Me optikën e një turisti

Postuar në 21 Korrik, 2017 18:51

Tashmë është e qartë për të gjithë: pushteti i Tiranës po konkuron për të imponuar të vërtetën e vet që divergon me atë që ndodh përditë. Ka disa mënyra që janë shtënë në punë për këtë: së pari është fitorja elektorale që po shitet si përgjegjësi kur ajo është krejt e kundërta. 

Së dyti është dukuria e bashkëqeverisjes elektronike, ku populli merr pjesë me hallet e veta përmes mesazheve në kompjuter. 

Së treti është një lloj kriminalizimi i medias shqiptare që pavarësisht problemeve monitorohet nga pushteti dhe mbi të ngrihet edhe çdo fabul mëngjesore. 

Së fundmi, ka nisur të shtohet doza e një Shqipërie me sytë e turisitit që u rrëfehet qytetarëve të vet për të ndikuar sadopak në optikën dhe humorin e tyre. Kjo mënyrë e fundit është e thjeshtë: gjej apo paguaj artikuj pozitivë apo kundërthënës për Shqipërinë të botuar në media të huaja, përktheji dhe shërbeji si modelin e duhur për të kuptuar vendin tënd. 

Këtë punë e bën edhe kryeministri i Shqipërisë, i cili preferon të heshtë kur vendi që ai drejton nxihet në media të ndryshme për drogën apo korrupsionin, por nxiton të bëjë turistin e ngazëllyer kur ka shkrimet të kënaqshme. Shqipëria ashtë një vend interesant, kjo duhet të ngulitet në mendjen e shqiptarëve, të cilët duhet të kuptojnë se dikush i sheh dhe i admiron për veçantinë e tyre. 
Këtë punë e bënte edhe ai që ishte para tij, kur sa herë ja donte puna shërbente gjithfarë shkrimesh dhe kur nuk i leverdiste i quante mediat letër higjenike. dhe sa herë qëka ndonjë kritikë apo vërejtje, magazina është gati: media e shitur, ose media kazani. 
Para disa ditësh në median kryesore qeveritare, profilin e Facebook të Edi Ramës u shërbye një shkrim botuar në gazetën “La Repubblica”. Sot një tjetër nga një revistë e njohur pa emër në të cilën përshfaqej Shqipëria e bukur turistike. 
Në një portal pranë kryeministrit u hodh një shkrim i "Financial Times" që flet për luftën e Edi Ramës kundër tregëtisë së drogës. Të vihet re sesi portali e quan tregëti dhe jo trafik, duke zbuluar padashur të vërtetën. 
Mirëpo shkrimet në fjalë i tregojnë lexuesit të huaj se çfarë bëhet në Shqipëri. Ato janë një lloj reportazhi i cekët nga një vend shumë kompleks, subjektive dhe mbushur me klishe. Droga, bunkerët, islami, me këto tema në kokë vjen këtej çdo gazetar që paguhetër të nxjerrë pagesën. Kjo shihet edhe në projekte filmike publikuar në media tematike si Aeon që ngulitet edhe më në obsesionin e bunkerëve. Aktorët janë gati fundja ja merr dorën edhe kësaj pune.
https://aeon.co/videos/albania-built-750000-bunkers-for-a-war-that-never...
Sapo një i huaj me kamera në dorë të pyet për drogën, shumëkush e di se çfarë do të thotë kundrejt shoqërimit apo aktrimit. Ajo që habit është lehtësia me të cilën kryeministri/at i vendit e shërben këtë material të shpëlarë për qytetarët e vet. Duke u thënë atyre se ja se çfarë thonë të huajt për ju, pra edhe për mua. Në mënyrë indirekte mesazhi shkon: lëreni median e kazanit. 
Në Shqipëri do të vazhdojë të frymojë gjatë mania për të kënaqur veten me atë se çfarë thonë të tjerët. Dhe do ketë për një kohë një shumicë nga mileti që do tubohet te fjala e mirë. Vetëm se sot jetojmë në një kohë kur edhe ne mund të themi diçka për ata që vijnë, korrupsionin e tyre, hipokrizinë, qeshjen dhe ngërdheshjen si kulturë të fasadës. Mund të themi sepse dimë të shkruajmë, të lexojmë dhe sepse shqiptarët edhe kanë lëvizur jashtë vendit. Shohim sesi bota rrëzëllitëse po cifloset nga mijëra probleme. Ndaj kjo mënyra për të kataloguar si vështrim pozitiv rrëfimet e këtyre udhëtarëve dhe për t’ja vënë popullit si ushqim, është sa fyerje, aq edhe përçmim, por edhe djallëzi. Shqipëria nuk jeton më në Epokën e Errët që të na shërbejë çdo copëz shkrimi i kujtdo që kalon këtej si e si për të dokumentuar veten. Në Epokë të Errët jeton pushteti që po kërkon të fshijë të pabërat për t’i kaluar nën lustrën e turistëve gazetarë. Një pushtet të cilit nuk i mjafton vota, por Iiduhet edhe efekti i opiumit që vjen nga ledhatimet e turistëve gazetarë që shkruajnë si për Trip Advisor. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.