Basha ngatërron veten me Berishën: Më ka sulmuar Soros me mediat e tij
Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike ka hedhur sot në qarkullim “provën” e mbështetjes së madhe që ka në Washington. Një artikull i publikuar nga Bretibart News është kthyer në shqip për të evidentuar tërthorazi se politika zyrtare në SHBA nuk e sheh me sy të mirë qeverinë e Edi Ramës. Dhe për të bërë efektin e duhur te njerëz afër presidentit Donald Trump, Basha, që ka qenë dikur ministër i Jashtëm dhe promovues i vlerave euroatlantike të Shqipërisë, përdor kartën Soros.
“Jam sulmuar ashpër nga ai e njerëzit e tij dhe gjithashtu nga media ndërkombëtare sepse jam mbështetës i Trumpit”, citohet të ketë thënë Basha. Në fakt një nga provat e dobësisë së madhe të Bashës është se atë NUK E SULMON ASKUSH. Hiç. Fare. Asnjë. Qameti Majlinda Bregu. Kryetari I PD-së ndoshta mendon se është Sali Berisha, të cilin po që e sulmojnë. Por që Soros të ketë në mendje të sulmojë Lulzm Bashën, të cilin madje erdhi në Tiranë dhe e takoi, kjo është gënjeshtër e trashë që nuk hahet për ëmbëlsirë as me buzëqeshjet pa doganë të Bashës. Kujtojmë këtu se dje, aleati kryesor i tij, Fatmir Mediu, një njeri që dallon për lidhjet e tij në SHBA, deklaronte se “administrata amerikane është në tranzicion dhe nuk e ka mendjen sa duhet te Shqipëria”, duke pranuar se loja me mbështetjen amerikane, ashtu siç kemi parë herë të tjera, është minimalisht e parakohshme.
Kjo dalje e sotme provon hallin e madh të kreut të PD-së, të cilit iu lexua qartë dështimi i vizitës në SHBA dhe për kompensim kërkon të shesë veten me retorikën e Abdi Baletës. Nga kreu i opozitës shqiptare pritet të flasë për problemet e vendit, të kërkojë ndihmë dhe të parashtrojë disa ide. Ai duhet të dijë të presë, madje sidomos duhet të dijë të presë momentin e vet e të mos ngatërrohet me marrëzi të tilla që nuk i ha kush. E gjitha kjo është provë e dobësisë, pasi edhe vetë z. Basha e di që një shkrim në Breitbart Neës, nuk është i dëshirueshëm dhe as për t’u patur zili. Dhe as provon ndonjë gjë të madhe, përveç faktit se atë radikalizëm që ai nuk e ka për natyrë, mund të amplifikojë përmes zërave të vërtetë radikalë siç është media e Steve Banon.
Add new comment