Dy mesazhe urimi për Metën nga Beogradi, pa iluzione për të ardhmen
Me një tekst të shkurtër urimi dhe me një përmbajtje të qartë diplomatike presidenti në detyrë i Serbisë Tomislav Nikoliç ka uruar presidentin e ardhshëm të Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjen në detyrën e kreut të shtetit shqiptar. Në telegramin e urimit Presidenti i Serbisë shkruan: “Unë shpresoj se marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi midis Republikës Serbe dhe Republikës së Shqipërisë do të jenë edhe më të mira në të ardhmen. Kjo është një çështje me rëndësi thelbësore për paqen, zhvillimin e vendeve tona, dhe të rajonit ku jetojmë”.
Teksti nuk përmban asnjë shprehje të butaforisë mbi erën e re që ka nisur në marrdhëniet mes dy vendeve pas takimeve të ndërsjellta Rama-Vuçic dhe as bindjen e një perspektive të re që na është thënë se është hapur mes dy vendeve në kuadër të procesit të Berlinit. Beogradi mesa duket është i ndërgjegjshëm se axhenda mediatike e pajtimit të shqiptarëve dhe serbëve përmes dy misionarëve Rama e Vuçiç nuk ka prodhuar ndonjë avancim konkret në këtë drejtim, por ka mbetur në shtrëngime duarsh pa përmbajtje edhe ato të imponuara nga Berlini. Nuk është vetëm politika serbe që shfaqet e përmbajtur dhe larg entusiazmit që ka treguar Tirana për këtë çështje. Edhe shoqëria civile nuk duket e indoktrinuar me fabulën e erës Rama-Vuçic në marrdhëniet shqiptaro-serbe. Ilir Meta ka marrë një mesazh edhe nga Drejtorja e Fondacionit “Zoran Djindjic”, Ruzica Pavlovic Djindjic.
Në mesazhin e saj ajo shkruan se “unë jam e bindur se përpjekjet tuaja, që kanë pasur dhe kanë gjithmonë për qëllim forcimin dhe mbështetjen e marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve tona, do të rezultojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit, që do të njihet gjerësisht midis popujve tanë”
Add new comment