Lufta civile si ide dhe si histori*
David Armitage, profesor i historisë në Universitetin e Harvardit është aktualisht një nga protagonistët e të shkruarit në një formë të re të “historisë së botës”, atë të rrëfimeve që tejkalojnë kufijtë kombëtarë të një historiografie konvencionale."Historia” e re e botës dhe qasja tërësore dallon qartë nga ngjizja e vjetër e historisë botërore, e cila përmbledh narrativa paralele kombëtare të grupuara në periudha të caktuara kronologjike.
Një model i ri i rrëfimit të historisë së botës është libri më i fundit nga David Armitage për avancimin e idesë së luftës civile në historinë e kohës. Ky projekt është me të vërtetë mbresëlënës për gjerësinë vizuale dhe shtrirjen historike.Narrativa përpiqet të nxjerrë nga harresa dhe të rindërtojë një dialektikë historike përmes luftërave civile nga Roma e lashtë deri te manifestimet e ndryshme të dhunës në agimin e shekullit të 21-të.
Historia universale e termit dhe ideja e luftës civile nis në Romën e lashtë, ku formulimi i parë i qartë i termit ndodh nga Ciceroni. Sipas tij, termi “bellum civile” do të thotë luftë mes bashkëqytetarëve, i cili do të përdoret edhe nga Julius Caesar për luftën me Pompey-n.
Autori nuk harron kontributin e pionierëve greke për komentimin e përleshjeve të dhunshme mes qytetarëve, ku përmend rrëfimet tronditëse të Thukididit për luftrat civile të Korfuzit në vitin 427 para erës sonë, apo analizat depërtuese të Aristotelit në librin Politika V dhe VI ku përdor të njëjtin term për konfliktet e brendshme në qytetet greke. Babai i vërtetë i luftës civile nuk është as Ciceroni as Thukididi, apo Aristoteli, por babai i historisë, Herodoti, i cili në librin e tetë të historisë thotë në mënyrë të qartë se diderenca mes luftës civile dhe luftës është njësoj si ajo mes luftës dhe paqes.
Le të kthehemi në rrëfimin impersionues të David Armitage. Kam gjetur veçanërisht emocionues dy kapituj që shtjellojnë konceptin e luftës civile në historiografinë e lashtë romake që nga koha e Ciceronit. Eksellent është prezantimi i kontributit të Agustinit të shenjtë, në kryeveprën “Qyteti i Perëndisë”, ku në kontrast me vuajtjet e njerëzve dhe grindjet tokësore vë përballë qytetin e së ardhmes ose parajsën e shpëtimit.
Narrativa na çon në shtigjet e modernitetit për të na treguar universalitetin e përvojës nga luftrat civile në historinë e njerëzimit. Ka kthesa historike ku duket se historia e njerëzimit është në thelb identike me historinë e luftrave civile. Nën lëmin e përshtypjeve nga luftërat fetare Michel de Montaigne vë në dukje se "një luftë e jashtme nuk është aq e rrezikshme sa një luftë civile."
Të njëjtin vlerësim jep edhe mendimtari më i madh politik i modernitetit, Thomas Hobbes, me këshillën e vazhdueshme që për të siguruar mbijetesën e njerëzve të civilizuar duhet me çdo kusht të vihen nën kontroll predispozitat për luftë civile.
Epoka e revolucioneve që kulmon në vitin 1776 në Shtetet e Bashkuara në 1789 me Revolucionin Francez nxjerrë në pah problemet me luftën civile. Çfarë ishin këto shpërthime të mëdha revolucionare që përcaktuan në shumë mënyra rrjedha e njerëzimit, përmbysje revolucionare apo luftëra civile? Çdo ekzaminim i tillë është kompleks, shpesh provokativ dhe autori e vë lexuesin përballë shumë supozimeve konvencionale.
Universaliteti i luftrave civile si përbërës i modernizmit, veçanërisht në epokën "paqes gjatë" dhe rënien dramatike të luftërave mes shteteve çon në përgjithësimin e tyre si një formë dominuese e dhunës masive që ka nevojë për një kontratë të re civile.
*Artikulli ka si autor Paskalis Kitromilidis, Profesor i Shkencave Politike në Universitetin Kapodistria të Athinës dhe është botuar në gazetën “To Vima”
Add new comment