Ndalimi ose jo i filmave të Kinostudios, një debat që i mungon kritika
Një art i kontrolluar politikisht vijon t'i rezistojë kohës, madje dhe shijeve të publikut. Kinemaja shqiptare e periudhës së realizmit socialist ose filmi i prodhuar sipas një konteksti shoqëror dhe politik është konkurues edhe në tregun e sotëm të filmit televiziv, duke gjeneruar të ardhura ekstra ligjore për subjekte që operojnë në shkelje të hapur të së drejtës së autorit, siç janë platformat dixhitale tokësore apo dhe satelitore. Prodhimet kinematografike të Kinostudios Shqipëria e Re ndoshta për arsye që lidhen jo vetëm me parametra artistike dominojnë edhe sot kulturën e atij që mund ta quajmë tipizim të fenomeneve apo personazheve që u krijuan nga regjisorët apo skenaristët e kohës dhe u adoptuan nga publiku, si ph "bishti i qënit", "zëvendësi i grave", apo "Robert Çamçakizi" etj.
Në rrafshin estetik ndërvepron si një kulturë që nuk ka lidhje me kohën, duke vërtetuar njëkohësisht se filmi që është prodhuar pas viteve 90 nuk ka gjetur formulën për të ndikuar politikisht në një shoqëri tranzitore si e jona, me reminishenca të forta të së kaluarës.
Po ashtu vërteton se pa talentin e shtetit asnjë regjisor apo aktor nuk do mund të ishte i suksesshëm. Së fundmi ka lindur një debat nga një nismë e shkrimtarit dhe përkthyesit Agron Tufa, i cili ka ndërmarrë një nismë për të ndaluar me ligj filmat propagandistikë komuniste të regjimit të Enver Hoxhës, kjo pasi është e dëmshme për shëndetin dhe moral publik. Por sipas tij, jo perjashtimisht të gjithe filmat te ndalohen.
Por te behet nje liste e kujdesshme e filmave ( te paket) qe nuk perçojne propagande komuniste, si dhe: te gjithe filmat e ‘mbijetuar’ te paraprihen para transmetimit me një 5 minutesh hyrje, ku te shpjegohet se perse transmetohet aksh film (vlera artistike, regjisoriale, aktoriale, tematike etj). Kjo nismë ka ngjallur diskutime që më së shumti përcjellin indinjatën e një kontigjenti të përzier mes elitave të artit pamor dhe kritikës së telespektatorëve.
Njëri prej tyre, piktori i niohur i filmit socrealist, Shyqyri Sako, studiuar në Rusi, por që u diplomua në Institutin e Arteve, thotë në një intervistë për Televizionin Klan se filmi i para viteve '90 është një pasuri kombëtare, duke përfshirë punën artistike, regjisorët, aktorët dhe punën e kryer.
Vetë Tufa thotë se mbetjet e diktaturës dhe nostalgjikët e asaj idile kinematografike perverse, incestuoze, qenkan prekur në kockë.
Por ajo që i mungon këtij debati është kritika e vërtetë mbi filmin shqiptar të socrealizmit, por dhe atij që prodhohet sot, çfarë përfaqësojnë jo vetë në planin artistik, por edhe atë kulturor.
Në mungesë të një kritike të mirëfillëtë mbi këtë fenomen, ky debat i një rëndësie jo të vogël, bëhet në facebook, çka reflekton seriozitetin me të cilin shoqëria trajton probleme të Kulturës.
Add new comment