Aktrimi ynë kolektiv*
Sot paska vdekur ish-ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës dhe ish-kryeministri i Kosovës, z. Bajram Rexhepi. Ngushëllime familjes së Bajram Rexhepit!
Është bërë zakon tek kultura shqiptare që pas vdekjes së secilit apo secilës nga ne, t'i thurrim lavde e ta hiperbolizojmë veprën, sjelljen dhe të bëmat e të ndjerit/ndjerës. E ky stërzmadhim po bëhet pa filtër e në shabllone bajate...E kjo punë as nuk është në rregull e as nuk është e sinqertë. Pikë së pari ky aktrim i yni kolektiv nuk është shembull i mirë për rininë tonë, nuk është e shëndetshme për fëmijët tanë. Atyre po ju dërgojmë një mesazh jo edukativ, jo të drejtë. Mësime jo të sinqerta e aspak pedagogjike po u dërgojmë ardhmërisë sonë.
Pse kështu?
Është kështu sepse ne po rehabilitojmë veprat, jovlerat, sjelljet, fjalët dhe të bëmat e këqija, të dëmshme dhe johumane para syve të fëmijëve tanë. Ne po barazvlerësojmë veprën e mirë me të keqen. Ne, kësisoji, po rrafshojmë dallimet në mes vlerave dhe jovlerave. Ne po stërkeqim humanen dhe po ushqejmë johumanen, dallaveren, dyftyrësinë, frikën dhe po mbështesim skllavërinë ndaj "pushtetit" dhe ndaj mosguximit!.
Pse e them këtë e pse mendoj kështu?
Bajram Rexhepi sa ishte kryeminstër i këtij vendi njihet për shumë skandale; për ato ekonomike e politike. Flitej se ishte i korruptuar dhe i nënshtruar deri në pikë të fundit ndaj Serbisë dhe strukturave të saj paralele. Ai dihej se ishte edhe i dhunshëm dhe plotësisht i papërgjegjshëm karshi popullit të vet. Ju kujtohet dhuna që ushtroi policia nën komandën e tij, përderisa ai ishte ministër i Punëve të Brendshme? Ju kujtohet dajaku, rrahja, përgjakja, burgosja dhe maltretimi fizik i protestuesve dhe i anëtarëve të LVV-së, nga ky njeri?
Akoma më e rëndë ishte fjalia e tij kur thoshte se "policia ka përdorur forcën në mënyrë proporcionale ndaj protestuesve". Ju kujtohet të nderuar lexues? Gjaku në ftyrat e në trupin e rinisë sonë... e ai lëvdërohej... Ju kujtohet? Mua po!
Përpos dhunës fizike dhe psiqike ndaj opozitës së shqiptarëve në Ballkan, Lëvizjes Vetëvendosje, emri i tij u lakua edhe pas skandalit të pasaportave. Miliona euro u zhdukën dhe u keqpërdorën. Miliona euro të taksapaguesve të Kosovës "humbën"...!?
Bajram Rexhepi, ndjesë pastë, kishte mundësi të trajtohej edhe jashtë vendit. Ai u trajtua në mënyrën më humane sepse kishte para dhe ishte VIP. Dhe mirë që u trajtua.
Por, si po trajtohen qytetarët e rëndomtë të Kosovës? A ka mundësi fshatari, bujku, pensionisti, i papunësuari, nëna, ajo e ai i cili nuk ka lidhje me qeveritarët, të trajtohet e të shërohet nëpër spitalet e shtrenjta të Gjermanisë e të Turqisë?
Fëmijët e fshatarit, fëmijët e luftëtarit, fëmijët e qytetarit të rëndomt po vdesin pa i "marrë shpirtin Zoti", sepse korrupsioni / vjedhja ka shkatërruar spitalin, ambulancat dhe ka degjeneruar profesionin e mjekut. Fokusimi i pushtetit, i medias dhe i minstrisë së Punëve të Brendshme për ta asgjësuar me dhunë opozitën e shëndetshme politike të një shoqërie, ka varfëruar buxhetin e Kosovës dhe ka acaruar klimën ndaj njëri tjetrit. Kjo klimë e këta pushtetarë kanë sajuar edhe opinionin se një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje meriton edhe vdekjen për shkak të bindjeve të tij politike. Kjo klimë e ky mentalitet solli edhe vdekjen e mjekut të nesërm, Astrit Dehari!
Ngushëllime familjes për vdekjen e anëtarit të tyre!
Ngushëllime të sinqerta edhe familjes Dehari!
*Titulli origjina: Morali i dyfishtë shqiptar
Add new comment