LSI-ja duhet të dalë nga qeveria që propozimet e saj të fitojnë besueshmëri
Lëvizja pështjelluese e Ilir Metës mund të ketë zënë në befasi vetëm socialistët e Edi Ramës që tani po dalin solidarë të shefit të tyre. Por aty nuk ka asnjë gjë të re krahasuar me aktet politike, as mish as peshk të LSI-së. Kjo sjellje është e kuptueshme nëse vë në punë logjikën e një force si LSI-ja që percepton se mund të rritet vetëm duke dhënë garanci se do të jetë vazhdimisht në pushtet.
Sot Meta ka folur për qeveri besimi, duke vënë theksin te Ministria e Brendshme dhe duke lënë të kuptohet se nëse nuk ka konçesione ndaj tij, opsioni i mospjesëmarrjes në zgjedhje pa opozitën është teorikisht i hapur. Ky qëndrim ka brenda një paradoks: si mund të jesh opjesë e qeverisë dhe të mos kesh besim tek ajo?
Nëse Meta do të dëshironte vërtet atë që deklaron shpesh, pra se “për LSI-në janë më të rëndësishme Standardet sesa Rezultati i zgjedhjeve”, ai do të duhej të bënte aktin kryesor: tërheqjen nga koalicioni, ndoshta duke rikonfirmuar aleancën me PS-në. Në çdo rast një akt politik që zgjidh krizën dhe riofron marrëveshje për aleancën e natyrshme brenda së majtës. Është e qartë se ky nuk është rasti I Metës, i cili nuk lëviz pa llogaritë e veta të kopsitura mirë. Për ta kuptuar këtë le të kthehemi në fillim vitin 2013, kur Meta zyrtarizoi shkëputjen nga marrëveshja qeverisëse me Berishën duke folur për një Pol me PDIU-në. Në prill u krye marrëveshja me PS-në dhe LSI-ja doli nga qeveria. Ishte një rrjedhë logjike e veprimeve të saj politike që u bllokuan vetëm te PDIU-ja e cila qëndroi në koalicion me Berishën.
Mund të pyetet: pse nuk vepron sot kështu sërish Meta? Një arsye është se shkëputja e tanishme nuk kompensohet nga garancia se ai me PD-në e Bashës fitojnë dot. Së dyti, Meta nuk ka sot formalisht një arsye për të lënë koalicionin, të cilin do të donte që mos ta drejtonte më Edi Rama. Pazari i presidencës që përflasin të gjithë është aktualisht një syrgjynosje politike në kushtet kur axhenda personale e Ramës brenda të majtës po ecën fjollë: të gjithë njerëzit e tij po katapultohen ministra dhe po marrin PS-në dorë. Pushteti lokal po ashtu është nën kontrollin e socialistëve. Cili është pushteti i LSI-së në këtë kontekst? Është vetëm pushteti që rrjedh nga e panjohura e zgjedhjeve të ardhshme dhe kushtëzimet që rrjedhin prej tij. Por kjo e panjohur është edhe më e madhe për PD-në e Bashës. Ndaj pretendimet verbale të Metës duhet të shoqërohen me akte politike që të kenë kuptim dhe vlerë edhe për vendin. Përndryshe, përbetimeve të tij u ka dalë boja tashmë qëkurse më 17 korrik 2016 foli për burgun dhe qeverinë teknike e asgjë nuk ndodhi.
Add new comment