Viti letrar 2016, banaliteti e thagmat me temat e titujt

Postuar në 03 Maj, 2017 12:17
Dhurata Shehri

Në vitin 2016, në Shqipëri, janë botuar 851 tituj. Krahasuar me vitet paraardhëse, shifrat janë pak a shumë të përafërta, ose thënë ndryshe “asgjë e re nga fronti i librave”:

– 856 tituj në 2015

– 954 tituj në 2014

– 819 tituj në 2013

Letërsia shqipe dominon me 70% dhe duket e njëjta prirje prej vitesh, ndoshta prej shumë vitesh. Shtëpitë botuese “të specializuara” në letërsinë shqipe që botojnë 99% autorë shqiptarë u ngjajnë më shumë shtypshkronjave, që me kosto relativisht të lira mund të “shtypin” mallin e djegur për vendlindjen të emigrantëve, qurravitjet e dashurisë së adoleshentëve, ëndrrat e mjeruara të dështakëve në prag pensioni, heroizmat e banalitetin e qyqarëve të çdo moshe.

Por panorama është krejt e përmbysur në shifrat e titujt e botimeve të letërsisë për fëmijë, ku letërsia botërore është “zonjë shtëpie”. Në 2016:

– Janë botuar gjithsej 88 tituj

– Letërsi shqipe 29 tituj

– Letërsi botërore 59 tituj

Më shumë se gjysma e botimeve letrare për këtë vit janë në prozë, pjesa tjetër poezi, kritika e drama.

– Prozë 449 tituj- 53%

– Poezi 341 tituj- 40%

– Kritika 47 tituj- 5.4%

– Drama 14 tituj- 1.6%

Por, nëse të njëjtën prerje e aplikojmë mbi titujt vetëm të letërsisë shqipe, nga 53% që kishte proza në titujt në total, në titujt e letërsisë shqipe është poezia, që zë 53% të totalit. Ndërsa letërsia botërore e përkthyer është 90% në prozë, gati dyfishi i prozës së botuar nga autorët shqiptarë.

LETËRSIA BOTËRORE, AUTORË E PËRKTHYES Edhe këtë vit letërsia e përkthyer është më e vogël në numër në shqip krahasuar me letërsinë shqipe, por “kompleksimi” i autorëve shqiptarë mbetet i rëndë po të përmendim disa nga kryeveprat e letërsisë botërore të botuara e ribotuara këtë vit në shqip. Jo rastësisht disa nga përkthyesit e “superlibrave” janë autorë e autoritete të letërsisë shqipe Romeo Çollaku, Parid Teferiçi, Rudi Erebara, Luljeta Lleshanaku, Bashkim Shehu, Mira Meksi, Lisandri Kola etj.

LETËRSIA KLASIKE BOTËRORE Botohen e ribotohen edhe këtë vit klasikët si Eskili, Euripidi, Dante, Shakespeare, Racine, Tagora, Voltaire etj. Ndërsa klasikët modernë përfaqësohen me: Kamy, Aragon, Borges, Capek, Marques, Kavafis, Böll, Sabato etj. Mes tyre janë ripërkthyer Marques dhe Sabato pas një periudhe gati 30-40 vjeçare, kur u shfaqën për herë të parë në shqip.

LETËRSIA BASHKËKOHORE BOTËRORE Kryevepra e Bollanos “2666”, ndjekur nga “Gjashtë drama” të H. Pinter; dy romane të A. Oz, “Danubi” i C. Magris; “Flokëkuqja” e O. Pamuk, “Harta dhe territori” i M. Heullebecq; “Turpi” i S. Rushdie; “Një zemër kaq e bardhë” e J. Marias; “Poezi” nga F. Pessoa, dy romane të A. Barrico e të tjerë të botuar në origjinal këto dhjetë vitet e fundit kanë ardhur në shqip mjeshtërisht nga përkthyes si Karabolli, Pasho, Misha, Shehu, Çollaku, Erebara, Kola etj. Veprat e sipërpërmendura plotësojnë kështu panoramën e letërsisë botërore në shqip, duke u prirur të zvogëlojnë edhe më kohën që i duhet letërsisë më të mirë botërore të kalojë edhe “këtyre viseve” tona.

LETËRSIA BALLKANIKE Prej disa vitesh është bërë dukuri e fortë në përkthimet shqipe, vazhdon të peshojë letërsia turke me numrin më të madh të veprave, por edhe letërsia greke, kroate, serbe, malazeze, edhe e sapoardhura letërsia qipriote përfaqësohen me autorë bashkëkohorë. Nuk mund të të mos bjerë në sy botimi i veprës së plotë të Vasko Popës, përkthyer me dashuri prej Ben Andonit, që thekson një prirje për të mos ia lënë në dorë rastësisë, apo sponsorizimeve zgjedhjen e titujve dhe autorëve ballkanikë.

LETËRSIA SHQIPE Letërsia klasike shqipe këtë vit është “rrudhur” më shumë se vitet e tjera, përfaqësuar vetëm me ribotimin e Fishtës dhe Gurakuqit. Edhe këtë vit librat “e zhurmshëm” nuk kanë munguar në skenën editoriale shqiptare. Pas zhurmës… asgjë për t’u mbajtur mend. Të tjerë janë librat që besoj se do të mbahen mend gjatë ndër lexuesit shqiptarë që kanë pritur në heshtje sa të qetohej zhurma: “Murgu”, A. Fuga; “Epika e yjeve të mëngjesit”, R. Erebara; “Mjaltë në teh”, R. Çollaku; “Kohë e djegur”, Th. Medi; “Kafsha apo fantazma”, A. Tufa; “Ora me rërë”, V. Bekteshi; “Icoginito”, A. Kyçyku, si dhe vëllimet e B. Shehut, R. Petros, A. Qazimit, Z. Çelës, “policori” “Hide mbi kalldrëm” (që pret të zbulojë së pari vetë autorin), apo “Sonetet” e Lisandri Kolës që njëkohësisht të japin edhe instrumentet, edhe materialin për t’u analizuar me to.

KRITIKA Paraqitet pak a shumë në të njëjtat shifra e përqindje me vitet e tjera rreth 4-5% e botimeve letrare në shqip, por jo rrallë kritikat i “qasen” letërsisë në të dyja kuptimet e kësaj fjale (siafrim, por edhe si largim prej saj). Në kategorinë e kritikës, interpretimit dhe studimeve, përveç pak studimeve serioze, thellohet një prirje që është ndier edhe më herët, studimet mbi autorë më pak të njohur se studiuesit e tyre. Një vepër që më- ton ta mbajë në këmbë këtë prirje është e pranishme edhe këtë vit, titullohet: “Poezia “haraçi” tjetër për kohërat në kohëbotën që jetojmë: (duke studiuar poezinë e I. Sulkuqit).

Toposet banale të poezisë shqipe këtë vit, si “risi” në letrat shqipe shfaqen edhe në prozë, përfaqësuar nga këta tituj:

Shpirti: Dallgët e shpirtit tim; Ushqimi i shpirtit; por edhe Dallgë nga deti im; Shpërthime shpirti; Ujëvarë shpirti; Shpirti i trazuar; Tingujt e shpirtit; Flakërima shpirti; Fjalët e shpirtit; Copëza shpirti; E fshehta e shpirtit tim; Botët brenda shpirtit; shpirt i dyzuem; Pasqyrë e shpirtit tim. Dashuria: Në shërbim të dashurisë; Dashuroj se nuk di të urrej; Dashuria është bekim; Ëndërr dashurie; Kjo quhet dashuri; Malli i dashurisë; Anija e dashurisë; Dashuri e vonuar; Të mallkoj me dashuri; Kulla e shpirtit tim. Zemra: Mos e burgosni zemrën; Rrugëtim zemre; Zemra që flet; Zemër; Pa zemër në kraharor; Zemra më rreh në kraharor; Shpirt e zemër në vendlindje; Stinët e jetës; Kur flasin zemrat; Gjysmë zemra ime. Ëndrra: Ëndrra të zbathura; Liqeni i ëndrrave; Jeta shëtit nëpër ëndrra; A vriten ëndrrat?; Ëndrra që rri zgjuar; Ëndrra të mjeruara. Loti: Kënga e lotit; Lot mbi alfabet; Dashuri dhe lot; Vargu i lotuar; Lotët e shpirtit; Lotët e zemrës. Toposi Qiellor: Shi margaritarësh; Përqafim nga yjet; Pyeta retë; Aromë shiu; Zogj në qiellin e vendlindjes.

Përveç topikës, disa autorë shqiptarë kanë dhënë kontribute të çmuara edhe në pasurimin e letërsisë shqipe me:

Gjini të reja: Mbi baltosjen njerëzore: (ndjesi poetike); Mos më pyet, mos më nga…: dyzet psherëtima dhe një lirikë; Udhëtim nostalgjik në koma: tregim fiktiv (ndoshta fiksional???); Pëshpërima në netët poetike; Mall emigranti: prushërime në këngë; Vargje me filtër. Epigrame: 9 vëllime; ia kanë kaluar këtë vit edhe haikut, (vetëm dy vëllime dhe rubairave, vetëm 1). Si më përfaqësuesi shkëlqen “Epigrame të pakrehura”

TITULLI MË I BUKUR Nuk zhgënjejnë autorët shqiptarë edhe këtë vit me titujt e vëllimeve të tyre. Zgjedhja e më të bukurit është shumë e vështirë mes:

1. Kur përtypen malet;

2. Flirtoj me universin;

3. O sa shumë po vuaj; Po tani o i mjerë! (ku thirrja më shumë është e lexuesit);

4. Më prishët vargun;

5. Tango me veten;

6. Kuajt e erës;

7. Do ta kafshoj botën.

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.