Raportohet se Rama ka ngritur shqetësimin për Rusinë në NATO
Ministria e Mbrojtjes përcolli njoftimin zyrtar lidhur me samitin e NATO-s që u mbajt në Bruksel, ku mori pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump. Teksti zbardh edhe një pjesë të axhendës së takimeve dhe fjalës së kryeminitrit shqiptar Edi Rama në këtë samit, ku sipas Ministrisë së Mbrojtjes theksi u vu te kërcënimi i vendeve të Ballkanit nga aktorë të tretë, duke nënkuptuar Rusinë.
“Ndërkohë që rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet i një rëndësie strategjike për NATO-n dhe nën trysninë e aktorëve të tretë, lipset që vëmendja e Aleancës të mbetet e lartë dhe angazhimi i saj konkret, në mbështetje të paqes dhe sigurisë si dhe avancimit të integrimit Euro-Atlantik të vendeve aspirante”-nënvizoi Kryeministri Rama. Një ditë më parë zyra për shtyp e kryeministrit zbardhi takimin që kreu i qeverisë pati me holomogun e tij grek, Alexis Tsipras, ndërsa u fol edhe për një bisedë të shkurtër të kryeministrit me presidentin amerikan, por e pakonfirmuar zyrtarisht.
Më tej në njoftim thuhet se boshtet kryesore të këtij Samiti të veçantë, organizuar në suazën e vizitës së parë të Presidentit amerikan Trump në NATO, ishin konfirmimi i lidhjes së fortë Trans-Atlantike; një ndarje e drejtë e përgjegjësive për rritjen e buxheteve të mbrojtjes brenda një dekade në 2% të PBB, si dhe lufta kundër terrorizimit dhe roli i NATO-s në këtë drejtim.
Liderët ranë dakord gjithashtu që, për të përmbushur të gjitha sfidat me të cilat përballet sot siguria Euro-Atlantike, është e nevojshme një ndarje më e drejtë e barrës financiare të aleancës. Në vijim të apelit të qartë të Presidentit Trump për “më shumë efikasitet në luftën kundër terrorizmit”, vendet aleate vendosën që NATO të anëtarësohet në Koalicionin anti-ISIL.
Add new comment