Bujqësia dhe sfidat e sigurisë ushqimore
Bujqësia është shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare, de facto dhe de jure. Ndonëse statistikisht ajo përbën vetëm 20 për qind të GDP, ka të punësuar rreth gjysmën e popullsisë së vendit. Por në këto 27 vite ekonomi tregu, sektori i bujqësisë ka mbetur më i pazhvilluari, pse jo dhe më i paintegruari, ku shumica dërrmuese e fermerëve shqiptarë vazhdojnë të prodhojnë, deri-diku, sipas mënyrës kooperativiste të tipit leninist. Njëlloj si në periudhën e para 46-ës, duke zhvilluar një prodhim miks për nevojat e vetushqimit dhe vetmbajtjes së familjes fshatare. Mostrajtimi bashkëkohor dhe në përputhje me kërkesat e ekonomisë së tregut i parcelizimit agrar, që krijoi ligji 7501, është shkaku kryesor i situatës dramatike të krijuar në bujqësi, ku gjatë qeverisjeve të shkuara i jemi drejtuar importit edhe për barin e thatë të blegtorisë.
Raporti import-eksport në këtë sektor ka arritur dikur, deri në 11 me 1, dhe kostoja e braktisjes së fshatit është rritur së tepërmi. Statusi i vendit kandidat për në BE, e vendos bujqësinë përballë sfidash të reja, mjaft të vështira për t’u përballuar, nëse ekzekutivi nuk ndërmerr vazhdimisht reforma të thella, që shtojnë mundësinë praktike dhe interesin e fermerëve shqiptarë për prodhimin vendas. Rekomandimet specifike janë pjesë e programit qeveritar, por në hartimin e tij duhet ecur me strategji të qarta dhe të mirëllogaritura.
Fjala vjen, duhet menduar mirë se, çdo të bëhet për të përballuar me prodhimin e fermave tona koston e konsumit vendas, duke i hequr nga importi dhe ua dhënë fermerëve shqiptarë miliona euro që shpenzojmë për të blerë këtë kategori mallrash në tregjet e huaja? Sa do të zgjas kjo periudhë dhe si do të bëhet i mundur eliminimi i impaktit negativ, që mund të ketë konkretizimi i kërkesave të shtruara në këtë fushë? Si do të veprohet në fazat e tjera të kthesës për zhvillimin e mëtejshëm të prodhimit bujqësor, pas arritjes së barazimit import-eksport, për t’u bërë edhe në këtë fushë, pjesë e tregut rajonal e atij europian, duke prodhuar me standarde rigoroze?
Si do të bëhet e mundur, që shtimi i interesit të fermerit të tërheq vëmendjen e bankave për më shumë kreditime në fushën e bujqësisë? Po, për tërheqjen e investimeve të huaja në bujqësi, që, si në çdo fushë tjetër, përbëjnë bazamentin e progresit ekonomi? Nga ana tjetër, duke dëgjuar autoritetet shqiptare, që dalin nga mëngjesi deri në darkë dhe thonë, se produktet tona janë të pastra, shtohen pikëpyetje të tjera, si fjala vjen: Çfarë analizash janë bërë dhe çfarë parametrash janë matur? Mos marrja e një përgjigje të saktë në këtë drejtim tregon, se kemi të bëjmë me një lloj kakofonie kundrejt një konsumatori të painformuar. Ne nuk mund të akuzojmë konsumatorin pse është i painformuar, por duhet të nxisim autoritetet shtetërore ta sjellin informacionin në atë formë, që ai duhet për t’u kuptuar qartë, se për çfarë bëhet fjalë.
Në rast të kundërt ngelemi në kuadrin e të parit sipërfaqësor të gjërave. Dihet, se një produkt nuk e bëjnë të sigurt parametrat fizikë, si ngjyra, forma dhe aroma e tij, por matja e treguesve kimikë dhe cilësorë që ai përmban. Po kështu, fakte të shumta tregojnë, se Shqipëria nuk ka një politikë agrare apo ushqimore të miratuar dhe të plotë, ndërkohë që punonjësit e administratës publike, të cilët merren me këto çështje, kryesisht ata të AKU-së, janë të paaftë, të paarsimuar dhe shpeshherë të korruptuar.
Ndërkohë mungojnë strukturat përgjegjëse për zbatimin e ligjit dhe bashkëpunimi midis institucioneve publike që merren me çështjet e ushqimeve, sikundër mungon edhe bashkëpunimi midis sektorit publik dhe sektorit privat për përmirësimin e gjendjes së krijuar. Nga ana tjetër, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është një institucion i paakredituar, në një kohë që ai duhet të diktonte edhe politikat e zhvillimit.
Kësisoj, shërbimi që jep ky institucion është jo vetëm i pacertifikuar, por edhe i pakontrolluar. Në këto kushte, kërkohet një strukturë tjetër që të monitorojë analizat, kontrollet dhe inspektimet e AKU-së. Bashkimi Europian i ka vënë një theks të madh sigurisë ushqimore, të cilën shteti dhe qeveria jonë duhet ta marrin çdo herë me shumë seriozitet. Detyra e një qeverie të mençur në raste të tilla është, që të gjejë mekanizmin e duhur për përfshirjen aktive të sektorit privat, shoqërisë civile dhe auditit të huaj në kryerjen me sukses të kësaj reforme të rëndësishme. Bujqësia dhe Siguria Ushqimore, përveç të tjerash, përbëjnë dy prej kapitujve më kryesorë, që qeveria shqiptare duhet të përmbushë duke kryer reforma konkrete, në mënyrë që të hapen plotësisht dyert për në Bashkimin Europian.
Për t’i dhënë bujqësisë atë çka i takon me të drejtë asaj, si një nga kolonat më të rëndësishme të ekonomisë, përfshirë këtu edhe sigurinë ushqimore, e cila përbën një të drejtë themelore njerëzore, duhet që ky sektor të vendoset në qendër të politikave të qeverisjes, të shoqërisë civile dhe agrobiznesit shqiptar. Arsyet janë dy. E para, siç e përmendëm edhe pak më lart, bujqësia përbën motorin e zhvillimit të ekonomisë. Dhe së dyti, sepse, ashtu siç ka ndodhur dhe me vende të tjera ish-komuniste, nga bujqësia do të varet shumë edhe fati i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Nga mesi i viteve ’90-të, për shembull, të joshur nga perspektivat që ofronte hyrja e shpejtë e Rumanisë në Bashkimin Europian dhe kushtet e mira politiko-natyrore të këtij vendi, një numër i konsiderueshëm investitorësh francezë iu drejtuan bujqësisë rumune, duke ngritur aty ferma të ndryshme. Ish ministri francez i Bujqësisë, së asaj kohe, gjatë vizitës së tij në disa prej këtyre fermave të vendosura në rajonin e Prahovës, 100 km në veri të Bukureshtit iu drejtua të pranishmëve me fjalët: “Kjo është një mënyrë shumë interesante dhe inteligjente për të ndërtuar Europën”.
Mesazhi, që duhet të nxirret, në këtë rast, nga kjo thënie politiko-diplomatike ka të bëjë vetëm me reformat efektive, që duhen ndërmarrë në sektorin e bujqësisë, në mënyrë që t’i krijojmë atij, ashtu si çdo sektori tjetër, perspektivën e integrimit europian. Disa investime në infrastrukturën rurale, si dhe disa projekte të tjera investimi apo subvencionimi në ferma bujqësore dhe blegtorale, shtimin e sipërfaqes së serave, linjave të përpunimit, ambalazhimit, zgjerimin e kapaciteteve grumbulluese dhe frigoriferike, etj., nuk mjaftojnë.
Kjo është arsyeja që artikujt e eksportit tonë të prodhimeve bujqësore e blegtorale numërohen me gishtat e njërës dorë, dhe janë të përqendruar vetëm në 4-5 zëra kryesor, ku përfshihen frutat, perimet, peshku i freskët, mjalti dhe vezët. Ndërkohë frutat dhe perimet, Shqipëria i eksporton si produkte konvencionale, që do të thotë se janë përdorur pesticide dhe kimikate brenda standardeve të lejuara. Nga ana tjetër, nëse një produkt të prodhuar në Shqipëri, duam ta analizojmë për mbetjet e lejuara të pesticideve, atëherë duhet t’u drejtohemi vendeve të Bashkimit Europian, sepse neve na mungojnë dhe laboratorët në vendin tonë.
Ndërsa nën markën “BIO”, vendi ynë eksporton vetëm kërpudha, bimët aromatike, vajin e ullirit, erëzat dhe gështenjat, ndërkohë që patatja, e cila eksportohej para disa kohësh, tashmë është hequr nga lista e produkteve natyrale që prodhohen tek ne. Aktualisht Shqipëria nuk është një gjendje që të eksportojë mish dhe produkte blegtorale drejt tregjeve të BE-së, për shkak të mungesës së gjurmueshmërisë së tyre. Ndalimi, që Bashkimi Evropian i ka bërë këtyre produkteve shqiptare, të cilat janë vlerësuar me nivel të lartë rreziku, i kanë shkaktuar jo pak dëme ekonomisë sonë kombëtare, duke qenë se eksportet, përveç të tjerash, luajnë një rol mjaft të rëndësishëm për shtimin e punësimit, të investimeve dhe balancimin e defiçitit tregtar.
Shqipëria nuk ka asnjë shans të anëtarësohet në BE pa realizuar mbrojtjen e konsumatorit, ku përfshihet siguria, cilësia dhe garancia ushqimore, si një nga pesë rekomandimet e famshme që i janë lënë asaj si detyrë. Por në thelb, çdo të thotë siguri ushqimore? A ju ka rastisur, që t’ja bëni vetes, ndonjëherë, këtë pyetje? Po për konsumatorin e zakonshëm, çfarë nënkupton? Zakonisht ne ndalojmë vetëm tek shpjegimi, që nënkupton, se në tavolinat tona kemi ushqim të sigurt ose jo. Dhe kaq. E vërteta është, që njohuritë tona për sigurinë ushqimore janë tejet sipërfaqësore. Në vitin 1996, Forumi Botëror i Ushqimit përcaktoi, se siguria ushqimore ndodh “kur të gjithë njerëzit në të gjitha kohërat kanë akses të mjaftueshëm në ushqim të bollshëm, të sigurt me vlera ushqyese, në mënyrë që të kenë një jetë të shëndetshme dhe aktive”.
Por me të drejtë, edhe pasi ta kemi lexuar termin ekzakt, sërish mund të ngremë pyetjen, se cila është lidhja e drejtpërdrejtë, që ka siguria ushqimore me ne? Para se të marrim përgjigjen e një pyetje të tillë, duhet të dimë parashikimet për vitin 2050, ku popullsia e botës parashikohet të arrijë në rreth 9.6 bilionë njerëz, për ta kuptuar siç duhet këtë çështje. Pas një informacioni të tillë, natyrshëm lind pyetja: Me çfarë do të ushqehen gjithë këta njerëz, duke marrë në konsideratë mënyrat, me të cilat ne sot prodhojmë ushqim dhe abuzojmë me burimet e konsumit?! Sipas FAO-s, kjo është një çështje shumë serioze, pasi të varfrit, duke mos pasur të ardhura, nuk do të mund të sigurojnë dot më as ushqimin. Por edhe në rastet kur disa vende kanë furnizim të bollshëm me ushqim, nëse ai është i infektuar, mund të çojë në një sërë sëmundjesh.
Bota aktualisht i ka burimet dhe teknologjitë për ta zhdukur urinë dhe për të siguruar në një kohë të gjatë sigurinë ushqimore, përmes politikave të duhura dhe investimeve në këtë sektor. Edhe Shqipëria i ka këto burime, dhe ky është momenti, që qeveria dhe institucionet e ndryshme shtetërore të kalojnë nga retorika tek hapat konkretë. Për rrjedhojë, reformat që mund të iniciohen në këtë drejtim nuk duhen parë thjesht si një tufë me ligje, nga të cilat kuptojmë pak ose aspak, por si marrje e masave konkrete për të rritur sigurinë ushqimore në vend, duke hedhur njëkohësisht kështu edhe hapat e duhur drejt integrimit të plotë të ekonomisë sonë ushqimore me atë të BE-së. Produktet bujqësore duhet të pjesë integrale e një reforme të atillë, e cila duhet të konsistojë kryesisht në linearizimin dhe vertikalizimin e përgjegjësive për çdo sektor dhe për çdo hallkë.
Vizioni, prioritetet dhe qëllimet strategjike synojnë fuqizimin e një sistemi me funksionim të plotë të sigurisë ushqimore dhe të mbrojtjes së konsumatorit, nga ferma në tavolinë, që mbulon të gjithë vendin, si dhe monitorimin apo kontrollin modern në përputhje me standardet e BE-së. Rëndësia e vendosjes së politikës ushqimit dhe të ushqyerit si një synim kyç i politikës së zhvillimit është një objektiv strategjik dhe reflekton trendet globale dhe vendore. Çdo hallkë e vetme e zinxhirit duhet të jetë shumë e fortë në rast se synohet, që shëndeti i konsumatorit të jetë plotësisht i mbrojtur.
Ky parim është i vlefshëm pavarësisht nga fakti, nëse ushqimet prodhohen në Shqipëri apo importohen nga vende të tjera të rajonit apo botës. Për këtë arsye qeveria shqiptare duhet të këtë vazhdimisht në vëmendjen e saj, forcimin e kontrollit dhe të monitorimit të ushqimeve që tregtohen në tregun shqiptar, qoftë të destinuara për konsum njerëzor, ashtu dhe të produkteve të ndryshme, që përdoren për ushqimin e kafshëve dhe shpendëve.
"Shekulli"
Add new comment