost.com/politics/its-a-hard-problem-inside-trumps...

Në ndryshim nga sa ka thënë më parë, presidenti amerikan deklaroi se ShBA nuk do të tërhiqet nga Afganistani, vendim ky që është në përputhje me të gjitha analizat e bëra që rekomandojnë stabilizim mandej largim. Trump madje ka kërkuar angazhim nga vetë afganët, nga India dhe ka kërcënuar Pakistanin se po mbështet terroristët. Një qëndrim që gazeta e cilëson “konvencional” meqenëse Trump, që nuk mund të rrijë dot pa thënë atë që mendon, deklaroi se ai “historikisht i beson instikteve të tij”.

Cila është hollësia që e bën vendimin e marrë sërish anormal? 
Autorët kanë zbuluar se një mënyrë për t’i mbushur mendjen Trump të mos tërhiqet nga Afganistani ishte t’i tregohej atij se ky vend nuk ka qenë përherë kështu si sot. Manipulimin e presidentit amerikan e ka bërë këshilltari për Sigurinë, McMaster, njeriu që ka më së shumti konflikte me stafin e djathtë të Trump. 

I vënë mes këshilltarëve rivalë presidenti u lëkund mes impulseve të tij militariste dhe anti-intervencioniste. I paduruar gjatë seancave të mbyllura, Trump kishte dëshirë të riimagjinonte politikën amerikane në Azinë Jugore nën logon “Amerika në fillim”. Por qëkurse u bë president ai është përballur me një sërë opinionesh. Sekretari i Mbrojtjes, Mattis dhe këshilltari për Sigurinë H.R.McMaster, të dy gjeneralë me përvojë të gjerë në fushëbetejë në Afganistan, e paralajmëruan Trump për pasojat e një tërheqjeje dhe bënë thirrje për kujdes se çdo lëvizje në Afganistan do të ketë pasoja në rajon. Një nga mënyrat që McMaster përdori për të bindur Trump ishte ta bindte atë se Afganistani nuk ishte një vend i pashpresë. Ai e njohur presidentin me një foto bardh e zi të vitit 1972 ku tregohen femra afgane me minifund që ecin në Kabul për t’i treguar se normat perëndimore kanë qenë aty më parë dhe mund të rikthehen

 shkruajnë autorët. 

Raportimi është igjatë dhe ai zbulon luftën e madhe që është bërë në Shtëpinë e Bardhë për muaj deri sa u vendos adoptimi i kësaj strategjie. Ish – strategjisti i Trump, Stephen Banon është përplasur me gjeneralët për qëndrimin ose jo në Afganistan dhe mesa duket ka humbur. Përkundrejt këtij lëmshi interesash dhe lobimi, presidenti amerikan ka vënë në punë arsyen ndonëse si tërheqja si qëndrimi në Afganistan, do të shin të dyja vendime të mirëkuptueshme. 

Që këtej, thuajse të gjithë mediat kryesore kanë vjelur “argumentin” e fotos, duke e renditur atë në vend të parë të arsyeve pse Trump vendosi të shtojë trupat në Afganistan. Nëse është kështu, atëherë provohet se presidenti amerikan është tanimë një kukull e manipuluar në duart e tre gjeneralëve: Mattis, McMaster dhe John Kelly me establishmentin mediatik si Mareshall i manipulimit të opinionit publik. 

Ky përbën problem shumë serioz. Pak ditë më parë, pas ngjarjeve në Charlottville, në mediat amerikane bëri bujë lajmi se 6 drejtuesit e shërbimeve ushtarake amerikane dolën me deklarata kur racizmit duke mbajtur një qëndrim kundër supremacistëve të bardhë, shumë më përpara dhe shumë më të ashpër se vetë Presidenti. Kjo lëvizje u cilësua si shprehje e një pushteti të ri të ushtarakëve në Washington, diçka që për shumëkënd është shumë më e rrezikshme sesa vetë terrorizmi i djathtë amerikan. 

Kësaj po i ndihmon edhe media që po bën çmon ta nxjerrë presidentin një klloun të paaftë, të cilin mund ta frenojnë vetëm njerëzit e “arsyeshëm” të Shtëpisë së Bardhë si i forti i saj, John Kelly. Disa drejtues të lartë republikanë janë shprehur optimistë se Kelly, Mattis dhe McMaster do të dinë të vënë rregull në kaosin e administratës së re dhe duhet thënë se pastrimi që ndodhi me ikjen e Bannon është një sinjal se një lloj lufte civile brenda ekipit drejtues është duke u zhvilluar. 
Kjo u pa edhe më qartë me urdhërin e Trump për sanksionet ndaj Rusisë ku ai i hapi rrugë Kongresit që ta refuzojë tërheqjen e tyre. Dhe me sanksionet u vazhdua edhe pse ato po e vënë ShBA në kurs përplasjeje me BE-në. 

Rasti më i fundit kur për strategjinë e re në Afganistan të gjitha mediat nxituan që të sjellin në vëmendje si “kryeargument” foton e vitit 1972 është episodi i radhës në luftën mediatike për të neutralizuar çdo aspekt pozitiv të presidentit amerikan që e sheh sot veten në një presion të paprecedent dhe në pafuqi të plotë për të diktuar qoftë edhe një ndryshim minimal në politikën e ShBA. Përtej fjalëve që godasin nuk është parë gjë. Mesa duket është vetëm çështje kohe derisa Trump të reduktohet në një person politik që do ta lërë veten të rendë pas ngjarjeve përpunimin e të cilave për opinionin nuk e ka në dorë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.