Censura, nga surrati i Enverit, te hallatet e aktorit në teatër

Postuar në 08 Maj, 2017 12:12
Kastriot Çipi

Burim i këtij shkrimi u bë reagimi i djeshëm i deputetes Majlinda Bregu.

Dy muaj më parë, Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, kërkoi rishikimin e statusit të filmave të prodhuar gjatë periudhës së komunizmit. Këtë ide e përkrahu menjëherë Erald Kapri, anëtar i Këshillit të Ankesave të AMA-s. Të dy bashkë deklaruan se do të ndërmerrnin një nismë ligjore për këtë qëllim. As njëri dhe as tjetri nuk kërkuan të ndalohen tërësisht, pa dallim, të gjithë filmat e komunizmit. Zgjidhjet e propozuara prej tyre përfshinin kufizimin e orareve dhe kontekstualizimet, para apo pas shfaqjes së filmave, ndërsa ndalimi u propozua vetëm si opsion i fundit, për një pakicë filmash. Megjithatë, edhe pas dy muajsh, titujt e mediave, që (keq) citojnë zotërinjtë në fjalë, flasin për “ndalim të filmave”. Disa kineastë, që u përfshinë në debat duke u rreshtuar kundër “ndalimit të filmave”, spekulojnë me idetë e Tufës dhe Kaprit. Siç është në traditën tonë të keqe, debati u polarizua në ndarjen bardhë e zi: o pro, o kundër filmave të komunizmit.

S’kaloi shumë kohë dhe debati mund të thuhet se u ndërkombëtarizua, me botimin në shtyp të një letre, që kineasti çek Jiri Menzel i drejtonte ish-shokut të tij të akademisë, Piro Milkani. Së fundi, edhe revista prestigjioze “Sight and Sound” i kushtoi një artikull këtij debati. Por leximi i kujdesshëm i shkrimeve të të huajve, të bën të mendosh se edhe ata, si ambasadorët e huaj në Tiranë, janë jo vetëm pak të njohur me realitetin shqiptar, por edhe të keqinformuar për debatin në fjalë. Edhe ata flasin për “ndalim të filmave të komunizmit” dhe heqin paralele absurde mes Çekosllovakisë së Dubçekut dhe Shqipërisë së Hoxhës.

Menzel duket i keqinformuar nga miku i tij Milkani, se në Shqipëri kërkohet ndalimi i të gjithë filmave të komunizmit. Në letrën e tij ai shkruan se “Presioni i regjimit u bënte thirrje krijuesve të filmit që të kërkonin forma interesante në krijimin e veprës filmike. Natyrisht që lindën edhe filma që iu nënshtruan regjimit. Autorët e tyre me këtë mënyrë siguruan çmime dhe mirënjohjen e komunistëve. Pikërisht këtyre, këto kërkesat për ndalim iu vijnë për shtat”. Menzel nuk e di se në Shqipëri po ndodh e kundërta: ata që kanë bërë filma, që i janë nënshtruar regjimit, që kanë fituar çmime dhe mirënjohjen e komunistëve, janë kundër ndalimit të filmave! Menzel nuk e di se një film, si “Trena të vëzhguar nga afër”, i prodhuar më 1966, jo vetëm nuk do të prodhohej kurrë në Shqipëri, por skenaristi do të ishte arrestuar e burgosur ditën e prezantimit të skenarit në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”. Në vend të një filmi, ku një antifashiste ndihmon një adoleshent të zgjidhë problemin e ejakulacionit të parakohshëm, në vitin 1967, kolegu i tij fatkeq, Milkani, xhiroi filmin “Ngadhnjim mbi vdekjen”, ku dy vajza të reja u rezistojnë torturave naziste dhe vetëflijohen për idealin komunist. Filmi i Menzelit mori Oskar një vit më pas. Filmi i Milkanit u bë filmi më i ndjekur në Kinë, në kohën revolucionit kulturor, kur ndaloheshin të gjithë filmat e huaj, me përjashtim të atyre shqiptarë dhe verikoreanë. Askush nuk mund të fajësojë sot Milkanin pse bëri atë film apo të tjerë, por mburrja e tij për rekordin e shikueshmërisë në Kinën e Mao Ce Dunit, është e pakuptimtë.

Për ata që nuk i kanë parë këta dy filma, ndryshimi mes dy realiteteve bëhet fare i qartë nëse shohin filmin e fundit të Milkanit, “Trishtimi i zonjës Shnajder” (2008). Ngjarjet ndodhin në Çekosllovaki, më 1960. Një student shqiptar i filmit xhiron, pa dijeninë e tyre, dy vajza fshatare, që zhvishen nudo dhe hidhen në liqen. Këto sekuenca shfaqen publikisht në fshat, në mes të xhirimeve të tjera bruto, të një filmi dokumentar të pamontuar. Të gjithë e dimë se nëse kjo do të ndodhte në Shqipëri, do të ishin kalbur në burg dy vajzat, bashkë me studentin që i xhiroi. Ndërsa në Çekosllovaki, autoritetet u mjaftuan vetëm me një kritikë. Nuk njoftuan as akademinë e filmit, as ambasadën shqiptare.

Në shkrimin “Në mbretërinë e censorëve” (https://filmquarterly.org/2017/04/28/in-therealm-of-the-censors/), Mark Cousins thotë do të ishte e papërgjegjshme të shfaqeshin filma si ata të Leni Rifenshtalit, pa një kontekstualizim të kujdesshëm të historisë. Megjithatë, me sa duket, i keqinformuar edhe ai, shprehet kundër ndalimit të filmave shqiptarë të komunizmit dhe thotë se “Nuk i kryen filmat krimet e epokës së Hoxhës… I kreu Sigurimi. Ai vrau dhe burgosi njerëz. Dosjet e Sigurimit janë ato që nuk janë hetuar ende si duhet”.

E vërtetë! Edhe në këtë fushë, ne mbajmë rekordin negativ si e vetmja ish-diktaturë komuniste në Europë, që nuk i ka hapur ende dosjet e policisë sekrete. Është e njëjta mendësi, fatkeqësisht gjerë- sisht e përhapur në Shqipëri, që kundërshton edhe hapjen e dosjeve të Sigurimit, edhe klasifikimin e filmave të komunizmit. Lidhja mes dy problemeve duket se është organike: Shqipëria ende nuk është ndarë nga e kaluara komuniste.

Megjithatë, debati nuk do të ishte politizuar nëse nuk do të ishte nisur në mënyrë të gabuar. Askush, as “kundërshtarët” e filmave të komunizmit, as “mbrojtësit” e tyre, madje as gazetarët nuk shtruan një pyetje fare të thjeshtë: a ka institucion censure në Shqipëri? Nëse debati do të kishte nisur kështu, atëherë rrjedha e tij do të kishte qenë krejt ndryshe dhe sot nuk do të ishim duke u sharë mbarë e prapë, si dikur ballistët dhe komunistët. Përgjigjja e kësaj pyetjeje është edhe po, edhe jo. Me Ligjin për Kinematografinë, të vitit 1996, është parashikuar krijimi i Bordit të Vizionimit të Filmit, si organ jofunksionar pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, anëtarët e të cilit duhet të propozohen nga shoqatat e kineastëve. Kështu që nisma ligjore Tufa-Kapri është e panevojshme. Por 21 vjet pasi ligji ka hyrë në fuqi, ky Bord nuk është krijuar ende. Ndoshta është një neglizhencë, tipike për ne, kur kemi të bëjmë me ligje dhe norma të importuara nga Perëndimi, apo një kompleks ndaj censurës si institucion, për shkak të përvojës së hidhur në komunizëm, apo të dyja bashkë.

Është rasti të sqarojmë se Shqipëria, diktatura më e egër komuniste në Europë, mburrej se nuk kishte institucion zyrtar censure. Megjithatë, Piro Milkani dhe kolegët e tij e dinë fare mirë se censura e filmit në Shqipëri ishte e tmerrshme, deri në kufijtë e marrëzisë. Pas rënies së komunizmit, nuk mbeti artist pa u ankuar për censurën dhe autocensurën, që shoqëronte çdo çast dhe çdo fushë të krijimtarisë artistike. Censura fillonte me autocensurën e skenaristit dhe përfundonte me miratimin e filmit të përfunduar nga vetë diktatori. Me rënien e diktaturës, më 1991, ranë edhe instrumentet e kësaj censure dhe ne kaluam nga një ekstrem në tjetrin: nga censura që kontrollonte gjithçka, te mungesa totale e saj, te liria e pakufizuar, e cila, siç e dimë, është në fakt liri e disave, në dëm të disa të tjerëve.

Sot e kësaj dite, Shqipëria nuk ka censurë, as për filmin, as për teatrin, as për botimet, madje as për transmetimet televizive. Pullat me numra, që tregojnë moshën e lejuar gjatë shfaqjes së filmave të huaj në televizione, janë në fakt klasifikime, që televizionet i kanë marrë prej bordeve të censurës nga vendet e origjinës së filmave. Edhe në ato raste të rralla, kur pulla të tilla janë shfaqur në posterë prodhimesh teatrore, vendimi është marrë nga drejtori i teatrit, siç ishte rasti i shfaqjes “Equus”, ku protagonisti zbulonte gjenitalet.

Po pse na duhet censura? Për ata që mendojnë se censura është tipar ekskluziv i diktaturave, do të mjaftonte të thuhej se nuk ka asnjë vend anëtar të BE që nuk e ka. Në Mbretërinë e Bashkuar Bordi i Censurës së Filmit është krijuar më 1912. Sot ai quhet Bordi Britanik i Klasifikimit të Filmit, por misioni i tij është po ai: të klasifikojë filmat, duke përcaktuar audiencën e lejuar, sipas një limiti moshe dhe (Po! Mos u çudisni fare!) të ndalojë qarkullimin e filmave që konsiderohen të dëmshëm edhe për audiencën e rritur, mbi 18 vjeç. Kjo ndodh sepse prindët, në të gjithë botën, duan të mbrojnë fëmijët e tyre nga ekspozimi ndaj dhunës, pornografisë, racizmit, ksenofobisë, antisemitizmit, sadizmit, falsifikimit të historisë etj. Në një vend demokratik, organi i censurës është i pavarur nga qeveria dhe vendimet e tij mund të kundërshtohen në gjykatë. Duhet pasur parasysh gjithashtu se edhe vetë institucionet e censurës i rishikojnë herë pas here vendimet e tyre. Ajo që ndalohet sot, mund të lejohet pas disa vjetësh.

Të gjithë ata që kundërshtojnë klasifikimin e filmave të komunizmit, me arsyetimin se censurë do të thotë diktaturë, në rastin më të mirë janë të painformuar. Ata nuk e dinë se Italia, pas Luftës, censuroi një pjesë të mirë të filmave të fashizmit. Gjermania po ashtu. Sot, 77 vjet pas Luftës, 42 filma artistikë të nazizmit janë ende të ndaluar, si pjesë e procesit të denazifikimit. Lista e dokumentarëve mund të jetë shumë më e gjatë. Mbi të njëjtat kritere, edhe filmat që prodhohen apo importohen sot, në çdo vend europian, i nënshtrohen klasifikimit (lexo: censurës). Bordet e klasifikimit kanë të drejtë të kufizojnë aksesin e publikut dhe/ose të kërkojnë heqje të skenave të caktuara. Në shumë raste, i njëjti film qarkullon në dy versione: integral, me një kufizim moshe 16 apo 18 vjeç dhe i shkurtuar, me një kufizim moshe më të lehtë, 12 apo 14 vjeç. Ndonëse rrallë, Bordet marrin edhe vendime ndalimi të plotë. Në SHBA p.sh., është e ndaluar shfaqja e filmit pornografik “Shortbus”. Në Gjermani është ndaluar si antisemitik filmi turk “Lugina e Ujqve: Palestina” (2011). Ndërsa në Itali u shfaq vetëm tri ditë në kinema dhe ende nuk është transmetuar në TV apo shitur si DVD filmi italian “I quanin… kaçakë” (1999). Arsyeja jozyrtare është se ky film e paraqet në dritë të keqe procesin e bashkimit të Italisë.

Këtë proces Shqipëria nuk e ka kryer ende. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për rreth 250 filma artistikë të metrazhit të gjatë, por edhe për rreth 100 filma vizatimorë e rreth 1000 dokumentarë e kronikalë. Për këta të fundit nuk flet askush. Në kanalet e dedikuara filmit shqiptar, si në platformat me pagesë, si në transmetimet e lira, mund të të ndodhë rëndom të hasësh filma si “Enveri ynë” apo “Enver Hoxha tungjatjeta”. Nëse ndërron kanalet e TV njëri pas tjetrit, probabiliteti për të hasur surratin e diktatorit është shumë i lartë. E imagjinoni si do të reagonin gjermanët, nëse televizionet e lira, publike apo private, do të transmetonin siç janë, dokumentarët e Leni Rifenshtalit për Hitlerin dhe kongreset e partisë naziste?

Argumenti tjetër pas të cilit “mbrojtësit” e filmave të komunizmit kapen fort është ai i “vlerave artistike”. Sipas tyre, këta filma nuk duhet të kufizohen sepse X aktor e ka luajtur shkëlqyeshëm Y rol, sepse muzika e atij kompozitori në atë film është e shkëlqyer, e kështu me radhë. Por ata nuk na thonë se pse nuk kërkuan të zbatohej i njëjti kriter, kur nga të gjithë sheshet publike dhe institucionet u hoqën shtatoret dhe bustet e diktatorit, apo kur u pastruan tekstet shkollore të letërsisë e historisë, nga shkrimet që glorifikonin diktaturën dhe falsifikonin historinë. Në fakt, nëse ka një kriter me të cilin censura nuk mund dhe nuk duhet të merret, është pikërisht vlera artistike e filmit. Ky është një ekskluzivitet i shikuesit, në vazhdimësi. Bordi i Vizionimit të Filmit duhet të rishikojë filmat për të gjykuar nëse ata tërësisht, apo pjesërisht, shkaktojnë nxitjen e urrejtjes dhe falsifikojnë historinë.

Ky proces duhet të nisë sa më parë dhe nuk duhet të kufizohet vetëm në filmat e komunizmit. I gjithë prodhimi filmik vendas, i pas vitit 1991, duhet të klasifikohet, të marrë vizën që i takon nga ana e Bordit. E njëjta praktikë duhet të ndiqet edhe për filmat e huaj, që shfaqen në kinema dhe televizion. Ligji duhet të funksionojë më në fund edhe këtu, njësoj si në Gjermani apo Itali. Mbrojtësit e filmave të komunizmit, falë demokratizimit, kanë në dorë instrumentin ligjor për ta bërë dekomunistizimin e trashëgimisë filmike. Në vend që të merren me debate në media, të kërkojnë ndjesë për shkeljen e Ligjit për Kinematografinë, të bëhen bashkë dhe të krijojnë Bordin e Vizionimit të Filmave.

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.